Duke bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Serbia po shkel një marrëveshje të BE-së 123 string(16) "Kushtrim Istrefi" string(69) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/08/T82Kb25d_400x400.jpg" nga Kushtrim Istrefi 31.08.2022 20:09 31.08.2022 20:09 Serbia po minon një sërë marrëveshjesh me BE-në lidhur me negociatat për anëtarësimin e Beogradit dhe Prishtinës në BE, duke u përpjekur të bllokojë kandidaturën e Kosovës në Këshillin e Evropës. Në maj të vitit 2022, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, organizata kryesore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Evropë. Për t’u anëtarësuar kërkohet një shumicë prej dy të tretash midis anëtarëve. Duke pasur parasysh faktin se Kosova është njohur nga më shumë se dy të tretat e shteteve anëtare, anëtarësimi duket realist. Megjithatë, Serbia e refuzon ashpër këtë kërkesë. Një diplomat evropian në Strasburg tregoi gjithashtu se Serbia po kërcënonte të tërhiqej nga Këshilli i Evropës nëse Kosova anëtarësohet. Përderisa ky skenar duket joreal (Kosova dhe Serbia janë anëtare të përbashkëta në disa organizata dhe iniciativa), reagimi antagonist i Serbisë është shqetësues për disa arsye. Së pari, një analizë më e detajuar tregon se qëndrimi i Serbisë bie ndesh me marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE-ja dhe rrezikon të ardhmen e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Së dyti, tregon gjithashtu se Serbia nuk po përpiqet realisht të përfaqësojë interesat e serbëve të Kosovës në dialogun e Brukselit, pasi ata do të përfitonin nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës. Në këtë sfond, oferta e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës duhet parë si një test i përkushtimit të Serbisë ndaj dialogut të BE-së dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Kosovën në një mënyrë që i shërben, ndër të tjera, interesit të serbëve të Kosovës. Më lejoni t’i shpjegoj më në detaje këto dy pika. Së pari, kundërshtimi i Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe inkurajimi i të tjerëve për ta kundërshtuar atë, bie ndesh me tekstin dhe frymën e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 të sponsorizuar nga BE-ja, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje ” historike ” thotë në paragrafin 14 se “asnjëra palë nuk do të bllokojë ose inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palës tjetër në rrugët e tyre përkatëse në BE”. Këshilli i Evropës nuk është BE. Por rruga drejt BE-së çon përmes Këshillit të Evropës. Komisioni Evropian ka theksuar në shumë raste se ‘acquis’ e BE-së përfshin ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut. Kjo vendos një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Komisioni deklaroi në janar 2007 se “në negociatat për anëtarësimin e anëtarëve të rinj në union, respektimi i Konventës dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut do të trajtohet si pjesë e ‘acquis’ të unionit”. Opinioni i Komisionit i vitit 1997 mbi aplikimin e Bullgarisë për anëtarësim në BE, thotë se çdo shtet që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian duhet së pari të ketë ratifikuar Konventën e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut. Qëndrimi i Komisionit, se konventat dhe praktika gjyqësore e Këshillit të Evropës janë parakushtet për anëtarësimin në BE, nuk është befasues. Neni 49 i Traktatit për Bashkimin Evropian (TEU) parashikon se “çdo shtet evropian që respekton vlerat e referuara në nenin 2 dhe punon për t’i promovuar ato, mund të aplikojë për t’u bërë anëtar i BE-së”. Kjo përfshin respektimin e Konventës së Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën gjyqësore të saj, e cila gjithashtu përmban parime të përgjithshme të së drejtës së BE-së. Në këtë sfond, çdo pretendim i Serbisë, që kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, është në kundërshtim me marrëveshjen Kosovë-Serbi të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve. Duke i lënë mënjanë këto argumente ligjore, është e pakuptimtë që Serbia po kundërshton ofertën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës pas nënshkrimit të një marrëveshjeje në të cilën ajo zotohet të mos pengojë rrugën e Kosovës drejt BE-së – një organizatë tjetër, e bazuar në të njëjtat vlera si të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit dhe demokracia. Së dyti, u përsërit nga shumë aktorë që mbështesin dialogun, se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të fokusohet në njohjen reciproke të të dy shteteve, por edhe në zotimet për mbrojtjen e pakicave serbe të Kosovës. Pasi që Këshilli i Evropës është organizata kryesore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, nuk ka kuptim që Serbia të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës. Kjo do t’i pengonte qytetarët serbë që të paraqesin padi për të drejtat e njeriut kundër Kosovës në Gjykatën e Strasburgut, edhe pse Serbia ka rënë dakord që serbët e Kosovës të integrohen në institucionet e Kosovës që funksionojnë sipas ligjit të Kosovës. Për shembull, neni 10 i marrëveshjes Kosovë-Serbi të vitit 2013 parasheh shfuqizimin e disa strukturave paralele serbe në veri të Kosovës dhe integrimin e tyre në sistemin e unifikuar të vendit. Nëse Serbia dhe Kosova janë të sinqerta në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve brenda kornizës së dialogut të BE-së, ato duhet të fillojnë duke respektuar kushtet dhe frymën e marrëveshjeve të BE-së. Dështimi për ta bërë këtë, mund të vërë në pikëpyetje arsyen e ekzistencës së dialogut të BE-së. Prandaj, përgjigja e Serbisë ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës duhet parë si një test i përkushtimit të saj dhe potencialit të dialogut me BE-në. Ky është momenti i përsosur për të treguar se Serbia po bën një përpjekje serioze për të përmirësuar situatën e serbëve në Kosovë dhe për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Kosovën. Ndryshe, duket sikur dialogu i BE-së në formën e tanishme po keqpërdoret për të ruajtur status quo-në për arsye politike të brendshme. BE-ja duhet të veprojë jo vetëm si ndërmjetëse e dialogut, por edhe si garantuese e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kuptim, Unioni duhet të deklarojë se anëtarësimi i Kosovës në këshill është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë serbët, dhe është në përputhje me tekstin dhe qëllimin e Marrëveshjes së 2013-ës. BE-ja duhet gjithashtu të monitorojë pajtueshmërinë e palëve me marrëveshjet e BE-së dhe herë pas here t’u kujtojë atyre që të respektojnë kushtet dhe frymën e marrëveshjeve të BE-së. BE-ja kohët e fundit ka marrë një qasje të tillë gjatë zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2011 për Lëvizjen e Lirë të Personave. Më 25 gusht, edhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, theksoi “se të gjitha marrëveshjet e dialogut duhet të zbatohen”. Roli proaktiv dhe i fuqishëm i BE-së është vendimtar për të siguruar që palët të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe të mbeten vërtet të përkushtuara për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mbetura. Vetëm atëherë mund të shpresohet realisht se një marrëveshje përfundimtare, detyruese është e arritshme. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.