Djallëzia e një dileme të padokumentuar 123 string(15) "Faton Abdullahu" string(83) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2019/09/Faton-Abdullahu-e1606051673123.png" nga Faton Abdullahu 05.05.2016 11:24 05.05.2016 11:24 Disa fjalë rreth dokumentarit “Portreti i paautorizuar i Isa Mustafës” i realizuar nga “Zona Express” dhe transmetuar në televizionin Klan Kosova Përshtypje të veçantë në dokumentarin e “Zona Express”-it të cilin e transmetoi Klan Kosova e i cili kishte të bënte me Kryeministrin aktual Isa Mustafa, më la muzika. Nganjëherë ajo ishte më impresive se vetë fjalët. Pavarësisht se a ishte e mirë apo jo në aspektin artistik, muzika ishte e përzgjedhur me dedikim të ishte depresive e zymtë, bile me nota paralajmërimi trishtues, për një ogur të keq. Kjo m’i kujtoi disi dokumentarët e sotëm për terrorizmin e në disa mënyra m’i kujtoi dokumentarët në Jugosllavinë komuniste të cilët prezantonin rrezikun nga irredentizmi shqiptar. Dilema më e shpeshtë që vihej vazhdimisht përgjatë vlerësimit të personalitetit të Kryeministrit Mustafa në këtë dokumentar ishte se si ka mbetur aq gjatë ai në politikë. “Pse Mustafa mbijetoi” – pyet autori pandalshëm? Kësaj pyetje autori mundohej t’i përgjigjej tërthorazi gjatë gjithë kohës, me aludime, për të lënë vend të kuptohej ajo që ai preferonte, jo ajo që mund ta argumentonte. Autori i dokumentarit nuk pyeste se si ky njeri, edhe pse në politikë në kthesa të ndjeshme për Kosovën, nuk është koritë e korruptuar kurrë për ta diskualifikuar përfundimisht vetveten nga politika. Autori nuk konstatonte se duke mos qene i tillë, Mustafa ka fituar në mënyrë të përsëritur besimin e qytetarëve për të vazhduar në këtë fushë, bile jo vetëm t’i përfaqësojë shqiptarët, por edhe të jetë lider i njërës nga partitë më të mëdha të Kosovës, si dhe të bëhet Kryeministër i një koalicioni shumë gjithëpërfshirës. Jo autori gjithmonë e shtronte pyetjen me djallëzi, kinse si dilemë “Si ka mundësi” e të cilën duke e lënë pa argumentim e vendoste në shkallën e misterit, për të ngjallur pastaj dyshime në çdo veprimtari të jetës së tij. Të gjitha këto dyshime të mistershme dokumentari i kriposte me editime e montazhe, për të qenë ato të gëlltitshme. Herë me fotot e Josip Broz Titos, për të cilin potencohej se ishte një diktator që kishte vrarë mbi gjysmë milioni njerëz, herë me pamjet e fjalimeve të Millosheviqit, për të ngritur kështu dilemë me aludimin se ai ishte në shërbim të dy këtyre diktatorëve. Ndërkaq vetëm shkarazi u përmend ajo që është e vërtetë e madhe, se Isa Mustafa në atë kohë ka qenë viktimë e përndjekjes millosheviqiane, për çka është shtrënguar të ikte për ta shpëtuar kokën, sepse është vënë në mbrojtje të mëvetësisë së Kosovës. Thënë përmbledhtazi, të gjitha sukseset e Kryeministrit aktual, përfshirë punën akademike, zgjedhjet disa herë për Kryetar të Prishtinës, besimin për Ministër, pastaj Kryeministër, nuk thuhej se janë rezultat i punës dhe besimit që ai ka bërë dhe fituar, por prapë ngjallej dilema kinse e pasherr “Si ka mundësi Mustafa të mbijetojë?’. E keqja më e madhe në këtë rast nuk është ajo që me këtë dokumentar sulmohet Isa Mustafa. Fundja, ky nuk është i pari nga kjo parti i cili akuzohet me aludime të kësaj natyre. Presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, jo vetëm një herë, është shpallur tradhtar nga mendësia e ngjashme. E keqja më e madhe është se ky dokumentar dëshiron me aludime e dilema djallëzore të na shtyjë të gjithëve të ngremë një pyetje e cila, më shumë se pyetje është akuzë – si ka mundësi një njeri kaq i mistershëm të jetë kaq gjatë në politikë, tani edhe në pozitën më të fuqishme politike në vend, pra Kryeministër dhe të jetë gjithashtu kryetar i njërës nga partitë me të mëdha, LDK-së. Fjalia e fundit e dokumentarit për të cilin po flas është kjo: “Pritet rënia përfundimtare e Isa Mustafës. Ka rrezik që ky akademik pas vetes të marrë edhe gjithë partinë të cilën LDK e konsideronte parti të akademikëve”. Kjo më jep të drejtë të konstatoj se shënjestër e dokumentarit, në kuptimin sikundër e shpjegova, është Isa Mustafa Kryeministër, por edhe më shumë se kaq – është Isa Mustafa lider i LDK-së dhe vetë LDK-ja. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.