Dushi i ftohtë pas Këmbanave të alarmit 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 14.05.2022 10:35 14.05.2022 10:35 Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i BE-së: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është Bashkimi Evropian. Emmanuel Macron, President i Francës: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është Bashkësia politike evropiane. Olaf Scholz, Kancelari i Gjermanisë: Ballkani Perëndimor ka perspektivë evropiane. Këto tri deklarata janë dhënë këto ditët e shkuara, në rrethana të ndryshme, por me qëllime të njejta, apo, për të artikuluar politikën e Bashkimit Evropian karshi synimeve të njohura të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të Ukrainës dhe Gjeorgjisë, për tu bërë pjesë përbërëse e BE-së. Borrell e pati këtë porosi në darkën me liderët e WB6. Zatën, ai, me këtë detyrë dhe mandat që ka, nuk mund të ketë një mesazh tjetër. Po të ishte ndryshe, pse do të ftonte në darkë kryepolitikanët e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Por, teksa Borrell e di goxha mirë se çka duhet të bëjë BE-ja në të ardhmen, ai nuk ka fare fuqi që ta imponojë Agjendën e zgjerimit të BE-së kah Ballkani Perëndimor, teksa rasti i Ukrainës është rast në vete që nuk e di kush se si do të përfundojë, për shkak të luftës së Rusisë kundër një shteti sovran. Në anën tjetër, Emmanuel Macron, Presidenti i Francës, ka fuqi dhe ndikim politik n BE, teksa ky ato po i përdorë për qëllimet e veta, të cilat njohin rëniet dhe ngritjet e shumta në katër vitet e fundit, kur flitet për raportin e Parisit ndaj Projektit të zgjerimit të BE-së kah Jug-lindja e Evropës, edhe kur trajtohet tema e rolit të Aleancës Veri-Atlantike për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës. Macron iu kthye Propozimeve të tij të veçanta për marrëdhëniet e BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe me Ukrainën, pak ditë pasiqë fitoi mandatin e dytë pesëvjeçarë presidencial në Francë. Ai, të hënën e kaluar, (me 9 maj pra, në Ditën e Fitores në Luftën e Dytë Botërore), lansoi këtë Propozimin e tij për themelimin e një Bashkësie politike evropiane, përmes të së cilës, do të krijohej një Forum i veçantë për bashkëpunimin në mes të BE-së me shtetet e tjera evropiane, procesi i anëtarësimit të të cilave në BE, sipas tij, do të merr shumë vite, ndoshta edhe decenie të tëra. Për më shumë, në këtë Bashkësinë politike evropiane do të mund të merrnin pjesë edhe shtetet që nuk janë më në BE (aludimet ishin të qarta për Britaninë e Madhe). Përmes këtij Forumi të ri, sipas Macronit, do të forcohej ‘arkitektura e sigurisë në Evropë’, pastaj, do të mund të shënohej një përparim evident në kooperimin në fushën e energjisë, të kulturës, etj, etj. Në anën tjetër, Olaf Scholz, Kancelari i Gjermanisë, me prononcimin e tij, duket që dëshiroi ta gjejë një rrugë të mesme, duke pohuar, pa bërë një zotim më të qartë, se shtetet e Ballkanit Perëndimor do të hyjnë në BE (dikur). Qëndrimet e Macronit, pa kurfarë dyshimi, kishin formën e një ‘dushi të ftohtë’ për Ukrainën, në radhë të parë, teksa gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, tash e katër vjet janë mësuar me këtë ‘trajtimin shëndetësor dhe politik’ (me ‘dush të ftohtë’), të Presidentit të Francës. Ideja e tij për Bashkësi politike evropiane është aktualisht (së paku), e përgjithësuar dhe e padetalizuar. Por çfarë është goxha e qartë është që Macron synon t’i shmanget çfarëdo zotimi si lider i Francës në ‘frontin e zgjerimit’ të BE-së, vetëm pak javë pasiqë në Bruksel, pas agresionit ushtarak të Rusisë mbi Ukrainbën, u shfaqën ‘Këmbanat e alarmit’ për pasojat për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, në vijim të kësaj politike të re ekspanzioniste të Rusisë. Ukraina po mbahet goxha mirë në luftën me Rusinë (më mirë se sa që kanë pritur edhe optimistët më të mëdhenj), zgjedhjet u fituan prej tij në Francë, prandaj, Macron edhe mund t’i kthehet qasjes së tij politike e cila ofron zëvendësimin e një procesi të mirëfilltë të integrimit të shteteve pretenduese për anëtarësim në BE, me procese të tjera, të ngjashme, të cilat megjithatë, mund të mos jenë paradhoma të mirëfillta për hyrjë në shtëpinë e BE-së, por vendbanime të përhershme për këto shtete. Deklaratat e Presidentit Macron, siç është thënë dhe shkruar edhe më parë, nuk kanë si të mos ndërlikojnë shumë këtë mësymjen e SHBA-së dhe të BE-së për stabilizimin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor, dhe për margjinalizimin e rolit të Rusisë dhe të Kinës. Bashkësia politike evropiane nuk mund të ketë atë joshjen, atë ndikimin, atë rolin që ka anëtarësimi i plotë në BE. Në anën tjetër, Miroslav Lajçak, Emisari Special i BE-së për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, pas këtyre deklaratave të Macronit, ka humbur edhe më shumë në atë potencialin/ fuqinë e tij reale për të lëvizur para në drejtimin e arritjes së Marrëveshjes Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.