Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

E vërteta për Planet e NATO-s për Kosovën në vitin 1999

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 19.10.2022 15:43

Në konferencën për shtyp të mbajtur javën e kaluar në Beograd, pasiqë u kthye nga Samiti i parë i Komunitetit politik të Evropës të mbajtur në Pragë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, u shfaq para mediave, siç u shpreh ai, me një deklaratë shokuese dhe krejtësisht të panjohur deri tash.

Lideri serb u shpreh në këtë mënyrë: ‘Viktor Orban  (Kryeministri i Hungarisë), ma ka pranuar këtë fakt, dhe ma ka dhënë lejen për të folur për këtë punë. Prej Orbanit, Bill Clinton  (Presidenti i SHBA-së në atë kohë, vër.ime), ka kërkuar që ta sulmojnë Serbinë, por Orban kishte refuzuar këtë kërkesë. Gerhard Schroder  (Kancelari i Gjermanisë në atë periudhë, vër.ime), i kishte ndihmuar Orbanit që ta zbraps këtë presion  (të Clintonit).

Më vonë, ai (Orban), do të takohej në Londër ne Tony Blairin  (Kryeministrit e Britanisë së Madhe në atë kohë, vër.ime), dhe me Margaret Thatcherin  (ish-Kryeministret Britanike). Thatcher, e kishte qortuar Orbanin, sepse për shkak të këtij qëndrimi të tij, më shumë ushtarë britanikë do të vriteshin  (në një luftë eventuale tokësore, vër.ime)’.

E gjithë kjo deklaratë e Vučićit, ka të bëjë me pranverën e vitit 1999, kur Aleanca Veri-Atlantike kishte ndërmarrë fushatën ajrore për imponimin e paqes në Kosovë, për ndaljen e tentimit të pushtetit të atëhershëm të Serbisë për ta bërë gjenocidin në Kosovë, dhe për shpëtimin e popullit shqiptar në Kosovë.

Thirrja në Orbanin i është dashur Vučićit, pa kurfarë dyshimi, për ta fajësuar sërish Bill Clintonin dhe Paktin NATO për luftën e bërë për Kosovën në vitin 1999.

Por, sa është e vërtetë kjo deklaratë e Presidentit të Serbisë?

Duket që e vërteta e vetme ka të bëjë me faktin që Viktor Orban në atë kohë, pra në vitin 1999, dhe sot, pra, në vitin 2022, është Kryeministër i Hungarisë.

Asgjë tjetër në këtë prononcim të Presidentit Vučić nuk ka të bëjë gjë me të vërtetën.

Hungaria e atëhershme, në muajin mars të vitit 1999, së bashku me Poloninë dhe Republikën Çeke, ishte bërë anëtare e Aleancës Veri-Atlantike, në valën e parë të zgjerimit të Paktit NATO, përkundër kundërshtimeve të Federatës së Rusisë, e cila udhëhiqej nga Presidenti Boris Yelstin.

Flamuri i Hungarisë ishte ngritur i pari në këtë ceremoni, teksa i pranishëm në Bruksel, para selisë së Aleancës Veri-Atlantike ishte vet Viktor Orban.

Lidershipi i Hungarisë e kishte pritur me entuziazëm hyrjen e Hungarisë në NATO, sepse nuk kishte besuar që diçka e tillë do të ndodhë fare, kur diheshin qëndrimet e Moskës zyrtare.

Vetëm pak ditë pasiqë këto tri shtete të ish-kampit komunist, u bënë shtete anëtare, me një konsensus të plotë në vendimmarrje, Javier Solana, Sekretari i Përgjithshëm i Paktit NATO, pati dhënë urdhërin për sulm ajror të avionëve të Aleancës.

As atëherë dhe as në vitet më pas, nuk ka pasur deklarata të prijësve hungarez të atij viti, që Budapesti zyrtar është penduar për këtë akt të Paktit NATO.

Hungaria ka qenë shtet anëtar i Aleancës. Nuk ka mundur të ketë farë kërkese të veçantë të Presidentit Clinton (por as të kujdoqoftë në kreun e NATO-s), që forcat ushtarake të Hungarisë ta sulmojnë Serbinë kah kufiri jugor i tyre  (apo, kah kufiri verior i Serbisë).

Sulmi i tillë ka mundur të bëhet vetëm nga trupat tokësore të Paktit NATO, ku s’do mend që SHBA-ja dhe Britania e Madhe do të ofronin pjesën më të madhe të këtyre forcave.

Është e vërtetë që në muajin maj, fillimi i qershorit të vitit 1999, kur në Washington, Londër dhe në kryqendrat e tjera perëndimore, ka pasur hezitime për efektet e Fushatës ajrore të Aleancës, (apo për mundësitë që Serbia e Slobodan Miloševićit të dorëzohet dhe t’i pranojë kërkesat e Grupit G7 dhe Rusisë për mbarimin e luftës në Kosovë), kishin nisur të hartoheshin planet për një invazion eventual tokësor për ngadhnjimin ushtarak të këtë luftë.

Kanë qenë dy lloj planesh në këtë aspekt.

Sipas të parit, trupat e Paktit NATO do të hynin në territorin e atëhershëm të RFJ-së  (Republikës Federale të Jugosllavisë), kah veriu i Serbisë, apo, kah Vojvodina, përmes Hungarisë.

Megjithë përparësive të shumta që kishte ky Plan, sepse dihej supremacia në armatim e NATO-s ndaj Ushtrisë së Jugosllavisë, ky variant u pati braktisur, sepse ai nënkuptonte që realisht, lufta në Kosovë të ndalej përmes ndërhyrjes territoriale në Serbi, e cila nuk do të ndalej dot, pa ndryshimin e regjimit në Beograd.

Por, po të merrej ky vendim, Orbani dhe Qeveria e atëhershme e Hungarisë, pa një, pa dy, do të pajtohej me Vendimin e Aleancës.

Plani i dytë, ai i cili u pati miratuar në atë kohë, për ndërhyrjen eventuale tokësore, ka nënkuptuar një përqëndrim masiv të forcave të Paktit NATO në territorin e Shqipërisë, dhe hyrjen në Kosovë përmes kufirit të Shqipërisë me Kosovën.

Siç dihet prej të gjithë neve  (e edhe prej Presidentit të Serbisë), nuk pati nevojë kurrë për një invazion të tillë tokësor  (i cili ka pasur të fillojë tek në shtatorin e atij viti), sepse Milošević pranoi Propozimin e G7-të dhe Rusisë, të prezentuar në Beograd prej Presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaarit dhe ish-Kryeministrit të Rusisë, Viktor Chernomyrdin.

Kjo është e vërteta për pranverën e vitit 1999. Nuk ka tjetër.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme