Fitorja absolute e Albin Kurtit - Klan Kosova

Fitorja absolute e Albin Kurtit

123
string(12) "Blerim Shala" string(67) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1.jpg"
2 weeks më parë
Albin Kurti, falë votës masive të qytetarëve të Kosovës, ka përqëndruar në figurën e tij, në duartë e tij, një pushtet të pashembullt në historinë e demokracisë kosovare.

Kosova edhe një herë organizoi zgjedhje të lira dhe demokratike, më të mirat në rajon, këtë të diele me 14 shkurt.

Asgjë për tu befasuar.

Lëvizja ‘Vetëvendosje’ i fitoi për herë të dytë zgjedhjet e përgjithshme, në harkun kohor prej 16 muajsh  (tetor 2019, shkurt, 2021).

As ky lajm nuk paraqet kurfarë befasie.

Megjithatë, shkalla e fitores së Albin Kurtit dhe partisë së tij, në këto zgjedhje, me një zhvillim kur të gjitha partitë e tjera shqiptare në Kosovë nuk morën votë sa ai vetëm, është një përfundim i këtyre votimeve që mund të klasifikohet si i papritur.

Si asnjëherë më parë, që nga zgjedhjet parlamentare të nëntorit të vitit 2007, (kur PDK dhe Hashim Thaçi patën korrur një fitore zgjedhore të bindshme), skena politike kosovare do të ballafaqohet me një qartësi të madhe. Në të gjitha aspektet e mundshme.

Fitorja plebishitare e Kurtit në këto zgjedhje, shënon fundin e një kapitulli politik të partive dhe subjekteve tradicionale, siç i kemi njohur ne, që nga 10 tetori i vitit 1999-të  (kur u themeluar atëherë PBDK, më vonë PDK, si rivale kryesore të LDK-së), e deri me 14 shkurtin e vitit 2021.

Kjo nuk do të thotë që partitë tradicionale do të zhduken, apo nuk do të ekzistojnë më, edhe pse në një rrezik të këtillë janë disa prej tyre.

Sidoqoftë, këto parti dhe politikanët që janë pjesë e udhëheqësive të tyre, këtë të diele përjetuan një termet të madh, një goditje të jashtëzakonshme, e cila ose i dëmtoi shumë ‘godinat’ e tyre, siç është rasti me PDK-në dhe të LDK-në, ose kërcënon me shembje të plotë, siç është shembulli me ‘Nismën për Socialdemokraci’ dhe AAK-në.

Në këtë rekapitulimin e rrjedhave në politikën e Kosovës, që prej çlirimit e këndej, na shfaqen tri periudha të zhvillimeve politike: Ajo e para, me Dr.Ibrahim Rugovën dhe LDK-në si kryeqendër politike  (në harkun kohor 2000-2007), ajo e dyte me Hashim Thaçin dhe PDK-në që e trashëgoi këtë rol  (në vitet 2007-2017), dhe kjo e treta, me Albin Kurtin dhe Lëvizjen ‘Vetëvendosje’  (që nga viti 2019, e këndej).

Votat e qytetarëve të Kosovës kësaj here, pa marrë parasyshë se si do të mund të kualifikohen dhe klasifikohen ato, si votë e shpërblimit për këmbëngulësinë e Albin Kurtit apo si një votë e ndëshkimit për partitë tradicionale  (mbase, kemi të bëjmë me te dy këto cilësi shpërblyese dhe ndëshkuese), ka si pasojë krijimin e rrethanave parlamentare, në këtë legjislacionin e tetë, kur Qeveria e Kosovës do të mund të krijohet, prej vetëm një partie, gjë që do të ndodhë për herë të parë në historinë e demokracisë parlamentare të Kosovës.

Pra, do të mund të kemi një Qeveri njëpartiake, moniste, në kombimin me atë pakon e njëzet ulëseve të garantuara për komunitetet pakicë.

Për më tepër, poashtu për të parën herë në këtë historinë e demokracisë parlamentare, sipas të gjitha gjasave, një Listë e vetme zgjedhore, ajo e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, pos përbërjes së plotë të Qeverisë, do ta ofrojë Kryeministrin e Kosovës, Kryetarin e Kuvendit dhe Presidentin e Kosovës.

Është pra kjo një fitore absolute e një subjekti politik, i cili si asnjëherë më parë, apo, si në asnjë tjetër rast në të kaluarën, i dedikohet në plotëni një politikani të vetëm, Albin Kurti.

Megjithë rolit të madh që Dr.Rugova ka pasë në LDK, dhe atij që Hashim Thaçi ka bartë në PDK, në te dy këto pari ka pasë Udhëqësi dhe politikanë që ishin në ballë të LDK-së dhe PDK-së.

Në rastin e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, lidershipi i Albin Kurtit është i paprecedent për suksesin e kësaj partie.

Për këtë shkak, Albin Kurti, falë votës masive të qytetarëve të Kosovës, ka përqëndruar në figurën e tij, në duartë e tij, një pushtet të pashembullt në historinë e demokracisë kosovare.

As Dr.Ibrahim Rugova dhe as Hashim Thaçi, nuk janë gjetur në këtë situatë në të cilën prej mbrëmjes së 14 shkurtit gjindet Albin Kurti. Ai, thjeshtë, mund të bëjë çfarë të dojë në këtë procesin e ndërtimit të pushtetit qendror, sepse nuk i duhet askush prej partive politike shqiptare. Ai poashtu, kur bëhet fjalë për Listën zgjedhore të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, mund të emërojë kend të dojë në përbërjen e Qeverisë së tij, sepse askujt nuk i ka borxh  gjë, dhe askujt nuk i detyrohet për këtë fitore.

Pastaj, Kurti i ka gjasat reale që të jetë Kryeministri i parë në Republikën e Kosovës, i cili do ta përmbyllë të plotë mandatin e tij katërvjeçarë. Megjithatë, nëse kihet parasyshë mënyra e operimit politik të tij, nuk do të ishte aspak befasuese nëse ai vet do t’i provokojë zgjedhjet e reja parlamentare, pas një periudhe kohore, kur ai do të vlerësojë që mund të arrijë një rezultat të ngjashëm, apo edhe më të mirë (madje) në votimet e reja për Kuvendin e Kosovës.

Në ndërkohë, Kurti do të synojë që rezultatet e kësaj të diele nëpër komuna, t’i kthejë edhe në një fitore tjetër të madhe në zgjedhjet e rregullta për pushtetin komunal, të cilat do të mbahen në muajin tetor të këtij viti.

Qytetarët me votën e tyre të kësaj të diele, realisht, e kanë lënë Kurtin pa një opozitë kërcënuese politike, e cila do të detyrohet të merret në radhë të parë me ‘shërimin e plagëve’ të veta, me mëkëmbjen dhe ri-organizimin politik, i cili me gjasë, do të jetë i mundimshëm dhe sfidues për dy partitë më të mëdha opozitare: PDK-në dhe LDK-në.

Kurti nuk do të jetë pra i rrezikuar, për një kohë së paku, nga ‘faktori i brendshëm’.

Ai, megjithatë, do të detyrohet, dhe atë në javët dhe muajtë e ardhshëm, të ballafaqohet me dy sfida të mëdha, dhe këtu, pikërisht për shkak të rezultateve të këtyre zgjedhjeve, nuk do të mund të kërkojë dhe as të gjejë kurfarë justifikimi.

Sprova e parë ka të bëjë me vetë qytetarët e Kosovës, të cilët në këto përmasa, ia besuan atij mandatin e pakontesueshëm, për t’i prirë pushtetit qendror. Vetë Kurti i ka ngritur tej mase pritjet dhe shpresat e qytetarëve tek ai dhe qeverisja e tij, duke u fokusuar në sundimin e ligjit dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Ai po e merr, për herë të dytë qeverisjen me vendin, në kohën kur pasojat sociale dhe ekonomike nga Pandemia po shfaqen si gjithnjë e më të rrezikshme për Kosovën.

Kosovarët nuk kanë më durim fare të presin për rezultatet e matshme dhe të prekshme (për secilin prej tyre), për përmirësimin e jetës së tyre. Ata duan që ky ndryshim në jetën e tyre të ndodhë sa më parë. Realisht, diçka e tillë është tej mase e vështirë, në mos edhe e pamundur.

Sprova e dytë përkon me dialogun e Kosovës dhe Serbisë, i cili realisht, është në vendnumërim që nga vitit 2015-të e këndej. Edhe pse vet Kurti, në adresimin e tij të parë qytetarëve të Kosovës pas fitores në zgjedhje, pohoi që dialogu nuk është në mesin e prioriteteve të tij, ai  (dialogu pra), për shkak të raporteve që Qeveria e tij do të duhet t’i ndërtojë me Administratën e Presidentit Amerikan Biden, dhe me BE-në, nuk ka si të shmanget dhe si të mos trajtohet prej tij si Kryeministër, në njërën mënyrë apo tjetrën.