Dyluftimi i pafundmë politik i Serbisë 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 10.04.2021 14:36 10.04.2021 14:36 Në fund të serialit pesë-pjesësh ‘Porodica’ (‘Familja’), të emituar këto ditë në RTS (Radio Televizionin Publik të Serbisë), Zoran Đinđić, Kryeministri i Qeverisë së Serbisë, të cilin e luan Uliks Fehmiu (i biri i Bekim Fehmiut, aktorit të madh shqiptar), u drejtohet bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë me një fjalë rasti, të cilën ky, njëmend e ka thënë, por në rrethana të tjera. Đinđić, i cili që nga dita e parë e tij në krye të Qeverisë së Serbisë (në vitin 2001), me ngulm mundohej që ta dobësonte një herë, e pastaj, edhe ta zhbënte (mundësisht), atë lidhjen e fortë e politikës dhe historisë serbe, duke u marrë me të një të ardhme krejtësisht ndryshe, evropiane dhe perëndimore të saj, fjalën e tij këtu, e përfundon me porosinë e qartë: ’Ejani të mos mendojmë se çka do të bëhet me ne në vitin 2002, por në vitin 2052, kur më nuk do të jemi të gjallë…’. Pasiqë e kryen këtë adresim në Zyren e tij si Kryeministër, në këtë serial, Đinđić zhduket diku, dhe karriga e tij mbetet e zbrazët, si një gjetje domthënëse dhe e qëndrueshme e skenaristit dhe regjisorit të serialit ’Porodica’, Bojan Vuletićit, për të paralajmëruar vrasjen e tij që do të ndodhë gati dy vjet më vonë, me 12 mars të vitit 2003, në hyrje të ndërtesës së Qeverisë. Historia e Serbisë, të cilën ky dëshironte ta shmangte, ta linte prapa, do ta mbërrinte në këtë mënyrë Đinđićin përmes një komploti të përgatitur mirë, dhe të ekzekutuar nga pjesëtarët e JSO-së (Njësisë për operacione speciale), që ishte themeluar dhe që kontrollohej nga pushteti i Serbisë. Kjo Njësi që kishte bërë krime lufte në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë, që nga viti 1991 deri në vitin 1999, e rrumbullakësoi kështu rrugëtimin e saj duke vrarë Kryeministrin e Serbisë, në vitin 2003. Seriali ’Porodica’ e Bojan Vuletićit mirret me 48 orët e fundit në liri të Slobodan Miloševićit, ish-Presidentit të Serbisë, ish-Presidentit të RFJ-së dhe Liderit serb (në vitet 1987-2000), në fundmarsin e vitit 2001, para se fillimisht të burgosej nga autoritetet e atëhershme serbe (të prira nga Kryeministri Đinđić), për korrupsion dhe krim, teksa pak muaj më parë, me 28 qershor të vitit 2001, ai do të ekstradohej në Hagë, për tu ballafaquar me drejtësinë ndërkombëtare të Tribunalit të Hagës (ICTY). Milošević ishte akuzuar fillimisht, në fund të mujit maj të vitit 1999-të, nga Kryrprokurorja e këtij Tribunali, Louise Arbour, për krimet e bëra në Kosovë. Pastaj, Aktakuza ndaj tij do ta përfshijë edhe rolin e tij në krimet në Kroaci dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Kjo drejtësi asnjëherë nuk u përmbush, sepse Milošević do të vdesë në qelinë e tij në burgun e këtij Tribunali, me 11 mars të vitit 2006. Milošević dhe familja e tij, siç na dëftohet edhe në këtë serial televiziv, jetonin në një Rezidencë të madhe të pagëzuar ’Mir’ (’Paqja’), teksa gjithë Bota e lume e njihte si përgjegjësin kryesor për katër lufërat e bëra në hapësirat e ish-RSFJ-së, në harkun kohor 1991-1999. Zoti i luftës, ’Kasapi i Ballkanit’ (siç ishte cilësuar nga mediat kryesore perëndimore), së bashku me gruan e tij, dhe familjen më të ngushtë, nuk është dot në gjendje, siç na rrëfehet në këtë serial, të kuptojë se çka e ka gjetur, se ka humbur si lider politik (një herë e përgjithmonë), se po e pret burgu dhe ndëshkimi, një herë në Beograd, e më pas në Hagë. Apo ai, siç del edhe në serialin ’Porodica’, dhe siç ka bërë gjatë gjithë gjykimit të tij në Tribunalin e Hagës, vazhdon ta luajë rolin e tij të liderit serb, i cili një herë si politikan, duhej ta përmbushte misionin e një historie të shpjeguar dhe të kuptuar mbrapsht, krejtësisht mbrapsht (sipër një Miti për betejën e humbur në Fushë Kosovë, në vitin 1389-të), e pastaj, nga banka e të akuzuarve në Hagë, duhej ta siguronte vendin e tij në historinë e re të Serbisë, duke e mbrojtur deri në fund politikën e tij dhe të shtetit të Serbisë. Autori i serialit, Bojan Vuletić, nuk e ka pagëzuar rastësist ate si ’Porodica’. Familja e Slobodan Miloševićit, nuk është e vetmja që shfaqet para shikuesve të këtij seriali. Aty është një familje refugjatësh nga Knini (Kroacia), të ikur nga lufta. Tutje është një familje të cilën e përbëjnë gjyshja dhe nipi. Tutje, kemi edhe familjen mediatike, në një redaksi televizive. Më në fund, është edhe ai grupi i ngushtë i bashkëpunëtorëve të Kryeministrit Đinđić, i cili funksionon, në këto rrethana kur përgatitet arrestimi i Miloševićit, si një familje. Rrëfimi i secilës prej këtyre familjeve veç e veç, bashkohet në këtë kallëzimin për një shoqëri, për një shtet, për një epokë, për një tragjedi e cila nisi nga Beogradi dhe u kthye në Beograd. Vuletić, për ta bërë të plotë këtë serial, për ta pasuruar dhe kuptimësuar ate, dyzon me rrjedhën artistike edhe pamjet e fjalimeve më të njohura të Miloševićit (ku i pashmangshëm është ai i mbajtur në Gazimestan, me 28 qershor të vitit 1989, kur ishte në kulminacionin e pushtetit dhe të fuqisë së tij, duke iu drejtuar qindra mijëra serbëve të mbledhur në këtë vend), pastaj, tabllot e protestave kundër tij në Beograd, të luftërave në hapësirat e ish-RSFJ-së, duke e përfshirë, edhe përmbajtjen e një Letre të cilën atij ia kishte drejtuar, pas demonstratave të opozitës serbe në Beograd, në marsin e vitit 1991, Ivan Stambolić, ish-Kryetari i Serbisë, i cili kishte humbur luftën politike me te në vitin 1987, teksa në vitin 2000 do të likuidohej nga ajo Njësia JSO, me urdhër të vet Miloševićit dhe gruas së tij. Në këtë letër, Stambolić e fton Miloševićin që të jep dorëheqja nga posti që kishte atëherë (Kryetar i Serbisë), sepse ’Vetëm përmes një dorëheqje të parevokueshme, do të mund t’i bindësh bashkëqytetarët e tu dhe gjithë Botën që nuk ke dashtë që Kosovën ta bësh një apart-hejd ballkanik, Jugosllavinë një rrënojë dhe Serbinë një martire të braktisur.’ (citat nga kjo Letër). E vërteta për Stambolićin do të zbardhet vetëm pas vrasjes së Đinđićit, (në vitin 2003), e cila vrasje do ta shfaqë, në mënyrën më brutale të mundshme, disfatën e Kryeministrit të Serbisë për ta ndryshuar rrënjësisht Serbinë dhe politikën e saj, për ta shënuar atë ngadhnjimin e të ardhmes së mirëfilltë të një shoqërie ndaj një historie të mashtrimeve dhe gabimeve të mëdha. Milošević, dhe ajo politika dhe shoqëria serbe e cila e kishte krijuar ate, në këtë mënyrë do t’i hakmirrej Đinđićit. Historia serbe do të fitonte dyluftimin me Ardhmëninë. Çfarë kuptohet në serialin ’Porodica’ është që në Serbi, realisht, nuk ka ndodhur fare ai ’Revolucioni demokratik’ i 5 tetorit të vitit 2000, por që atë ditë, në Beograd ka pasur grushtshtet dhe rrëzim të Miloševićit, dhe të askujt tjetër. Kjo zatën ka mundur të kuptohet edhe nga libri i Srđa Popovićit, avokatit dhe intelektualit të shquar serb, të titulluar ‘One gorke suze posle’ (‘Ata lotët e hidhur më pas’). Popović, i cili pos tjerash, ka qenë përfaqësues i familjes së Kryeministrit të vrarë Đinđić, në gjykimin kundër vrasësve të tij, në këtë libër na tregon që me 5 tetor të vitit 2000, ka pasur një lloj të simulimit të Përmbysjes revolucionare të një regjimi, ndërsa realisht, thuaja asgjë nuk kishte ndryshuar kur bëhej fjalë për levat kryesore të pushtetit në Beograd, të cilat kishin mbetur në duartë e përkrahësve të Slobodan Miloševićit. Në të vërtetë, sipas Popovićit, ky pushtet vet e kishte ndërruar Miloševićin, për ta ruajtur disi Projektin politik serbomadh, dhe për ta pamundësuar lidhjen e njëmendtë të Serbisë me Evropën dhe me Perëndimin. Milošević ishte bërë pengesë për ta mbajtur gjallë këtë Projekt, teksa zëvëndësimi për te do të gjindej në Vojislav Koštunicën, Presidentin e ri të RFJ-së (Republikës Federative të Jugosllavisë), i cili në emër të opozitës serbe do ta fitonte garën zgjedhore ndaj Miloševićit në muajin shtator të vitit 2000. Kur Boris Trajkovski, Presidenti i atëhershëm i Maqedonisë ( cili më pas do të vdes në një aksident ajror), do të takohej me Bernard Kouchnerin, Kryeadministratorin e parë ndërkombëtarë të Kosovës, ai do të pyetej prej Shefit të UNMIK-ut se a kishte në të vërtetë dallim në mes të Vojislav Koštunicës dhe Slobodan Miloševićit. Përgjigjja e Trajkovskit meriton të kualifikohet si antologjike. Ai do t’i thoshte Kouchnerit që dallimi në mes të Koštunicës dhe Miloševićit, është po ai si në mes të Coca Cola-s dhe Pepsi Cola-s. Zatën, çfarë është kuptuar pas 5 tetorit të vitit 2000, më së shumti prej vet Đinđićit, ishte që në të vërtetë puna më e vogël ka qenë heqja e Miloševićit prej detyrsë së Presidentit të RFJ-së. Ndryshimi i pushtetit në Serbi, si i tillë, doli të jetë shumë më i vështirë. Ndërsa ’Mision e pamundur’, i cili atij do t’i kushtonte me jetë, ishte ndryshimi i Sistemit të vlerave politike dhe shoqërore të krijuara me decenie dhe më gjatë në shoqërinë dhe në politikën serbe. Në librin e tij ‘One gorke suze posle’, avokati Srđa Popović, në disa raste pohon që në politikë serbe, tash e dy shekuj, pa marrë parasyshë a bëhet fjalë për Monarkinë apo Republikën (e Serbisë), apo, për Komunizmin dhe Demokracinë (e Serbisë), në vazhdimësi ndodhë përplasja midis dy rrymave politike (dhe jo vetëm politike), ku njëra është pro-evropiane (dhe properëndimore), e tjetra është anti-evropiane, klerikale dhe pro-ruse. Duket që ky vlerësim dhe ky kategorizim i Srđa Popović i politikës serbe është në fuqi edhe sot e kësaj dite.