Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Dhjetë vjet pa dhjetë ditë dhe protesta e parë për demokracinë

123
string(12) "Ardian Gjini" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/11/Ardian-Gjini.jpg"
nga Ardian Gjini 11.01.2016 14:13

Për pak më pak se pesë dekada, që nga viti 1968, Kosova dhe qytetarët e saj kanë kaluar nëpër hiq më pak se gjashtë periudha të protestave apo manifestimeve popullore. Më 1968 protestohej për më shumë të drejta civile dhe politike në një sistem të mbyllur komunist. Në atë periudhë, pushteti i quante kërkesat e protestuesve “instrumentale”, një nocion i farkuar nga Aristoteli e që do të thotë kërkesa “si mjet pune” për të arritur qëllime krejt tjera e që janë qenësore.

Më 1981, kërkesat e protestuesve për republikë prapë cilësoheshin si kërkesa instrumentale, prapa të cilave, sipas pushtetit, fshihej kërkesa për shkatërrimin e Jugosllavisë dhe për ndarjen e Kosovës nga ai shtet.

Në të dy rastet, në një masë, pushteti kishte të drejtë. Edhepse, ndoshta, në kokat e shumicës së protestuesve slloganet e protestës ishin qëllimi në vetvehte dhe i qenësishëm, arritja e një të drejte do të sillte nevojën për një të drejtë tjetër sepse i gjithë sistemi bazohej në një padrejtësi të madhe-në aneksimin e Kosovës nga Serbia në mënyrë të dhunshme, të padrejtë dhe jolegjitime.

Gjatë periudhës 1989-90 sllogan ishte bërë “demokracia”. Prapë, pushteti e quante këtë sllogan si qëllim instrumental prapa të cilit fshihej kërkesa e Kosovës për shkëputje prej Serbisë. Edhe në atë kohë, një pjesë e mirë e ideatorëve dhe e protestuesve mendonin se kërkesa për demokraci ishte qëllim qenësorë. Kishte edhe të tillë që besonin se demokracia mund të arrihej në Jugosllavi. Edhe në vitin 1989 kishte njerëz që-me siguri pa qëllim të keq-kishin harruar se i gjithë sistemi ishte ndërtuar mbi një padrejtësi që as nuk ishte shlyer as nuk ishte harruar. Pushteti prapë në masë të madhe, kishte të drejtë kur thoshte se ato protesta nuk ishin për demokraci. Sepse nuk ishin. Ato protesta ishin për liri. Demokracia ishte sllogan instrumental.

Protestat me kërkesat më eksplicite ishin ato të viteve ’90 sidomos ato të vitit 1997. Kërkohej pavarësi, liri dhe demokraci. Ndonëse pjesa dërrmuese e popullit dhe e protestuesve i konsideronin ato kërkesa me të vërtetë të qenësishme, edhe atëherë kishte njerëz që mendonin se kërkesë e qenësishme ishte bashkimi me Shqipërine dhe se pavarësia dhe liria duhet të ishin vetëm kërkesa instrumentale. Pushteti okupues serb i konsideronte të dyja të papranueshme. As në atë periudhë nuk e kishte synim demokracinë, vetëm lirinë nga okupatori.

Protestat e vitit 2004 është më saktë të quhen revoltë. Historia do të tregojë më shumë se sa e tashmja
se Kosova më shumë ka humbur se sa ka fituar më 2004. Edhepse dëmet fizike janë riparuar në masë të
madhe, Kosovës i mbetet shumë punë, mund dhe kohë për ta riparuar plotësisht dëmin politik. As në
atë revoltë nuk kërkohej më shumë demokraci, në një mënyrë kërkohej shtet.

Sot, të gjithë dashamirët e vërtetë të demokracisë duhet të ndjehen të gëzuar dhe me shpresë. Protesta e 9 Janarit të këtij viti është protesta e parë në gjithë historinë e Kosovës që mund të cilësohet si fillim i kërkesave të popullit për më shumë demokraci. E demokracia në një mënyrë është kërkesë e popullit për liri edhe “nga vetvetja”

Bota ka njohur raste kur demokracitë kanë dështuar. Kur vendet nga një sistem demokratik kanë rrëshqitur në diktatura të egra. Por është dashur të plotësohen disa kushte për të ndodhur një gjë e tillë.

Së pari janë kushtet e brendshme. Është dashur të arrihet një pikë vlimi e tillë saqë shumica e popullit të atij vendi ta humb shpresën në sistemin demokratik. Një gjë e tillë ndodh kur në të njejtën kohë, nuk ka zhvillim ekonomik dhe kur njerëzit nuk besojnë se sistemi ofron drejtësi, në kuptimin e gjërë të fjalës.

Së dyti, janë kushtet e jashtme. Vendi ose duhet të jetë shumë i madh, saqë ndërhyrja nga jashtë të jetë tepër e kushtueshme dhe forcat e brendshme jodemokratike të ndjehen komode në marrjen e pushtetit; ose duhet të ndodhë një ndërhyrje nga jashtë nga një fuqi hegjemonike jodemokratike. Gjermania post Weimariane është shembulli i parë ndërsa Çekosllovakia, Hungaria, etj shembulli i dytë.

Kosova në një masë të madhe e plotëson kushtin e parë. Mungon zhvillimi ekonomik; korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi dhe krimi i organizuar i instaluar gati në të gjitha institucionet i bën njerëzit të ndjehen të pasigurtë. I bën të mos besojnë në drejtësi, jo vetëm në gjyqe, por edhe kur duan të punësohen, të regjistrohen në universitet apo edhe kur duan ta fitojnë një kontratë të ligjshme.

Por kushti i dytë për instalimin e një sistemi totalitar nuk duket gjëkundi. As në teori nuk ekziston mundësia e pushtimit të Kosovës nga një hegjemon jodemokratik. Kosova është e vogël dhe shumë e ndikueshme nga jashtë-fatmirësisht nga fuqi demokratike.

Në rrethana të ngjashme me ato të Kosovës ndodhen shumë vende në botë. Vende ku njerëzit nuk besojnë në sistemin demokratik për shkak të të metave të brendshme dhe ku diktaturat e pastra nuk mund të instalohen për shkak të ndikimit të jashtëm. Ato vende zhyten në një sistem që zakonisht quhet autoritar. Në ato vende zgjedhjet mbahen me rregull por vidhen ose ndikohen përmes klientelizmit dhe nepotizmit. Korrupsioni rritet dhe një kastë e njerëzve në pushtet pasurohet tej mase dhe arrin ta kontrollojë tërë sistemin. Ato vende shëndërrohen në demokratura, në sisteme të paqëndrueshme dhe në pritje të pëlcitjes. Në asnjë nga vendet e këtilla ndryshimi nuk ka ardhur nga jashtë. Në fakt, bota zakonisht mjaftohet me një sistem nominalisht demokratik përderisa askush nuk “ankohet”.

Slloganet e protestës së 9 janarit ashtu sikur edhe të gjitha slloganet e protestave përgjatë një gjysmë shekulli, për pushtetin janë “instrumentale”. Sipas pushtetit, prapa kërkesave të opozitës fshehet qëllimi për marrjen e pushtetit. Edhepse për një pjesë të mirë të opozitës ato janë të qenësishme, jam i bindur se për shumicën e popullit të Kosovës ato në fakt janë instrumentale. Prapa protestës së popullit fshehet një kërkesë që me të vërtetë është e qenësishme, për një jetë më të mirë, për një vend më të drejtë, për demokraci.

Krahasuar me procesin që ka filluar me 9 Janar është aq pak e rëndësishme se kush i thërret protestat, është aq pak e rëndësishme se cilat janë slloganet dhe është aq pak e rëndësishme (të paktën historikisht) se sa gurë e sa petarda janë hedhur saqë nuk ia vlen as ngjyra e shtypit për të shkruar për to.

Askush nuk duhet të ketë iluzione se qeveria apo qeveritë e ardhshme do të jenë të përkryera. Por një gjë tanimë po ndodh. Qytetarët e këtij vendi e kanë arritur pikën e pakthimit. Qeveria duhet të jetë përgjegjëse para popullit e jo përkundrazi. Se populli nuk i ka askujt borgj. Se edhe kryeministri dhe ministrat punojnë dhe negociojnë në emër të popullit e jo në emër të vetin. Ai njeri që merr vendime të vështira por që nuk është në gjendje t’ia mbush mendjen askujt për ta mbështetur nuk është lider, ai është i papërgjegjshëm. Lider është ai njeri që edhe kur nuk ka tjetër çka të ofrojë përpos “gjak, djersë dhe lot” i bën njerëzit të besojnë.

Populli demokratik i Kosovës ka nevojë për kësi liderësh, jo për qeveritarë të papërgjegjshëm.

Kosovës liria i ka ndodhur më 1999. Pavarësia (lexo vetvendosja) i ka ndodhur të paktën nominalisht më 2008. Ndërsa sot, dhjetë vjet pa dhjetë ditë pas vdekjes së Presidentit të saj të parë demokratik, Ibrahim Rugova, po fillon t’i ndodhë edhe demokracia.

Ibrahim Rugova e kishte bërë një popull të tërë t’i besonte edhe pse nuk kishte asgjë për t’i ofruar përpos kërbaçit të policisë serbe dhe shpresës. Ai ishte lider.

Kush do të kishte menduar se dhjetë vjet pas vdekjes së tij sheshet e Prishtinës do të mbushen si asnjëherë më parë kundër një pasardhësi (jo të denjë) të tij dhe për demokraci!

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme