Edhe ora e prishur e tregon kohën e saktë, por vetëm dy herë në ditë 123 string(12) "Ardian Gjini" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/11/Ardian-Gjini.jpg" nga Ardian Gjini 02.11.2015 10:34 02.11.2015 10:34 Janë dy të vërteta të pamohueshme të cilat qeveritë e Kosovës, edhe kjo e tashmja edhe ajo e kaluara, i përdorin për të mbuluar gjithçka. E para është se Kosova nuk do të ishte as e lirë e as e pavarur pa ndihmën e miqve. Para së gjithash dhe mbi të gjitha pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe pa vendet tjera anëtare të paktit NATO. Kjo e vërtetë duhet të përsëritet vazhdimisht, sa të jetojë Kosova dhe sa të jetojnë shqiptarët. Duhet të përsëritet pa bërë fare politikë. Aq sa është e rëndësishme të përsëritet nga udhëheqësit politikë dhe ata jopolitikë, është e rëndësishme të përsëritet në tekstet shkollore dhe të elaborohet në studimet universitare. Por nëse i shikojmë librat e historisë, që nga shkolla fillore e deri në universitet, nëse e shohim numrin e librave të publikuar pas luftës, e vërejmë një diskrepancë të çuditshme. Në diskursin politik kjo përsëritje duket e tepruar ndërsa në librat shkollorë, universitarë dhe publicistikë, e pamjaftueshme. Kjo ndodh sepse të njejtit njerëz i dominojnë edhe shkruesit e historisë edhe politikën. Dhe e gjitha ndodh kryekëput për arsye politike afatshkurtëra. Teprimi në diskursin publik politik ndodh për t’u mbështetur dhe për t’u fshehur prapa miqve të fuqishëm të Kosovës për të gjitha dështimet dhe të metat qeverisëse, ndërsa mungesa e artikulimit më të shpeshtë dhe më të qartë në libra ndodh me qëllim të vjeljes së meritave të lirisë dhe pavarësisë. Kjo është një nga arsyet e rëndësishme pse po hasim në probleme të cilat vetëm para pak vitesh kanë qenë vështirë të imagjinueshme për Kosovën. E vërteta e dytë, e dyzuar, e cila poashtu përsëritet periodikisht dhe me frekuencë të shtuar sa herë që ka probleme immediate është se “pa bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare nuk do të ketë përparim të Kosovës drejt Unionit Evropian, e integrimi në strukturat evroatlantike është rruga e vetme e Kosovës”. Secila pjesë e kësaj të vërtete të dyzuar është absolutisht e vërtetë, poaq sa edhe lidhja në mes tyre. Sidoqoftë, ndjehet një defekt dhe duhet përdorur një koncept matematikor për ta shpjeguar defektin. Ai koncept thotë se “bashkëpunimi me bashkësinë ndërkombëtare është kusht i domosdoshëm por jo i mjaftueshëm për integrimin e Kosovës në strukturat evroatlantike”. Nëse kjo formulë e huazuar matematikore është e vërtetë, e unë besoj se është, atëherë prapë kemi të bëjmë me fshehje prapa një të vërtete thuajse absolute, për të ikur nga përgjegjësia për dështimet dhe të metat… kryekëput për arsye politike afatshkurtëra. Janë të pavlefshme “frazimet” evroatlantike nëse nuk përcillen me sjellje institucionale dhe njerëzore të cilat e afrojnë Kosovën me cakun. Kur demokracia dhunohet me vjedhje e blerje të votave; kur pushteti politik ‘konsolidohet’ me punësim të militantëve politikë pa asnjë vlerë profersionale dhe kur distribuimi i të mirave të përbashkëta ndodh në baza politike e rajonale, frazat bëhen të pavlera. Aq më keq, edhe esenca bëhet e diskutueshme në sytë e publikut. Kur, përkundër premtimeve, bordet e ndërmarrjeve publike vazhdojnë të politizohen; kur administrata vazhdon të rritet pa nevojë dhe pa asnë kriter profesional; kur, sa herë ‘rrezikojmë’ zgjedhjet premtohen rritje të pagave e pensioneve, ndërsa sapo ‘rreziku’ kalon harrohen premtimet; kur ekonomia rritet vetëm në letrat e qeverisë e kurrsesi në shportën e qytetarit; frazat bëhen plotësisht të pavlera dhe, në sytë e publikut, edhe esenca… Kur institucionet e sundimit të ligjit shëndërrohen në instrument të politikës; kur ndërmarrësit nuk kanë rrugë tjetër veprimi përpos duke korruptuar dhe duke u korruptuar; kur menaxhuesit e parasë publike bëhen më të pasur se ndërmarrësit; kur më shumë se gjysma e titujve akademikë janë fals; frazat bëhen… Edhe ora e prishur dhe e ndalur, dy herë në ditë, për nga një çast, e tregon kohën e saktë. Por ajo është e pavlerë gjatë gjithë kohës tjetër dhe logjikisht se ne nuk e shikojmë fare, deri sa ta rregullojmë.