9:17, 11 Maj 2020 Autor: Rana Foroohar

Gjithmonë befasohem se sa lineare janë shumica e mendimeve ekonomike.

Ekonomistët mbajnë një qëndrim të prerë mbi një çështje të caktuar – tregtia e lirë ose po funksionon, ose nuk po funksionon, rregullimi ose është i nevojshëm ose nuk është i nevojshëm – dhe refuzojnë të dalin nga “bota” e tyre, edhe kur bota e vërtetë rezulton të jetë një vend i çrregullt dhe kompleks.

Edhe profesioni tyre për fat të keq nuk është aq i ndryshëm. Është e vërtetë se që nga kriza financiare e vitit 2008 ne kemi lëvizur nga nocioni neoklasik, se dora e padukshme ka gjithmonë të drejtë, në një botë në të cilën edhe ekonomistët kanë filluar të marrin në konsideratë paragjykimet njerëzore, politikën dhe realitetin institucional, kur hartojnë modelet e tyre.

Covid-19 po i zbeh nga sytë tanë supozime të tilla. Qoftë edhe duke dhënë një mesazh të rëndësishëm, që politikëbërësit duhet ta dëgjojnë.

Nëse profesioni i ekonomistit do që të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve globale, duke filluar që nga pandemitë dhe ndryshimi i klimës, e deri në pabarazinë shoqërore – ekonomistët duhet të mos përqëndrohen vetëm në skajet e modeleve të tyre, dhe të mendojnë jashtë skemave.

“Këto lloje fenomenesh nuk funksionojnë kështu”, thotë William Hines, kreu i një njësie të OECD, të quajtur Qasje të Reja ndaj Sfidave Ekonomike, e ngritur në vazhdën e krizës financiare, për të studiuar se si të bëhet politikëbërja më e mirë brenda sistemeve komplekse.

“Pandemitë nuk janë lineare – ato janë eksponenciale. Kur gjërat shkëputen nga pista, ato jo gjithmonë kthehen në një gjendje të qëndrueshme. Po flasim për sisteme komplekse”.

E njëjta gjë vlen për mjedisin, populizmin ose sistemin financiar dhe natyrisht ekonominë globale.

Një nga idetë më jashtë normales: Të imagjinosh se si do të përfundojë Covid-19 – dhe si mund të shpalosen borxhet e korporatave ose politikat monetare dhe fiskale – do të kërkojë shumë mendime krijuese dhe komplekse, “jashtë skemave”, dhe jo modele që i shohim në shkencën e përditshme ekonomike. Efikasiteti është homogjen. Maksimumi i fitimit dhe “vlera” e aksionerit janë koncepte relativisht të thjeshta për t’u kuptuar, edhe nëse ato krijojnë shumë rreziqe të fshehura.

Ekonomistët që duan të ndihmojnë për të zgjidhur problemet e botës duhet të përqafojnë larminë dhe kompleksitetin. Profesioni i ekonomistit, megjithë disa përpjekje drejt diversitetit, është ende bardhë e zi në të menduarit e tij, siç janë edhe politikanët.

Ekonomistët nuk duhet të flasin vetëm me kolegët dhe homologët në anën tjetër të spektrit ideologjik, por edhe me ekspertë të fushave të ndryshme si biologë, ambientalistë, ekspertë të mbrojtjes, inxhinierë – madje edhe me njerëz të thjeshtë. / FT – Bota.al

Lajme të tjera