Disa teza rreth rrjedhës dhe zgjidhjes së krizës në Maqedoni - Klan Kosova

Disa teza rreth rrjedhës dhe zgjidhjes së krizës në Maqedoni

123
string(16) "Shkëlzen Maliqi" NULL
5 years më parë

 

 

 

Zgjedhjet në Maqedoni nuk sollën zgjidhje çfarë shpresohej.

Kriza disavjeçare edhe pas zgjedhjeve mbetet në binaret e njëjta, praktikisht vendnumëruese. Elektorati në Maqedoni nuk arriti që ta ndëshkojë plotësisht koalicionin VMRO-DPMNE & BDI, ndonëse pushteti i deritashëm ka përjetuar goditje të fuqishme, praktikisht knock down nëse do të shpreheshim me gjuhën e boksit, dhe kjo vlen sidomos për BDI-në dhe shefin e saj Ali Ahmetin.

Përqindja dhe deputetet e BDI-së në Kuvendin e ri do te jenë të përgjysmuar, por edhe deputetët shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë do të jenë numerikisht për 9 mandate më pak (!), gjë që meriton reflektim të fuqishëm jo vetëm me argumente dhe ngjyrime tashmë të njohura vajtuese mbi mungesën e unitetit për çështjet madhore, por edhe duke vlerësuar me saktësi disa porosi të elektoratit shqiptar që nuk duhet shikuar si pasojë dëshpëruese e mosunitetit, por edhe pragmatikisht, si shenja të mobilitetit të elektoratit shqiptar, i cili ka dhënë disa drejtime pozitive dhe shpresëdhënëse për të ardhmen.

Kur them se ka lëvizje serioze në elektoratin shqiptar në Maqedoni i kam parasysh këto fakte:

  1. Vota e shqiptarëve ndëshkoi bindshëm BDI-në dhe Ali Ahmetin për rolin që kanë pasur që nga viti 2006 si partner koalicioni në qeveritë e dështuara të udhëhequra nga Nikola Gruevski. Shumica dërmuese e votuesve shqiptarë kanë votuar kundër Qeverisë Gruevski & Ahmeti duke përfshirë jo vetëm Lëvizjen Besa dhe dy partitë të dala nga fraksionimi i PDSH-së, por edhe nga faktin se ndoshta një e treta, apo një e katërta, e këtij elektorati, votën ia ka besuar opozitës së LSDM, që kësaj here nuk ka garuar vetëm si parti e maqedonasve, por ka pasur ofertë edhe për shqiptarët, p.sh., se do ta zyrtarizojë gjuhën shqipe, dhe disa tjera.
  2. Rezultati i zgjedhjeve zhbën absolutisht pretendimin se BDI-ja është fituese dhe partia me e madhe shqiptare në Maqedoni. BDI-ja në konfiguracionin aktual të forcave është pakicë ndër shqiptarët. Rrjedhimisht, nuk duhet të ketë legjitimitet asnjë formulë e pushtetit të ri që do ta përfshinte në Qeveri Gruevskin apo Ali Ahmetin.
  3. Nëse janë të sakta pohimet, edhe nga vetë Ali Ahmeti, se rreth 100 mijë shqiptarë kanë votuar për socialdemokratët, kjo nuk duhet të konsiderohet thjesht si një “tradhti” dhe rënie në grackën e LSDM-së dhe Zaevit, por si fakt i zhgënjimit të elektoratit shqiptar me partitë dhe politikanët që i përfaqësojnë dhe, njëkohësisht, të seriozitetit të ofertës të tyre për një Maqedoni që nuk ndahet në vilajete etnike, por tenton që të rindërtohet si shtet qytetar.
  4. Rezultati i zgjedhjeve edhe ashtu prodhoi një bllokadë që praktikisht pamundëson krijimin e qeverisë funksionale. Është e vërtetë se rezultati jozyrtar tregon se Gruevski dhe Ahmeti mund ta krijojnë qeverinë me 61 deputetë, si minimum për kalueshmëri. Po kështu, Gruevski mund ta provojë bërjen e një qeverie të tillë, edhe pse kjo është shumë pak e besueshme, edhe më grupimin e partive tjera shqiptare, që njëjtë si BDI bashkërisht i kanë 10 deputetë. Vetëm se nuk duhet lejuar assesi që Gruevski ta udhëheq lojën, sepse mbetja e tij në krye të Qeverisë vetëm e prolongon krizën.
  5. Bllokada e formimit të qeverisë mund të bëhet e plotë nëse në rezultatin përfundimtar, pas shqyrtimit të ankesave, BDI-ja nuk do t’i ketë më 10 deputetë. Ka informata se në Saraj të Shkupit do të përsëriten zgjedhjet për shkak të parregullsive, ku ka shumë gjasa se do të fitojë kandidati i Lëvizjes Besa. Kjo do ta pamundësonte Gruevskin edhe Zaevin që ta krijojnë shumicën me mbi 60 deputetë.

Në këtë situatë të bllokadës të opcioneve funksionale, shtrohet pyetja se çfarë janë zgjidhjet e mundshme për shqiptarët dhe për daljen e Maqedonisë nga kriza.

  1. Zgjidhja më racionale është arritja e një pajtimi të partive shqiptare, përfshirë edhe BDI-në me ose pa pajtimin e Ali Ahmetit si humbës kryesor, si dhe të LSDM-së e mundësisht edhe VMRO-së, që për një periudhë transitore të krijohet Qeveria teknike deri sa nuk të piqen kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Këto zgjedhje mund të mbahen vitin tjetër, së bashku me zgjedhjet lokale që në qershor e kanë afatin e rregullt.
  2. Partitë shqiptare duhet ta krijojnë listën e pajtimit mbi kushtet esenciale që ata i bëjnë bashkë në përpjekjet për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme dhe sigurimin e pozitës së barabartë të shqiptarëve në Maqedoni.

Marrëveshja e Ohrit, e shqyrtuar detajisht sa është realizuar dhe ku ka ngecur, mund të shërbejë si pikënisje, por kësaj duhet t’i shtohet edhe korrigjimi i numrave dhe përqindjeve të popullsisë në bazë të cilëve zgjidhen deputetët në Kuvend të Maqedonisë, ku ka disproporcione serioze mes zonave shqiptare dhe zonave maqedonase. Nëse ka mospajtime rreth numrit të popullsisë shqiptare në Maqedoni, nuk duhet të ketë probleme të papërballueshme në sigurimin e shënimeve për elektoratin dhe, në bazë të kësaj, të nxjerrjes së saktë të delegimit të deputetëve për zonat maqedonase dhe shqiptare.

  1. Duhet avancuar bisedimet me LSDM-në dhe partitë konstruktive të maqedonasve rreth parimeve të demokracisë dhe barazisë që garantojnë qëndrueshmërinë e Maqedonisë si shtet, duke përfshirë këtu edhe ndihmesën e partive shqiptare në tejkalimin e problemeve që i ka shteti me emrin zyrtar, që ndërkombëtarisht ende nuk njihet në mënyrë koncensuale.
  2. Rrezikun që përflitet se kinse lëshimet e mëtutjeshme ndaj kërkesave për barazi të shqiptarëve do ta egërsojë nacionalizmin maqedonas duke rimobilizuar një shumicë më të madhe rreth VMRO-së dhe Gruevskit, nuk duhet ekzagjeruar.

Një ujdi e sinqertë dhe transparente e opozitës shqiptare me LSDM-në, që kësaj here ka pasur vetëm rreth 14 mijë vota më pak se VMRO-ja, në zgjedhjet e ardhshme do ta mundësonte koalicionin e një pajtimi historik. LSDM-ja vërtet ka qenë kreatore e shumicës së ligjeve dhe masave gjysmake që e kanë mbrojtur hegjemoninë e maqedonaseve ndaj shqiptarëve, por nëse Zaevi e ka seriozisht konceptin e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit me shqiptarët për hir të stabilitetit dhe prosperitetit të shtetit, tani e ka shansin që këtë koncept ta avancojë.

  1. Duhet bërë apel tek brezi i ri i politikanëve shqiptarë, që janë afirmuar kohëve të fundit që edhe kanë pasur sukses relativ në këto zgjedhje, që të marrin stafetën në nismat për ndryshimin e logjikës së armiqësive dhe konfliktualitetin e papërmirësueshëm mes subjekteve dhe liderëve politikë shqiptarë. Nëse mund të ketë një mësim nga përvojat e derisotme të hidhura, ai është rivaliteti tejet i personalizuar mes Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit, që ka ndikuar vazhdimisht në zvogëlimin e promovimit dhe të realizmit të aspiratave legjitime shqiptare, për hir të interesave personale dhe të ngushta të klaneve politike. Sa më parë që pensionohet brezi i politikanëve dështakë, shpresoj se politika shqiptare në Maqedoni do të bëhet më dinjitoze, më moderne, më pak idhnake, më efiçiente…
  2. Kazani i gërshetimit të interesave të ndryshme gjeostrategjike që e bën Maqedoninë vend dhe shtet të brishtë, atë që tradicionalisht është quajtur “Fuqi baroti e rajonit”, nuk ua lejon politikave shqiptare luksin që të bëhen faktorë shpërthyes në këtë shtet. Por, edhe nuk mund të mbeten peng i përhershëm i tendencave hegjemoniste maqedonase.
  3. Duke i shkruar këto reflektime në emrin tim personal dhe pa asnjë referencë në autoritet politike në Kosovë dhe Shqipëri, dua t’i siguroj lexuesit se jam kundër çdo paternalizmi ndaj politikave të shqiptarëve në Maqedoni (ndonëse një solidaritet kombëtar nënkuptohet).

Mendoj se tek brezi i ri vërehet që më në fund janë në rrugën e aftësimit  për zotësinë e realizmit të qëllimeve politike me mjete demokratike dhe civilizuese.

Duke u kujdesur edhe si individë, e edhe si përfaqësues të interesave të grupeve dhe lëvizjeve politike, për artikulimin e interesave jetike shqiptare, ata do të mund të arrinin – me pak mund dhe dialog konstruktiv – konsensusin e kërkuar të përbashkët dhe ndikues mbi parimet dhe përmbajtjen e ofertës pozitive shqiptare për Maqedoninë.

 

Kolumne e shkruar enkas për klankosova.tv