Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

E panjohura e padurueshme  

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 30.11.2021 08:52
Blerim-Shala

Çka na bën neve bashkë? Cila ide, cila ndjenjë, cili shqetësim, cila dëshirë, cili vullnet, cili  interes, cili motiv, cili synim? 

Si qytetarë të shtetit të Kosovës.  

Këtu mund të rreshtohen edhe shumë pyetje të tjera. 

Ka shumë pyetje të këtilla, por përgjigjja është pak a shumë e ditur për të gjithë ne. Pakçka na bën bashkë. Në mos asgjë.  

Si kemi arritur këtu, është një histori e gjatë, me të cilën thuaja askush nuk dëshiron të  merret. 

Por ja që pak ditë më parë, një ngjarje e rëndë, tragjike, na bashkoi të gjithë neve, në atë  ndjenjën e dhimbjes së madhe, të një solidariteti shpirtëror, të një frike për burimet e vërteta  të këtij krimi. 

Bëhet fjalë për vrasjen e trefishtë në fshatin Gllogjan të Deçanit.  

Gllogjani, si një vendbanim i cili e ka përjetësuar veten në atë Hartën e gjeografisë së luftës  për çlirimin e Kosovës, dhe në atë rrjedhën e historisë që na bën të gjithëve krenarë, kësaj  here, duket se mund të shërbejë si një këmbanë alarmi. 

Në mesin e tri viktimave të këtij sulimi me armë zjarri në një autobus, ishin edhe dy të ri  shtatëmbëdhjetë vjeç. 

Një djalë dhe një vajzë. Te dytë të lindur pas luftës, në një Kosovë të lirë, pak vjet para se  Kosova të bëhej shtet i pavarur. 

Ata kanë dëgjuar prej familjarëve të tyre për luftën, kanë lexuar se çka ka ndodhë krejt në  ato dy vitet tragjike, kanë marrë pjesë, me siguri, në përvjetorët e shpërthimit të luftës në  Gllogjan dhe në Dukagjin. 

Teksa janë vrarë, në një mbrëmje nëntori, duke u kthyer në shtëpi prej shkollës. Kosova, si shoqëri dhe si politikë, ka barrë të mjaftueshme për të bartur, ka sprova sa të  duash për tu përballur me to, ka telashe të gjithëfarshme, prandaj, nuk i duhet fare një tjetër  barrë e rëndë, çfarë është kjo vrasje. 

Dhimbja e të gjithëve, kësaj here ishte e sinqertë, e mirëfilltë. Natyrisht, mënyra se si e  shprehim ate, ngërthen në vete atë aspektin fare njerëzor, pastaj ate politik, dhe gjithsesi,  ate të sigurisë. 

Çka nuk kemi parë dhe çka nuk kemi përjetuar në Kosovë viteve të fundit. Megjithatë, ky  rasti i Gllogjanit është, me gjasë, i veçantë, edhe në një aspekt shumë specifik. Vet akti i  vrasjes, i këtij krimi, bartë në vete shumë të panjohura, të cilat shpërthejnë nga pyetja: Kush  vret fëmijët kështu?  

Shoqëria kosovare, në përgjithësi, nuk dëshiron të ketë punë me të panjohurat të cilat janë  burim shqetësimesh të nduarnduarta. Qytetarët e Kosovësi, duan ta dinë se ku e ka vendin  shteti i tyre në Evropë dhe në Botë. Nuk e kuptojnë pse vetëm ata janë të privuar nga e  drejta për të udhëtuar lirshëm, pa viza në Evropë. Nuk e kuptojnë as se si është e mundur  që 22 vjet nga përfundimi i luftës, ende nuk po u lejohet që të merren me të tashmen dhe  të ardhmen e tyre, por po mbesin pengji të një historie të rëndë të fundviteve të nëntëdhjeta.

Nuk e kuptojnë poashtu pse dialogu me Serbinë nuk ka marrë fund me një Marrëveshje për  njohjen reciproke.  

Megjithatë, kjo e panjohura e fundit, që u shpërnda në të katër anët e Kosovës me krismat  e plumbave në pushkës AK-47, duket se është më e padurueshmja. Sepse secili prind, dhe  secili i ri, në këtë vend, e ka vënë veten këto ditë në vendin e prindërve dhe të familjarëve  të këtyre dy të rinjëve. 

Rëndë. Tepër rëndë. Për të folur apo për të shkruar për këtë ngjarje, e lëre më për ta  përjetuar. 

Sa më gjatë që mbetet kjo e panjohur, do të jetë më keq për të gjithë ne. Sepse, pos tjerash,  nuk e dimë çka mund të na pret tash e tutje. Si shoqëri, si vend. 

Zbardhja e të vërtetës në këtë rast, e cila me siguri që do të përcjellej me ndëshkimit e  krimit dhe të autorëve të vrasjes, është mbi të gjitha obligim moral ndaj familjeve të  viktimave në Gllogjan, por edhe detyrim ligjor dhe politik ndaj të gjithë neve. 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme