Dështimi i njëkohshëm i tri versioneve të Europës - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Dështimi i njëkohshëm i tri versioneve të Europës

123
string(12) "Ivan Krastev" string(67) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/01/Ivan_Krastev-1.jpg"
14.07.2018 14:30

A po shpërbëhet Europa? Ka plot dëshmi që e nxjerrin pohuese përgjigjen në këtë pyetje, nisur nga grindjet për kontributin e secilit në NATO, tek shtimi i marrëveshjeve të gjysmë-mbështetura në lidhje me migracionin, si dhe shenjat që tregojnë rritje të autoritarizmit në Europën Lindore.

Po, Europa ka dështuar në vazhdimësi përgjatë 70 vjetëve të fundit; dështime mbi të cilat është ndërtuar suksesi i saj. Por sot gjërat kanë ndryshuar. Kakafonia e sotme nuk është thjesht një tjetër ‘thirrje’ për ta përmirësuar atë, sërish. Është zëri i një Europe që rrezikon të shpërbëhet krejtësisht.

Janë tri versione të Europës, nga të cilat është ndërtuar ajo që njohim sot: Europa e pasluftës e vitit 1945, Europa e të drejtave të njeriut e pasvitit 1968, dhe Europa e bashkuar si rrjedhojë e Luftës së Ftohtë. Të tri këto Europa sot janë në rrezik.

Le ta analizojmë Europën e pasluftës, që qëndron në themel të krejt projektit europian. Është kjo Europë që kujton tmerret dhe shkatërrimin e Luftës së Dytë Botërore, Europa që dikur jetonte makthin, dhe vendosmërinë për ta ndaluar, një tjetër luftë – nukleare – që njëkohësisht do të ishte edhe e fundit. Qoshet e padrita të kësaj Europe panë dritën e diellit për herë të parë në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, kur kaosi përfshiu Jugosllavinë, megjithë bindjen mbizotëruese se nuk mund të kishte një tjetër luftë të madhe në kontinent.

Europa e pasluftës po dështon sot sepse, për gjeneratat e reja, Lufta e Dytë Botërore është histori e lashtë. Francis Fukuyama kishte të drejtë: Ne po jetojmë në një të atillë kohë, kur e kaluara s’i intereson të tashmes. Në rastin më të mirë, gjeneratat e reja kanë mësuar pasivisht leksionet e të shkuarës, por duke dështuar të mendojnë historikisht. Në epokën e internetit shteti ka humbur monopolin e edukimit të qytetarit; një nga paradokset e revolucionit të teknologjisë së komunikimit është se, ndërsa gjenerata e re komunikon më shumë se secila gjeneratë tjetër, bisedat janë kryesisht mes miqsh. Bisedat e vazhdueshme nuk e ndihmojnë aspak ndarjen e përvojave të gjeneratave të shkuara.

Janë dy faktorë tjetër që minojnë çimentimin e kujtimeve të Luftës së Dytë Botërore në Europën e ditëve tona. Së pari, gjenerata që i ka mbijetuar kësaj lufte nuk është më. Dhe së dyti, për shumicën e refugjatëve dhe migrantëve që vijnë në Europë nga kontintet tjera, Lufta e Dytë Botërore nuk është e tyrja. Kur flasin për luftë, sirianët e mendojnë shkatërrimin e Alepos dhe jo atë të Varshavës apo Dresdenit.

Europa e pasluftës po zhbëhet edhe sepse shumica e europianëve vazhdojnë ta trajtojnë paqen si diçka të mirëqenë, teksa bota po rrëshqet kah pasiguria dhe Shtetet e Bashkuara nuk duket të kenë më interesim për ta mbrojtur Europën. Europa e pasluftës nuk është më Europa fuqi e paqes, por Europa që nuk mund ta mbrojë veten.

Por edhe një tjetër Europë po dështon: Europa e pasviteve 1968 – e të drejtave të njeriut dhe veçanërisht e të drejtave të pakicave. Ndikimi i fuqishëm i 1968-ës në mendësinë europiane definohet nga një përcaktim i gjerë se shteti është organizëm që i mbron qytetarët, por po ashtu i kërcënon ata. Arritja më e madhe e asaj gjenerate është se i bëri europianët që ta shohin shtetin me sytë e grupeve më të persekutuara të shoqërisë. Ndërrimi thelbësor në mënyrën si europianët e perceptonin botën dhe rolin e tyre në të është në masë të madhe rezultat i procesit të dekolonizimit, por edhe i zgjerimit global të imagjinatës demokratike. Nëse Europa e pasvitit 1968 do të përmbildhej në një fjalë ajo do të ishte: përfshirje.

Por kjo Europë e pasvitit 1968 është vënë në pikëpyetje sot. Ndryshimet dramatike demografike dhe sociale që kanë transformuar shoqëritë europiane në dekadat e fundit kanë kërcënuar shumicën – ata që kanë gjithçka dhe rrjedhimisht frikësohen nga gjithçka, që qëndrojnë parapa forcave politike më të mëdha në politikën europiane. Shumica e kërcënuar tash shpreh sheshit frikën se po kthehet në humbëse të globalizimit. Karakteristika që i definon politikat e shumicës është se kur ajo voton e bën këtë gjë duke e imagjinuar të ardhmen kur do të kthehet në pakcië dhe kultura e stili i jetesës së saj do të vihet në rrezik. Do të ishte gabim i pafalshëm injorimi ose tallja e liberalëve me këto frikëra. Në demokraci perceptimi është realiteti i vetëm me rëndësi.

Shumica e lëvizjeve politike që po fitojnë popullaritet sot në bosht të narracionit kanë të drejtat e shumicës, me theks të veçantë tek ato kulturore. Shumica insiston se ajo ka të drejtë të vendosë kush i takon bashkësisë politike dhe ta mbrojë kulturën e saj (të shumicës). Prandaj, kriza e migracionit e vitit 2015 ishte pikë kthese në mënyrën si europianët e shohin globalizimin. Ajo i dha fund epokës së Europës të pasvitit 1968 dhe ishte kthesa fatale e idesë së Europës të pasvitit 1989, meqë tani po e shohim se konsensusi po merr fund. Megjithëse anketat tregojnë se gjeneratat e reja në Europë janë më tolerante për të drejtat e orientimit seksual, nuk ka dallim të madh në atë se gjeneratat e ndryshme i shohin migrantët joeuropianë si kërcënim.

Kriza e refugjatëve ishte njëmbëdhjetë shtatori i Europës. Në të njëjtën mënyrë si njëmbëdhjetë shtatori i shtyri amerikanët ta ndryshojnë mënyrën si e shohin botën, kriza e migrantëve i bëri europianët t’i vënë në pikëpyetje disa nga supozimet më kritike të qëndrimit të tyre të mëparshëm për globalizimin.

Kriza e migrantëve po ashtu çoi në vënien në pikëpyetje të Europës të unifikuar të pasvitit 1989, jo vetëm sepse perëndimi dhe lindja morën pozicione krejtësisht të ndryshme lidhur me idenë se çfarë u kanë borxh tjetrit në kontekst të krizës së refugjatëve, por sepse shpërfaqi ekzistencën e dy Europave në rrafshin e shumëllojshmërisë kulturore dhe etnike, si edhe të migracionit.

Ironia qëndron në faktin se teksa në fillim të shekullit të XX-të Europa Qendrore dhe ajo Lindore ishin pjesët më të shumëllojshme të kontitentit, tani ato janë jashtëzakonisht homogjene. Në anën tjetër, derisa Europa Perëndimore sot është e preokupuar me sfidën e integrimit të numrit në rritje të migrantëve, shumë nga të cilët vijnë nga kultura krejt të ndryshme, Europa Qendrore është duke u munduar të gjejë mënyra për ta ndaluar ikjen e të rinjve drejt asaj Perëndimore. Teksa Perëndimi sfidohet nga shumëllojshmëria, Lindja sfidohet nga ikja e popullsisë. Por krejt kjo mund të shihet më qartë përmes shifrave. Nga viti 1989 deri më 2017 Letonisë i ka ikur 27 për qind e popullsisë, Lituanisë 23 përqind dhe Bullgarisë 21 për qind. Kombinimi i plakjes së popullsisë, lindshmërisë së ulët dhe ikjes së vazhdueshme është burimi kryesor i panikut demografik në Europën Qendrore dhe atë Lindore, megjithëse politikisht shprehet përmes histerisë kundër refugjatëve që nuk shihen askund në atë regjion. Në të vërtetë, më shumë europianë nga lindja kanë lënë shtëpitë për të shkuar në perëndim si rezultat i krizës financiare të vitit 2008 sesa refugjatë nga lufta në Siri.

Në shkallë të fundit, në qendër të rritjes ç’liberalizimit në Europën Qendrore nuk janë dallimet për migracionin, por refuzimi i asaj që unë e quaj Synimi i Imitimit.

Për dy dekada pas vitit 1989, filozofia politike e Europës Qendrore dhe Lindore post-kumuniste mund të përmblidhet në një synim: Imitoje Perëndimin! Procesi është quajtur me emra të ndryshëm: demokratizim, liberalizim, zgjerim, konvergjim, integrim, europianizim, por qëllimi i reformuesve post-komunistë ka qenë një i vetëm: ata donin që vendet e tyre të bëheshin si Perëndimi. Kjo përfshinte importimin e institucioneve liberal-demokratike, aplikimin e recetave ekonomike dhe politike të Perëndimit dhe mbështetjen publike të vlerave të tij. Imitimi shihej nga të gjithë si rruga më e shkurtër drejt lirisë dhe mirëqenies.

Europa nuk ishte më e ndarë mes komunistëve dhe demokratëve. Ajo ishte e ndarë mes imituesve dhe të imituarve. Por arritja e reformave politike dhe ekonomike përmes imitimit të modeleve të huaja ka dalë të ketë më shumë anë negative sesa mendohej. Jeta e imituesit pashmangshëm është një përzierje e mospërkatësisë, inferioritetit, varësisë, humbjes së identitetit dhe pasinqeritetit të jashtë-vullnetshëm. Imituesit janë njerëz të palumtur. Atyre nuk u atribuohet suksesi, por vetëm dështimi.

Europa e kryehershme, ajo e pasluftës, po dështon sepse kujtimet e luftës po zbehen dhe sepse ka kontribuar në krijimin e një Europë të paaftë për ta mbrojtur veten. Europa e dytë e pasvitit 1968 po dështon sepse ajo i takonte pakicës dhe akoma nuk ka gjetur rrugë për t’iu drejtuar shumicës dhe kërkesave të saj për mbrojtjen e të drejtave të saj kulturore pa e kthyer demokracinë në instrument përjashtimi. Europa e pasvitit 1989 po dështon sepse europianët e Lindjes nuk duan ta vazhdojnë imitimin e Perëndimit që vetëm i gjykon, por duan ta ndërtojnë një kundër-model.

A janë shenja të shpërbrëjes së pashmangshme këto dështime të Europës? Në këtë rast, fatalizmi do të ishte gabim i madh. Europa duhet të investojnë në kapacitete ushtarake dhe të ndalojë së marri garancitë e Amerikës si të mirëqena. Do të thotë se, në të njëjtën mënyrë si demokracitë liberale europiane të viteve 1970 dhe 1980 arritën ta deradikalizojnë të majtën ekstreme dhe t’i integrojnë disa nga kërkesat e saj legjitime në mainstream, duhet që këtë gjë sot ta bëjnë me të djathtën ekstreme. Njerëzit që sot janë të frikësuar nga idetë radikale të të ekstremit të djathtë duhet ta kujtojnë kohën kur shumë qendrorë i cilësonin të majtët gjermanë anti-establishment të viteve 1970 si Joschka Fisher – që më vonë do të bëhej ministër i Jashtëm i Gjermanisë – si rrezik për kapitalizmin demokratik të Perëndimit. Kur flitet për relacionet Perëndim-Lindje në Europë sfida është që të gjendet një rrugë për ta kritikuar kthimin e Lindjes kah autoritarizmi pa insistuar se imitimi i Perëndimit është mënyra e vetme e demokratizimit ose pa imagjinuar me naivitet se përkushtimi për demokracinë mund të blihet me fonde kohezioni nga Brukseli.

Para shtatëdhjetë vjetësh Europa arriti që mrekullisht ta kthente shkatërrimin nga Lufta e Dytë Botërore në themel për një projekt paqeje. Arriti që zemërimin anti-estabilishment të vitit 1968 ta kthente në përparim politik. Arriti që në më pak se dy dekada ta bashkonte atë që ishte ndarë për 50 vjet të Luftës së Ftohtë. Nëse Europa ka arritur që kaq shumë dështime t’i kthejë në suksese, ne mund të shpresojmë se kjo gjë mund të arrihet edhe sot.

 

– Ivan Krastev është president i Qendrës për Strategji Liberale në Sofje dhe hulumtues në Institutin e Shkencave Shoqërore të Vjenës

 

*Teksti është përkthyer nga klankosova.tv. Ndalohet përdorimi i tekstit si i tërë apo i pjesëve pa lejen e përkthyesit

lajme të ngjashme