Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Dezinformimi dhe propaganda e sponsorizuar nga shteti i Serbisë për Kosovën

123
string(13) "Dren Gërguri" string(60) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/08/drennnn.jpg"
nga Dren Gërguri 10.07.2022 17:33

Për shumë vite, Serbia ka sajuar një sërë narrativash të rreme që ekosistemi i saj i dezinformimit dhe propagandës i injekton në publik. Ditëve të fundit vërejmë një valë të re të kësaj forme të propagandës që forcon narrativën e rreme se Kosova po përgatitet për luftë ndaj Serbisë

 

Dëmi që mund të shkaktojë një dezinformatë ose një propagandë mund të jetë i pariparueshëm për një shoqëri. Dezinformata dhe propaganda bëhet edhe më e rrezikshme nëse kemi të bëjmë me informacione të manipuluara, të cilat janë të sponsorizuara nga shteti. Pra, dezinformata dhe propaganda mund të sajohen  e të shpërndahen nga individët dhe mund të jenë produkt i sponsorizuar nga shteti. Kjo, natyrisht që përbën rrezik më të madh, për shkak se një gamë e gjerë institucionesh mund të jenë të përfshira në prodhimin dhe shpërndarjen e një dezinformate a propagande, për të bindur publikun për një temë të caktuar.

Kjo formë e propagandës, pra, kur sponsorizohet nga shteti, nuk është fenomen i ri mirëpo është zhvilluar ndër vite. Në vitin e kaluar, gazetarja Maria Ressa u shpërblye me Çmimin Nobel për Paqen për përpjekjet e saj në luftën kundër propagandës dhe dezinformatave të shpërndara nga shteti i Filipineve. YouTube bllokoi dy kanale në gjuhën gjermane të transmetuesit publik rus, RT, për shkak të shpërndajes së dezinformatave për COVID-19. Mona Elswah dhe Philip N Howard, studiues nga Universiteti i Oksfordit, në një studim të tyre argumentojnë se si RT-ja ka strategji të lajmeve me agjendë anti-perëndimore, medien perëndimore e identifikon si prodhuese të gënjeshtrave dhe, njëherazi, unifikon paraqitjen kritike për qeveritë perëndimore në kanalet e RT-së në gjuhë të ndryshme.

Në Ballkanin Perëndimor, ky model i propagandës së sponsorizuar nga shteti është shumë i përhapur në shtetin e Serbisë. Në ditët e sotme, propaganda mund të jetë e pranishme më shumë në media sociale, për arsye të ndryshme, ç’merr nga shkalla e përdorimit të medieve sociale deri te mundësia e keqpërdorimit të hapësirës së sferës publike online të ofruar nga gjigantët teknologjik. Pavarësisht kësaj, në Serbi, propaganda shtetërore për të indoktrinuar publikun shpërndahet në masë të madhe nga televizionet, radiot dhe gazetat serbe.

Për shumë vite, Serbia ka sajuar një sërë narrativash të rreme që ekosistemi i saj i dezinformimit dhe i propagandës i injekton në publik. Ditëve të fundit vërejmë një valë të re të kësaj forme të propagandës që forcon narrativën e rreme kinse Kosova po përgatitet për luftë ndaj Serbisë. Gjithashtu, ekziston një kombinim i deklarimeve publike të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore serbe me dezinformatat që qarkullojnë në mediet serbe. Kjo mundëson që propaganda të shpërndahet në kanale të ndryshme komunikimi me qëllimin e vetëm, të arrijë te publiku dhe ta bindë atë se përmbajtja është e vërtetë.

“Thirrje për luftë”, “plane të rrezikshme e të çmendura të Kosovës” dhe “përgatitje për sulme ndaj serbëve” janë narrativat kryesore të propagandës, të cilat kanë qarkulluar në ditët e fundit në disa prej medieve serbe. Për çdo ditë ka së paku një lajm me protagonist kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

E përditshmja “Informer” mashtron gjoja se Kosova planifikon sulme ndaj serbëve, Kurti po bën thirrje për luftë ose një titull tjetër që pretendon kinse Kurti kërcënon serbët. Kryefjala luftë është edhe në të përditshmen tjetër, “Srpski Telegraf”, që propagandon me titullin: “Kurti bën thirrje për luftë në Kosovë, serbët i quan kriminelë, kërcënon integrimin e veriut”. Të njëjtën ditë, më 4 korrik, “Alo” raporton kinse Kurti po intensifikon fushatën luftënxitëse, ndërkaq “Objektiv” ka fjalën ‘luftë’ me të kuqe në titullin kryesor të numrit, “Kurti thërret për LUFTË”. “Alo” edhe në datat 2 dhe 3 korrik propagandon se si përgatiten forcat e armatosura për luftë. Të gjitha këto forma të propagandës janë shumëfishuar, duke u shpërndarë edhe nga media të tjera. Mjafton të vendoset një nga titujt në Google dhe e njëjta dezinformatë paraqitet

Ajo që shkruhet në media, shumë shpesh ndërlidhet me deklarimet e zyrtarëve shtetërorë serb. “Objektiv”, pasi manipulon që në Kosovë po përgatitet “stuhi” e re për serbët, rithekson se kjo ishte paralajmëruar tashmë nga presidenti serb, Vuçiq. Çështjen e luftës e nënvizon në një deklaratë për televizionin publik serb edhe zyrtari tjetër i shtetit serb, Petar Petkoviç, sipas të cilit, Kurti po bën thirrje për luftë në veri të Kosovës. Kur politika propagandon dhe gazetaria shndërrohet në ‘altoparlant’ të saj, atëherë publiku gjendet në një situatë ku bindjet e tij, me ose pa vetëdije, janë të manipuluara dhe të kontrolluara. Kjo është gjendja në shoqërinë serbe dhe përceptimi për Kosovën te kjo shoqëri që jeton në një “reality show” të dezinformimit e të propagandës, dhe është e natyrshme të mos përkojë me realitetin. Ata mund ta shpërfillin realitetin që i rrethon, sepse jetojnë në një mjedis të informacionit që mbështet qëllimet e politikës serbe dhe është shpërfillje e plotë e të vërtetës. Qytetarët serb në veri të Kosovës, apo në Serbi, çdo ditë lexojnë se si Kosova dëshiruaka luftë, sulmuaka serbët, etj. Të gjitha këto janë të pavërteta, por jo në sytë e tyre.

Joseph Goebbels thotë se propaganda është efektive deri në momentin që njerëzit e kuptojnë se është propagandë. Pra, qytetarët që dezinformohen nga mediat e tilla bien pre e propagandës dhe besojnë se ajo çka shkruhet ose thuhet aty, është e vërtetë. Ky është dëmi i madh i propagandës, për ç’gjë, ne në Kosovë duhet të jemi shumë të vëmendshëm e të kujdesshëm dhe, institucionet e Kosovës duhet të angazhohen për të demantuar këto dezinformata e këtë propagandë, duke përdorë edhe mediet sociale, përveç tjerash.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme