Fadil Vokrri im 123 NULL NULL 18.05.2016 14:21 18.05.2016 14:21 Nuk kam qenë asnjëherë fans i çmendur i Prishtinës në futboll. As në basketboll. Dhe arsyeja për këtë është e thjeshtë. Unë jam nga Mitrovica dhe në vend të Prishtinës e dua Trepçën 89, apo edhe çdo klub tjetër që ka këtë emër, në cilindo sport qoftë. Shumë zë kam harxhuar teksa kam bërtitur për Trepçat kur kanë luajtur me Prishtinën, sidomos. Njëherë, kur erdha ta shoh një ndeshje basketbolli mes dy klubeve, u thera me një shishe birre në bërryl të dorës, te salla “1 Tetori”, derisa u përfshiva në një rrahje të zakonshme tifozësh Plisat-Torcida. Atëherë, në vitet e para pas luftës, basketbolli ishte çmenduri. Dhe e mbaj mend që nja 15 a 20 vjet më herët, çmenduria sportive në Kosovë quhej futboll. Çdo të diel pasdite, burrat dhe djemtë më të rritur të lagjes ku jetoja mblidheshin në oborrin e ndonjërit prej tyre dhe bisedonin për futbollin. Disa ishin kthyer pasi e kishin parë Trepcën që garonte në Ligën e Dytë Federative, e ndonjë tjetër, më i rrallë, nga kryeqyteti, ku kishte parë Prishtinën të ishte takuar me rivalët e Ligës së Parë të Jugosllavisë. (Për ata që s’e dinë, Trepça – e jo Prishtina – ka qenë ekipi i parë nga Kosova që kishte shijuar ëndrrën e të qenit pjesë e kampionatit elitar të shtetit ku luanin edhe Hajduku, Dinamo, Parizani e Crvena Zvezda). Në njërën nga këto pasdite të vona pata dëgjuar emrin e Fadil Vokrrit. Ai kishte luajtur mirë në një ndeshje të fituar nga Prishtina dhe ishte bërë temë bisede e burrave dhe djemve të rritur. Dikush kishte thënë se Vokrri, si i ri, kishte kërkuar të luante për Trepçën, pasi kishte ardhur nga Llapi, por nuk i kishte bindur drejtuesit e atëhershëm të klubit. Ky version mbetet për t’u verifikuar, dhe thënë të drejtën, tash e besoj se më tepër se i vërtetë, pretendimi ishte inatçor pikërisht pse Fadili po luante për Prishtinën, e jo për Trepcën, e cila, me demek, e kishte refuzuar. Për sherr të atij muhabeti, pata lidhur njëfarë inati me Vokrrin. Ai, për mua, do të duhej të ishte në Mitrovicë. Me kalimin e kohës, pasi Prishtina shfaqej mirë në Ligën e Parë, pezmi im karshi Fadilit u zbeh. Por, nuk humbi krejtësisht. Për këtë pozitivizëm unë përsëri ndikohesha nga muhabetet e të rriturve që flitnin mirë për klubin e kryeqytetit. Në njëfarë forme, isha me Vokrrin dhe Prishtinën e Ligës së Parë, mbase edhe i pëlqeja, por nuk është se i doja çmendurisht, siç i donin qindra mijëra bashkëkombas të mi atëherë. Mbase, si i ri që isha, ende s’e kuptoja sa e rëndësishme ishte për shqiptarët që një ekip nga Kosova të garonte në kampionatin jugosllav. Dhe të paraqitej mirë, sidomos ndaj ekipeve serbe, si Crvena Zvezda, Partizani, OFK Beogradi, Radniçki, Radi, e ndonjë tjetër. Problemi ishte se unë, në atë kohë, për dreq, nga ekipet e Ligës së Parë pëlqeja Crvena Zvezdën, e cila, matej suksesshëm me ekipet më të mëdha të Evropës si Milan dhe Real Madrid, e ndonjë tjetër aty-këtu. Unë po që kisha qejf kur Prishtina luante mirë, ndonëse rrallëherë kundër Partizanit, por jo edhe kur e mposhtte Zvezdën, 3 me 1, në Beograd. Partizanin e urreja. Dhe doja t’i ndodhte çdo e keqe e mundshme. Por, këtij klubi i ndodhi diçka e bukur, si për inatin tim. Diçka që kishte të bënte me Fadil Vokrrin. Ky, në një fazë të avancuar të karrierës, duhetjtë largohej nga Prishtina. Meqë shihej si një ndër më të mirët në këtë lojë, dhe besohej se raportet e shqiptarëve të Kosovës ishin më të mira me kroatët sesa me serbët, pritej që Vokrri të luante për Dinamon ose Hajdukun, dy ekipe këto nga Kroacia. Ose diku tjerët, jashtë Jugosllavisë. Por, Fadili më pati dëshpëruar. Ai, për arsyet e veta, zgjodhi Partizanin (kam lexuar se e ka bërë këtë për shkak të afërsisë gjeografike të Beogradit e Prishtinës). Ekipin që unë ia doja çdo të zezë. Prandaj, në kohën e tij në Partizan i ndrydha emocionet karshi llapjanit. Futbollisti më i mirë shqiptar nuk duhej, sipas meje, të luante në Partizan (në Zvezdë ndoshta po), me gjithë faktin se këtu edhe para Vokrrit kanë luajtur disa prej futbollistëve më të mirë që ka dhënë Kosova. Inati me të m’u shtua kur mora vesh se ai, pas largimit nga Partizani, e humbi veten në një ekip të kotë nga Franca, që as emrin nuk ia kishim dëgjuar. As shkuarja e mëpasme në Turqi, në Fenerbahçe, nuk ishte kushedi sa më rëndësi për Vokrrin, gjithnjë sipas meje. Vitet më pas nuk ishin kohë futbolli më. Ekzistenca fizike e kosovarëve ishte prioritet para lojës më top këmbe ose dore. Megjithatë, entuziastët e këtij sporti e mbajtën gjallë atë, duke lozur, si tinëz policëve të Serbisë, në ara, livadhe e fusha, nëpër skuta të ndryshme të Kosovës. Për Fadil Vokrrin nuk dëgjova shumë gjatë kësaj kohe. Në mungesë të mjeteve të informimit të kohës nuk raportohej se futbollisti më i mirë shqiptar i Kosovës po bënte ndonjë gjë të madhe. Unë kisha plot arsye për të mos e dashur atë, atëherë. Vokrri u kthye pas luftës. Për shkak të famës e respektit të madh që kishte, i erdhi puna të bëhej kryetar i Federatës së Futbollit. Nga ai pritej shumë në ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar. Ishin disa optimistë të pandreqshëm që besonin se Vokrri, meqë kishte luajtur me Partizanin, do t’i bindte kolegët e tij në krye të Federatës së Futbollit të Serbisë të mos e pengonin rrugëtimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA. Dhe ca tjerë që ngulnin këmbë se gjatë qëndrimit në Francë ai ka bërë kontakte të shumta me zyrtarë sportivë të këtij shteti, të cilët mandej do të lobonin te kreu i UEFA-s, Mishel Platini për t’i thënë po Kosovës. Gjë që nuk po ndodhte. Federata që ai kryeson mbeti ndër të fundit, nëse jo edhe e vetmja, deri para dy jave, që nuk kapi njohjen dhe pranimin nga shtëpitë amë nëpër Evropë e botë. Prapë plot arsye për të mos e dashur Vokrrin. Për një mossukses të tillë duhej dhënë përgjegjësi. Por, ai nuk u tërhoq. As s’u dorëzua. As nuk u përjashtua, pavarësisht kritikave. Bile, fitoi një mandat tjetër si kryetar i FFK-së. Dhe rrinte i qetë. Nganjëherë shfaqej në medie aq i qetë, sa te ndonjë kundërshtar i tij edhe mund të linte përshtypje se nuk po e merrte punën e tij seriozisht. E ky, me gjasë, dinte diçka për të cilën ne nuk kishim haber. Ai sikur kishte vepruar në një stil të vetin dhe punët i kishte vënë në binarë të mirë. Kështu ose ashtu, e dinte se UEFA dhe FIFA s’kanë ku të shkojnë, dhe një ditë do ta pranojnë Kosovën. Kjo ditë vonoi, shumë, por sic thonë, drejtësia vonon, gati gjithmonë, por në fund fiton, pa çare. Doli se Vokrri kishte besuar në drejtësi, fuqishëm. Besimi i tij u kurorëzua më 3 maj. Pavarësisht kundërshtimit të ish-kolegëve të tij, Karaxhiq nga Serbia dhe Saviqeviq nga Mali i Zi, por edhe Zvicrës (të cilën kryetari i FFK-së e kishte amnistuar gjithmonë), UEFA e pranoi Kosovën si anëtare të saj. Vokrri mbase qeshi nga gëzimi, por pak. Dhjetë ditë më vonë FFK u pranua edhe FIFA, si anëtarja e 210 e saj. Votat e marra ishte të pabesueshme, 86 për qind. Ai duhej të qeshte fort, tashti, kur gjithçka mori fund. Nuk e kanë thënë kot; kush qesh i fundit, qesh më së miri dhe më me lezet. Me këtë qeshje të fundit, por më të mirën, Vokrri duhet ta lë këtë punë. Ai, sipas meje, nuk duhet të bëjë edhe një gabim tjetër të quajtur “Partizan”, për ta humbur respektin e madh që ka. Dhe nuk duhet ta bëjë as gabimin që në fakt s’e kishte bërë, duke “kaluar” në Trepcë, moti kohë më parë. Me këtë po them që ai, nëse më dëgjon mua, nuk duhet të synojë ndonjë ekip të madh a të vogël për të drejtuar, se kjo më nuk ka asnjë kuptim. Kam frikë se ai do të njolloset nga mundësitë e mëdha të korrupsionit nëse nuk tërhiqet. Mësimin më të mirë që mund ta marrë ai në këtë aspekt është ai i komandantëve të luftës. Vokrri që unë besoj se duhet të mbetet në kujtesën e përhershme të kosovarëve duhet të jetë ai Vokrri i dy periudhave; superlojtari i Prishtinës i viteve ’80, dhe superkryetari që e anëtarësoi FFK-në në UEFA dhe FIFA. Asnjëherë si Vokrri komandant. Për këto duhet ta nderojë dhe respektojë edhe shteti. Vokrri i tillë duhet të ruhet si një vlerë dhe pasuri e unike për Kosovën. Nëse mbetet kështu, do ta pëlqej dhe ta dua gjithmonë. Mosardhjen në Trepcë dhe shkuarjen në Partizan do t’ia bëj hallall. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.