Djalli i detajeve negociatore - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Djalli i detajeve negociatore

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
08.02.2023 09:16

Propozimi Evropian, i përkrahur nga SHBA-ja, Franca dhe Gjermania  (siç zyrtarisht është emëruar ky Propozim tash e sa javë), është një Kornizë e përgjithshme për arritjen e Marrëveshjes Themelore për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja Themelore si e tillë, është e përkohshme, apo, ajo do të duhej të çelte udhë për bërjen e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila do të nënkuptonte, pos tjerash, njohjen formale reciproke midis këtyre dy shteteve.

As Kosova dhe as Serbia nuk mund të hyjnë në Bashkimin Evropian pa arritur këtë Marrëveshje, dhe pa njohjen formale të dyanshme.

Rendi do të ishte, nëse në muajtë e ardhshëm do të nënshkruhet Marrëveshja Themelore në mes të Autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit, që Bashkimi Evropian, pos që do të ofrojë mbështetje të plotë politike dhe financiare për zbatimin e saj, do të shpall edhe Vendimin e vet për afatin/ kornizën kohore kur Kosova, Serbia dhe katër shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, do të përfshihen në BE.

Natyrisht, Kosova me të drejtë pret që pesë shtetet e BE-së të cilat nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008  (kur këtë e bënë 22 shtetet e tjera anëtare të BE-së), do ta bëjnë një gjë të tillë menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore.

Siç dihet, në parim, te dy palët, apo Kosova dhe Serbia, kanë pranuar Propozimin Evropian për Marrëveshjen Themelore.

Ky është ai hapi i parë, pa të cilën asnjë rrugë nuk mund të kalohet  (sepse çdo rrugë nisë me këtë hapin e parë, siç thotë një thënie e moçme).

Ky hap, objektivisht, ka qenë i domosdoshëm prej Prishtinës dhe Beogradit.

Miroslav Lajčak, Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi dhe për Ballkanin Perëndimor, ka deklaruar disa herë që jo më vonë se në fillim të muajit mars do të dihet se kah po ecën procesi më i ri i bisedimeve, apo, a ka gjasa që sivjet të bëhet Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë.

Kësaj radhe, punët dolën më mirë se sa që ka pritë Brukseli. Në fillim të muajit shkurt u kuptua prej të gjithë faktorëve relevant se te dy palët kanë marrë drejtimin e duhur në këtë dialog.

Por, do të ishte naivitet i skajshëm të besohet që tash e tutje, do të jetë më lehtë në këtë ndërmarrje ndërkombëtare të adresimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ky hapi i parë, i domosdoshëm, i mbështetjes në parim të Planit Evropian, është me gjasë, akti më i lehtë në rrugëtimin që pret Prishtinën dhe Beogradin.

Fati i mirëfilltë i Propozimit Evropian i Marrëveshjes Themelore për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të kuptohet vetëm pas dakordimit  (eventual), të Planit të zbatimit të kësaj Marrëveshjeje, për të cilin do të negociohet tash e tutje në Bruksel.

Ky Plani i zbatimit të Marrëveshjes, do të ofrojë të gjitha sqarimet e duhura për të gjitha Nenet e Propozimit Evropian, për të gjitha procedurat të cilat do të duhet të aplikohen për jetësimin e tyre, për të gjitha mekanizmat ndërkombëtar të garantimit të zbatimit të kësaj Marrëveshjeje dhe për ndëshkimet eventuale për palët nëse ato nuk i përmbahen Marrëveshjes dhe Planit të implementimit të saj.

Kjo çfarë u tha në këtë kryefjalën paraprake, s’do mend që paralajmëron bisedime të rënda, të lodhshme dhe të mundimshme në formatin e Brukselit.

Përvoja e keqe e mungesës së një autoriteti final në interpretimin e të gjitha Marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, si dhe e mospasjes së mekanizmave ndërkombëtar për garantimin e zbatimit të këtyre Marrëveshjeve, do të duhej të ishte një mësim i mirë për të gjithë të involvuarit në këtë proces.

Janë bërë gabime të mëdha në këtë kontekst të cilat assesi nuk bën të përsëriten, nëse njëmend synohet që të ketë sukses kjo ndërmarrje ndërkombëtare.

‘Djalli fshehet në detaje’, është formulim i njohur diplomatik.

Do të ketë detaje të shumta në Planin për implementimin e Marrëveshjes Themelore.

Nëse të gjitha ato nuk do të qartësohen mirë, duke iu shmangur, gjithsesi, formulimeve të dykuptimta  (të cilat kanë karakterizuar thuaja të gjitha Marrëveshjet e Brukselit), atëherë, do të kemi telashe të shumta në atë periudhën e zbatimit të Marrëveshjes.

Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë.

lajme të ngjashme