Faktet që askush s’mund t’i mohojë 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 30.06.2026 16:35 30.06.2026 16:35 Në epokën që gjithkund njihet si ajo Post-truth, ku gjithçka mund të manipulohet, gjithçka mund të fabrikohet dhe asgjë nuk ka më sigurinë e plotë të domethënies dhe kuptimit (kjo është Botë fluide siç e ka definuar mendimtari i madh Zygmunt Bauman), megjithatë, janë disa të vërteta të cilat assesi nuk mund të mohohen. Ta zëmë, është çështje krejtësisht faktike që me 4 korrik të këtij viti, do të kremtohet 250 vjetori (një çerek mileniumi), që prej se është krijuar SHBA-ja, si republikë, në përballje me monarkinë britanike. Një tjetër e dhënë në këtë kontekst është që historia e njerëzimit nuk njeh republikë që ka zgjatur mbi treqind vjet, ndërsa ai perceptimi i një njeriu të zakonshëm shfaq një bindje që republika si e tillë është e amshueshme. Pastaj, është tej çdo dyshimi që SHBA-ja është shteti më i fuqishëm që ka ekzistuar ndonjëherë në Botë, në çdo aspekt të mundshëm. Ky shtet, në vijim, ka ndikuar në mënyrën më thelbësore në rrjedhat kryesore politike dhe historike gjatë gjithë Shekullit XX, dhe këtë po e bën edhe sot e kësaj dite. Edhe kundërshtarët më të mëdhenj të SHBA-së, nuk kanë si ta mohojnë që Shekulli XX ka qenë Shekulli i Amerikës. Teksa çereku i parë i këtij shekulli ka kaluar, shteti i vetëm që i ri përballë Amerikës është Kina. Nga raportet në mes të këtyre dy shteteve, me gjasë, do të varet fati i gjithë Shekullit XXI. Amerika u detyrua tri herë në qindvjeçarin e kaluar të ndërhyjë për ta shpëtuar Evropën, mbase, sepse Amerika s’është gjë tjetër pos zgjatim i Evropës, i vlerave më të mira politike, ekonomike, kulturore dhe qytetëruese të Evropës. Intervenimi ushtarak amerikan ishte kyç që Evropa ta gjejë paqen në vitin 1918, pas ‘Luftës së madhe’ (e cila më pas do të quhet Lufta e Parë Botërore). Ushtarët amerikanë i dhanë lirinë thuaja gjithë Evropës Perëndimore në pranverën e vitit 1945, në fund të Luftës së Dytë Botërore. Më në fund, forca ushtarake, politike dhe diplomatike amerikane e mbrojti lirinë dhe demokracinë në Evropë për gati gjysmë shekulli dhe ia dha Perëndimit fitoren në ‘Luftën e Ftohtë’. Pa Evropën nuk do të bëhej Amerika. Kjo dihet. Por pa Amerikën do të zhbëhej Evropa. Edhe kjo dihet. Lidhja në mes të Amerikës dhe Evropës nuk ka alternativë. Kjo do të merret vesh gjithnjë e më shumë në vitet në vijim. As ky konstatim nuk ka si të vihet në dyshim. Na ka ra hise edhe neve, shqiptarëve të Kosovës, që ecjen tonë historike kah çlirimi i vendit, dhe kah bërja e shtetit të Kosovës, ta lidhim me fuqinë dhe drejtësinë e Amerikës, dhe atë, në vitet kur SHBA-ja dhe Perëndimi ishin në atë pikën më të lartë të ndikimit të tyre në Evropë dhe në Botë. Fati i një populli të vogël u lidh kështu me një Rend ndërkombëtar në krijim e sipër, pas asaj kthese të madhe të vitit 1989, kur morën fund Komunizmi, Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia e atëhershme. U hapën dyert për ne si popull dhe ne ditën të ecim në drejtimin e duhur. Ishim të gatshëm të sakrifikojmë gjithçka që kishim (e jeta ishte pasuria më e madhe që patëm atëherë), për tu bërë të lirë dhe për të vendosur për vetveten. Nuk ishte hera e parë që historinë tonë që e kishim këtë vullnet, këtë gatishmëri. Por kësaj here, e lidhëm fatin tonë me SHBA-në dhe me Perëndimin. Ishte kjo zgjedhja dhe zgjidhja më e mirë e mundshme. Pa të, nuk do të mbërrinim kurrë në qershorin e vitit 1999 dhe në shkurtin e vitit 2008. Edhe ky fakt është i pamohueshëm. Apo jo.