Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Fati i Amerikës dhe fati i botës

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 04.11.2024 09:03
Blerim Shala
Blerim Shala

Zgjedhjet më të rëndësishme në Shekullin XXI në Amerikë  (dhe në Botë, do të mund të shtohej këtu pa bërë gabim), në të cilat këtë të martë, me 5 nëntor pritet të votojnë mbi 150 milionë qytetarë, sipas të gjitha analizave të detalizuara të cilat bazohen mbi hulumtimet thuaja të përditshme të ‘pulsit të publikut’, do të përcaktohen nga votat e dhjetëra mija vetave në shtatë shtetet e luhatshme.

Siç e dimë të gjithë ne, në garë janë Kamala Harris, Zëvendës-Presidentja aktuale e Amerikës dhe Donald Trump, ish-Presidenti i SHBA-së  (në vitet 2017-2021).

Presidenti në shërbim, Joseph Biden është tërhequr për shkaqe shëndetësore në muajin korrik nga synimi për ta marrë mandatin e tij të dytë presidencial.

Harris dhe Trump po luftojnë për Shtëpinë e Bardhë, në kohërat më të zeza për Botën, për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

Lufta në Ukrainë, e shkaktuar nga agresioni i Rusisë që në shkurtin e vitit të ardhshëm do të hyjë në vitin e tretë të saj, dhe lufta në Lindjen e Mesme në mes të Izraelit dhe Hamasit/ Hezbollahut/ Iranit, kanë shkaktuar lëkundje të pashoqe në Botë, teksa pakkush mund ta ketë guximin që të parashikojë epilogun e tyre.

Megjithatë, çfarë ngjanë jashtë Amerikës dhe cili është roli i SHBA-së në këtë lëmshin e madh ndërkombëtar, tëfillimi i të të cilit nuk është i qartë fare, kjo nuk ka shumë rëndësi për epilogun e zgjedhjeve në demokracinë dhe ekonominë më të fuqishme në Botë, që ka ushtrinë superiore e cila është në krye të Aleancës Veri-Atlantike.

Amerika ka pësuar rëniet dhe ngitjet e saja të mëdha që nga viti i Pandemisë së Covid-19  (2020), pasojat e të të cilit në këtë shtet janë ende të pranishme.

Ekonomia njëlloj ka shënuar pikat më të ulëta dhe më të larta, teksa në katër vitet e Administratës së Presidentit Biden, në SHBA kanë hyrë hiç më pak se gjashtë milionë emigrant ilegal.

Ky fakt mund të jetë madje vendimtar për fatin e Kamala Harrisit në përballjen e saj me Donald Trumpin, i cili si prioritet të vetin sërish (siç ka qenë edhe në ato zgjedhjet e vitit 2016, kur fitoi në dyluftimin me Hillary Clintonin), ka ndalimin e çdo hyrjeje ilegale në SHBA si dhe çështjen e zhvillimit ekonomik.

Ndryshe, Harris dhe Trump nuk kanë gjë të përbashkët si politikanë dhe si qytetarë të Amerikës.

Harris dhe Trump janë realisht në krye të dy Amerikave që dallojnë shumë njëra nga tjetra.

Njëra është Amerika tradicionale, liberale, plot vetë-besim dhe bindje që SHBA-ja duhet tutje t’i prijë Botës së lirë, të cilën e personifikon Kamala Harris.

Tjetra është një Amerikë post-tradicionale, konzervative, plot dyshime dhe shqetësime, e cila zotohet vetëm në Projektin MAGA  (Make America Great Again), i cili fund e krye ka si prioritet të vetin interesin amerikan të preokupimit vetëm me vetëveten.

Këto dy Amerika po përplasen tash e dhjetë vjet së paku, teksa asnjëra nuk është mbizotëruese, apo, ato nuk kanë epërsi e cila do ta bënte fituese njërën, duke imponuar një unfikim eventual politik dhe qytetërues.

Ndasitë janë shumë të mëdha në mes të dy kampeve, dallimet tash e sa kohë veçohen si kërcënuese dhe të rrezikshme, ndërsa është e vështirë të parashikohet se çka do të ndodhë në Amerikë prej 6 nëntorit e tutje, kur do të merret vesh fituesi i zgjedhjeve dhe presidenti i 47-të i SHBA-së.

Nëse nuk do të ketë rezultat të pastër që shquan fituesin, Amerika, sipas të gjitha supozimeve, do të hyjë në një fazë shumë problematike, mbase edhe të rrezikshme, kur do të ketë kontestim legal në rezultatit dhe mbase, edhe kundërshtim politik të epilogut të zgjedhjeve.

Tabllot e 6 janarit të vitit 2021, kur turma i mësyu ndërtesës së Kongresit amerikan për ta ndryshuar me dhunë rezultatin e zgjedhjeve të cilat i fitoi Joseph Biden, do të mund të përsëriteshin, por me përmasa edhe më të mëdha, edhe më destabilizuese.

Fati i Amerikës tash e një shekull, në masë të madhe është edhe fati i Botës. Kështu është edhe sot e kësaj dite.

Për këtë shkak, si do të ndahet Amerika me këto zgjedhje, do të ketë pasoja afatgjata për zhvillimet e ardhme në të katër anët e Botës.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme