Epoka Covid - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Epoka Covid

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
30.12.2021 14:08

Secila përpjekje për ta bërë një lloj të analizës rekapituluese të ngjarjeve kryesore politike, ekonomike, financiare në Kosovë, në rajon, në Evropë dhe në Botë, në vitin 2021, duket se çon te i njejti konkludim, pa marrë parasyshë se a kemi të bëjmë me një shqyrtim fare sipërfaqësor, apo, me një tjetër shumë të detalizuar.

Ky vit, pra, i ka të gjitha shenjat e një dymbëdhjetëmuajshi kur janë shfaqur, në formën më të qartë të mundshme, problemet kryesore politike, ekonomike, financiare dhe ambientaliste (gjithsesi), të cilat do të kërkojnë vite të tëra, në mos edhe decenie, për tu adresuar dhe zgjidhur si duhet.

Vetëm dy vjet më parë, në dhjetorin e vitit 2019, dukej që ai drejtimi kryesor i rrjedhës politike dhe historike, është i qartë si këtu tek ne, ashtu edhe në rajon, në Evropë dhe në Botë. Por ja që ra një Pandemi (e Covid-19), dhe rrënoi për toke, si thuhet, gjithë atë siguri dhe stabilitet në të katër anët e Rruzullit Tokësor. Mbase, askush në Botë, në atë fundvitin 2019-të, nuk ka mundur të parashikojë që diçka e tillë do të mund të na ndodhë të gjithëve, dhe që një Rend ndërkombëtarë, në të gjitha dimensionet e veta, do të përmbyset. Teksa poashtu, askush tani, në këto ditët e mbrama të vitit 2021, nuk di edhe sa do të zgjasë kjo Pandemi, cila do të jetë kostoja e tërësishme e viktimave në njerëz, sa do të kushtojë financiarisht ajo, si do të ecin tash e tutje proceset kryesore politike dhe ekonomike ndërkombëtare, etj.etj.

Çfarë mund të thuhet, qysh tash, është që nuk është rendi i kthimit në atë normalitetin e vitit 2019, dhe që supozimet të cilat nisën të qarkullojnë qysh në pranverën e vitit 2020-të, për atë normalitetin e rifituar (brenda disa muajve), dolën të jenë krejtësisht të kota dhe të gabuara.

Ai normalitet ka marrë fund një herë dhe përgjithmonë.
Ky është konkludimi konsensual kudo në Botë.

Ne, pa pritë dhe pa kujtue, në janarin e vitit 2020, kemi hyrë një një Epokë të re, të shkaktuar nga një virus që u shfaq një herë në Kinë (në Wuhan), dhe u shpërnda kudo në Botë.

Kjo është Epoka Covid.
Kjo Epokë, ka burimin e vet kryesor një virus të padukshëm, por konsekuencat e tij janë të shumëfishta dhe të shumëllojshme, dhe ato, nuk kanë mbërri ende fundin e tyre, apo, Lista e të gjitha pasojave do të mund të përmbyllet vetëm atëherë, pas shumë viteve, (apo edhe decenieve), kur do të hymë, të gjithë ne, në një periudhë të re historike dhe politike.

Aktualisht, si këtu te ne në Kosovë, ashtu edhe në Evropë, ende jemi në atë Fazën e emergjencës shëndetësore, kësaj here të shkaktuar nga Varianti më i ri i virusit, i pagëzuar në fillim të muajit dhjetor si Omicron. Ky tash ka përmasat e një Cunamit, që me gjasë, do të shtrihet me të shpejtë, në gjithë Botën, megjithë sukseseve të para në imunizimin e popullatës në shumë shtete të Botës, duke përfshirë edhe Kosovën, e cila në këtë aspekt, muajve të fundit është shembull për të mirë.

Shtetet e Evropës sërish po mbyllen, në vijim të kësaj Vale të pestë të Pandemisë, dhe kudo po përsëriten ato skenat e vitit të kaluar, të karantinimit të hapësirave të gjëra gjeografike.
Qytetarët e thjeshtë kudo në Botë, janë të lodhur, të mërzitur, të frustruar me këtë Pandemi, por edhe me të gjitha pasojat e saj, teksa kanë nisur disi të mësohen me një bindje që ndoshta për vite të tëra, do të ndodhë ky ballafaqimi i vazhdueshëm me këtë virus, pa një epilog të qartë, pa një fitore të pastër.
Na kujtohet që po këto vlerësime mbizotëronin kur pas 11 shtatorit të vitit 2001, flitej për epilogun e luftës kundër terrorizmit si kërcënim global.
Viti që po e lëmë pas solli një Administratë të re në Amerikë, të Presidentit Biden, pas fitores së tij në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar në atë dyluftimin e madh me ish-Presidentin Trump.

Çfarë dëshmuam të gjithë gjatë këtij viti është që edhe në këtë aspekt, të mëkëmbjes së demokracisë në Amerikë dhe në Evropë, të rivendosjes së Partneritetit trans-atlantik, të përballjes me sfidën ruse dhe kineze për Perëndimin në përgjithësi, njësia matëse kohore për trajtimin dhe zgjidhjen e këtyre çështjeve, do të jenë vitet e jo muajtë, siç është besuar dhe menduar prej optimistëve në Evropë dhe në Amerikë.

Jetojmë pra, në përgjithësi, në një Epokë të çrregullimeve të mëdha politike, ekonomike, financiare, sociale, të cilat vetëm sa kanë marrë hov në vitin 2021.

Kështu, me siguri do të jetë edhe në vitin e ardhshëm 2022.

lajme të ngjashme