Farsa e politikës serbe 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 02.08.2022 16:32 02.08.2022 16:32 Serbia e Aleksandar Vuçiq-it, Presidentit të saj dhe liderit të pakontesueshëm, synon të jetë pjesë e BE-së dhe njëkohësisht t’i mbajë raportet e miqësisë me Federatën e Rusisë, teksa Bashkimi Evropian (dhe SHBA-ja), janë faktikisht në luftë me Rusinë në territorin e Ukrainës. Serbia e Aleksandar Vuçiq-it, Presidentit të saj, pretendon që është një shtet demokratik, dhe po të njejtën kohë, i ka të gjitha tiparet e një sistemi autoritar. Serbia e Aleksandar Vuçiq-it, Presidentit të saj, që prej se ka shpërthyer lufta në Ukrainë, pas një agresioni brutal të Armatës së Rusisë, herë përqafon naracionin politik dhe historik që Ukraina e sotme është si Serbia (atëherë, RFJ-ja), e vitit 1999, e shumë më afër i rri naracionit që mbështetë, qoftë në mënyrë të heshtur, apo edhe përmes mediave të cilat janë nën kontroll të plotë tij, çfarë po bën Rusia në Ukrainë që prej 24 shkurtit të këtij viti. Në një Referendum për të shpalosur vullnetin e qytetarëve të Serbisë se kah duhet t’i mbajnë tash e tutje, kah BE-ja apo kah Rusia, sipas hulumtimeve të vazhdueshme në Serbi, shumica bindëse do të votonin për orientimin politik kah Rusia. Zhvillimet e fundit në Veriun e Kosovës (dhe rreth Veriut), dëshmuan në mënyrën më të qartë të mundshme, që prej se u prish një Rend Evropian nga Rusia, (i vendosur që prej rrëzimit të Murit të Berlinit, në vitin 1989 e deri më tash), se çfarë ‘busolle’ ka sot lidershipi i Serbisë. Dhe atë, në disa mënyra. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, ndryshe, njëri prej dy-tre bashkëpunëtorëve më të afërt të Vuçiq-it, para disa ditësh fajësoi në mënyrë eksplicite shtetet e Quint-it që ato qëndrojnë prapa Qeverisë së Kosovës, apo, që ato po mbështetin vendosjen e masës së Reciprocitetit në pikat kufitare në mes të Kosovës dhe Srebisë. Shefi i tij, Presidenti i Serbisë, gjatë dhe pas trazirave të shkaktuara në Veri, në fund të shtatorit të vitit të kaluar, pati drejtuar gishtin e tij tregues kah Britania e Madhe, se ajo ka hise të drejtpërdrejtë në intervenimin e Njësive speciale policore në këtë pjesë të Kosovës. Teksa në shtatorin e vitit të shkuar, Moska zyrtare ishte pak a shumë e heshtur karshi zhvillimeve në Veri, kësaj here, ka rreshtuar reagimet e njëpasnjëshme, krejtësisht në favor të Serbisë, dhe përdorur thuajse të njejtën gjuhë për ‘fatin e serbëve të Kosovës’, si atë për ‘fatin e rusëve në Ukrainë’. E njejta Moskë zyrtare sa herë e sheh të udhës në luftën e madhe propagandistike që bën kundër Perëndimit, përmes fjalëve të Presidentit Putin, del me prononcimet se ‘Donbasi është Kosovë’, apo që nëse Kosova ka fituar legjitimitetin ndërkombëtar përmes Mendimit këshilldhënës të ICJ-së (Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë), në korrikun e vitit 2010, i njejti mendim do të duhej të vlente edhe për ‘Republikat e Luhansk-ut dhe Donjeck-ut, në Ukrainën lindore. Nga një lexim fare sipërfaqësor i reagimeve ndërkombëtare të fundit rreth Veriut të Kosovës, e rreshton Serbinë me Rusinë dhe kundër Perëndimit. Kjo më së shumti kuptohet nga ai ‘dorëshkrimi’ klasik i adresimit të problemeve të këtilla nga Aleksandar Vuçiq, Presidentit të Serbisë, teksa duket që ai nuk po kupton (apo nuk dëshiron të kuptojë), që ndjeshmëria e Perëndimit për sprovat e sigurisë në këto anë të Evropës, ka pësuar një rritje prej njëqind përqind, pikërisht për shkak të Rusisë dhe politikës së saj në Ukrainë. Vuçiq e projektoi një zhvillim që është paralajmëruar tash e mbi një muaj të Qeverisë së Kosovës (për vendosjen e masës së Reciprocitetit, sa i përket hyrjes së qytetarëve të Serbisë në territorin e Kosovës), si një hyrje në tragjedi të madhe, e cila mund të ketë edhe trajtën e dëbimit me dhunë të serbëve që jetojnë në Veri. Përmes strukturave të tij të sigurisë në Veri, ai inskenoi një gjendje alarmi të përgjithshëm në Veri, e cila do të mund të pasohej edhe me përplasje të të gjitha llojeve, përfshirë edhe ato të armatosura. Ky pastaj shkoi e vizitoi Shtabin e Përgjithshëm të Armatës së Serbisë, për të dërguar një mesazh që nëse duhet, ai do të mund të angazhojë edhe forcat ushtarake serbe, në mbrojtje të serbëve të Kosovës. Përafërisht ai veproi edhe në vjeshtën e vitit të kaluar, megjithëse atëherë ai urdhëroi manovra ushtarake përreth kufirit me Kosovën. Ai e di fare mirë që hyrja në territorin e Kosovës, ciladoqoftë ajo, shënon fillimin e luftës me Aleancën Veri-Atlantike, e jo me autoritetet e Kosovës. Sidoqoftë, ai në ditët e kaluara, zgjodhi, gjithsesi me vetëdije, që me një terminologji të afërt me atë të Rusisë, me një qasje të ngjashme me atë të Moskës zyrare, me një propagandë me të cilën do të krenohej edhe Sputniku rus, dhe me kërcënimit thuaja identike me ato të Rusisë para se të shpërthente lufta në Ukrainë, ta adresojë situatën në Veri të Kosovës. Ai po i qaset Kosovës, realisht, njëlloj si Rusia Ukrainës. Por, nëse në rastin e Ukrainës, kemi të bëjmë me një tragjedi të mirëfilltë, në rastin e Kosovës, Presidenti Vuçiq luanin rolin kryesor në një farsë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.