Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Forma dhe Substanca

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 21.03.2023 14:42
Blerim Shala
Blerim Shala

Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, pas një dite të gjatë dhe të mundimshme (të shtunën me 18 mars), në bisedimet e Ohrit (Maqedoni e Veriut) për të arritur pajtimin në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, për Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes për ecjen para drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, u përpoq t’i shpjegojë pengesat në këtë ndërmarrjen e tij dhe të Miroslav Lajčakut, Emisarit Special të BE-së për dialogun, duke u marrë me formën dhe substancën.

Kështu, Borrell pohoi që Presidenti i Serbisë kishte problem me formën (nuk deshti ta nënshkruajë fare këtë Marrëveshje), teksa Kryeministri i Kosovës, kishte telashe me përmbajtjen (e Aneksit, siç ishte propozuar prej Borrellit dhe Lajčakut).

Raporti i formës dhe i substancës, në këtë rast, dhe në të gjitha rastet e ngjashme kur kemi të bëjmë me dakordimin në mes të dy shteteve/ dy palëve, thellësisht kundërshtuese dhe shumë mosbuesuese, të cilat për më shumë kanë luftuar në një të kaluar jo fort të largët, është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm.

Për më shumë, këtu, forma përcakton përmbajtjen.

Nëse njëmend kemi të bëjmë me dy palë/ dy shtete, Marrëveshja në mes të të cilave shihet si shumë e rëndësishme jo vetëm për raportet në mes tyre, por edhe për stabilizimin e gjithë një rajoni, apo, me gjithë Ballkanin Perëndimor, atëherë, forma do të duhej të nënkuptonte pranimin e kësaj Marrëveshjeje përmes nënshkrimit të Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vučić, e pastaj, edhe nëpërmjet të Ratifikimit të kësaj Marrëveshjeje në Kuvendet respektive të Kosovës dhe të Serbisë.

S’do mend që kjo procedurë/ kjo formë, do ta impononte pastaj një përmbajtje shumë më të detalizuar të Aneksit të zbatimit të Marrëveshjes për ecjen para drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Realisht pra, nuk janë përmbushur as kriteri i formës, e as ai i përmbajtjes së këtij Aneksi, i cili, përndryshe, përmban fjali dhe qëndrime më të përgjithësuara, të cilat mund të jenë burim të interpretimeve diametralisht të kundërta, se sa vet Propozimi Evropian, teksa rëndom duhet të ndodhë e kundërta: Aneksi duhet të jetë shumë i qartë dhe më i detalizuar se sa Propozimi Bazë i një Marrëveshjeje.

Zatën, diçka e tillë  (kërkimi i një Aneksi të detalizuar), pos tjerash, ka qenë reflektim i përvojës aspak të mirë në interpretimin dhe zbatimin e Marrëveshjeve të arritura në procesin e Brukselit, në vitet 2011-2015.

Është pritur pra dhe është menduar që Aneksi do të synojë të shmangë pengesat dhe ngecjet  (madje), të provuara tashmë në bisedimet e mëparme në Bruksel.

Diçka e tillë nuk duket që garantohet me Aneksin në fjalë.

Pajtimi verbal për Marrëveshjen për ecjen para drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe prë Aneksin e saj, në mes të Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vučić, sipas interpretimeve të Borrellit, do të merr trajtën obligative përmes raporteve formale bilaterale në mes të BE-së dhe Kosovës, BE-së dhe Serbisë.

BE-ja në këtë mënyrë jo vetëm që bëhet palë garantuese për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, por përmes saj ndodhë formalizimi i kësaj Marrëveshjeje, që thënë figurativisht, nënkupton që ky Akord mbërrinë nga Prishtina në Beograd përmes Brukselit  (dhe anasjelltas, nga Beogradi në Prishtinë përmes Brukselit), e jo në një ’linjë’ direkte, teksa dihet që këtu kemi të bëjmë me raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilat janë jetike për perspektivën e tyre evropiane.

Për shkak të gjithë këtij ’udhëtimi’ rreth e rreth Evropës në vend se të bëhej një rrugëtim direkt Prishtinë – Beograd, nuk është fort e qartë se si do të bëhet përligjja e kësaj Marrëveshjeje në Kosovë dhe në Serbi, ashuqë të jetë detyruese për këto dy shtete, jo vetëm në bazë të atyre raporteve bilaterale me BE-në të Kosovës dhe të Serbisë.

Përligjja e kësaj Marrëveshjeje në Kosovë dhe në Serbi është e domosdoshme nëse te dy palët duan t’i zbatojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes për ecjen para drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme