Diagnoza pa Terapi e Perëndimit për Ballkanin 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 03.12.2021 15:28 03.12.2021 15:28 Ish-oficeri i lartë, Stuart Peach, është emëruar këto ditë Emisar Special për Ballkanin Perëndimor i Kryeministrit të Britanisë së Madhe, Boris Johnson. Peach, i cili është njohës i mirë i rrethanave në Ballkanin Perëndimor, në përshkrimin e mandatit/ detyrave të tij, do të ketë, pos tjerash, edhe përkrahjen për Përfaqësuesin e Lartë Ndërkombëtar në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe mbështetjen e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja. Në arsyetimin për caktimin e Peach-it në këtë pozitë, Boris Johnson e ka përshkruar me ngjyra krejtësisht të zeza situatën në Balkanin Perëndimor, duke nënvizuar që gjendja këndejpari është më e keqja në njëzet vitet e fundit. Natyrisht, secili që më vëmendje përcjell edhe zhvillimet ndërkombëtare, pa bërë kurfarë gabimi do të mund të shtojë këtu që gjendja, në marrëdhëniet në mes të Perëndimit dhe Rusisë është më e keqe që nga zhbërja e Bashkimit Sovjetik, tridhjetë vjet më parë, në muajin dhjetor të vitit 1991, që raportet midis Perëndimit dhe Kinës janë më të ndërlikuara në njëzet vjetët e fundit dhe që zhvillimet brenda vet Bashkimit Evropian, janë si asnjëherë më parë, që nga vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, problematike dhe me parashikime aspak optimiste. Po del pra që gjithsesi po e jetojmë atë ‘Momentin e keq’ këtupari, në rajonin tonë (të quajtur Ballkan Perëndimor), në Evropë dhe në Botë, teksa pakkush e di se çka do të mund të ndodhë tash e tutje në këtë Botën multi-polare, e cila e ka zëvëndësuar atë Botën një polare të Amerikës (në vitet 1989-2009). Ballkani Perëndimor pa dyshim është njëra prej fushëbetejave politike, diplomatike dhe e sigurisë në mes të Perëndimit, Rusisë dhe Kinës. Zatën, duket që ky fakt, së bashku me atë tjetrin, të ditur prej të gjithë neve, që Britania e Madhe nuk është më anëtar dhe hisenik substancial në BE, ka bërë që Kryeministri Johnson ta kumtojë këtë hap të tij që kumbon më së shumti ditën kur shpallet, si gjithmonë, për emërimin e Peach-it si Emisar Special për Ballkanin Perëndimor. U pa pra nga mandati që ka Peach, që Britania e Madhe e përcjell me interesim të madh (dhe gjithsesi, me shqetësim), rrjedhën e ngjarjeve në dialogun e autoriteteve më të larta të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, sikurse edhe atë destabilizimin e vazhdueshëm të situatës në Bosnjë dhe Hercegovinë. Teksa një hap i këtillë i Londrës zyrtare, e cila gjithsesi dëshiron të jetë faktor relevant në skenën e kontinentit të Evropës (Johnson dhe polikanët tjerë përkrahës të Brexit-it, gjithmonë kanë pohuar që Britania ka dalë nga BE-ja, por jo edhe nga Evropa), përcjellet me një interesim të veçantë në rajon, së bashku me një mori pyetjesh se çka do të mund të bëjë Britania e Madhe këndejpari, nuk ka kurfarë dyshimi që përshkrimi i situatës në Ballkanin Perëndimor me tone thuaja dramatike nga Kryeministri Johnson, është i qëndrueshëm, i sakt, i pamohueshëm. Njëmend gjendja në këto anë të Evropës nuk ka qenë më e keqe që prej përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999. Por Johnson nuk është as politikani i parë dhe as i fundit i lartë i Perëndimit, që nuk ia qëllon në diagnostifikimin e një tatëpjete të rrezikshme në të cilën gjendet Ballkanin Perëndimor. Emra të tjerë shumë të rëndësishëm të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, gjatë gjithë këtij viti, kanë bërë me dije që janë të brengosur me rrjedhën e zhvillimeve në gjithë rajonin, veçmas nga prizmi i ndërhyrjeve politike, diplomatike, ekonomike dhe të sigurisë të Rusisë dhe Kinës. U fol dhe u shkrua, si asnjëherë më parë, edhe për aspektin e rëndësisë gjeo-politike të Ballkanit Perëndimor, për SHBA-në dhe BE-në. Partneriteti i përtërisë atlantik, në mes të Administratës Amerikane të Presidentit Biden, dhe BE-së (i cili u formalizua sërish me dy Samitet e mbajtura në Bruksel, në muajin qershor të këtij viti), zatën, e ka si njërin prej prioriteteve pikërisht stabilizimin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor, dhe integrimin e tij të plotë në BE, dhe thuaja të plotë në Aleancës Veri-Atlantike (me përjashtim të Serbisë). Sidoqoftë, është e qartë që më Ballkanit Perëndimor nuk i duhet diagnostifikimi, sepse të gjitha analizat e mundshme që kanë çuar te diagnoza për një rrezik të lartë politik dhe të sigurisë, tashmë janë kryer. Ballkani Perëndimor nuk vuan nga mungesa e diagnozës së saktë. Kjo anë e Evropës po pëson, përditë e më shumë në mungesë të terapisë së duhur ndërkombëtare, e cila nuk mund të mos bazohet, në një bashkëpunim intenziv në mes Washingonit, Brukselit, por edhe kryeqendrave të tjera të Evropës, në radhë të parë, Berlinit dhe Parisit. Përfshirja edhe e Londrës në këtë ‘Hartë të Perëndimit’ që artikulon dhe zbaton terapinë për këndelljen e Ballkanit Perëndimor, dhe për stabilitimin e tij atatgjatë të Ballkanit Perëndimor, është me siguri e mirëseardhur. Sa më shumë që zvarritet ‘përshkrimi i kësaj terapie’, aq më i rëndë, më i ndërlikuar dhe më i gjatë do të jetë shërimi politik, ekonomik, financiar dhe i sigurisë i Ballkanit Perëndimor.