Debati i munguar i liderëve partiak 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 31.05.2026 12:21 31.05.2026 12:21 Fushata parazgjedhore, kudo në shtetet demokratike rëndom i ka këta përbërës: Tubimet me qytetarë, komunikimin e vazhdueshëm me votuesit në mediat e të gjitha llojeve (edhe ato shoqërore), ofertën për qeverisje nëse fitohen zgjedhjet, debatet televizive e liderëve dhe partive kryesore. Qëllimi i të gjitha këtyre elementeve parazgjedhore është i njëjtë: të sigurohet një përkrahje sa më e madhe e qytetarëve të cilët e kanë atë letrën me vlerën më të madhe në demokraci, votën. Pastaj, secili prej këtyre përbërësve të një fushata ka peshën dhe vlerën e vet. Masa e bërë bashkë në tubimet partiake, duhet të imponojë një përshtypje tek qytetarët e tjerë, tek mediat po ashtu, që ky entitet politik ka perspektivë të fitojë në zgjedhje. Programi për qeverisje me vendin gjithsesi rritë shpresën për një rezultat të mirë në zgjedhje. Më në fund, ballafaqimet në studiot televizive të politikanëve kryesorë të vendit, kanë rëndom atë vlerën e shtuar (shpeshherë edhe përcaktuese), për epilogun e zgjedhjeve. Kështu na flet teoria në demokraci. Së paku. Apo, deri vonë. Sepse e dimë që gjërat janë kthyer përmbys, dhe janë mbrapshtuar kudo, edhe në shtetet me traditë të gjatë demokratike. Por, le të kthehemi në Kosovë. Sa po funksionojnë, apo, thënë ndryshe, sa po kanë efekt këto elemente të një fushate parazgjedhore, për votimet e treta me radhë në 16 muajt e fundit, të cilat sërish duhet ta përcaktojnë përbërjen e Kuvendit të Kosovës dhe të çelin udhë për krijimin e pushtetit qendror. Tubimet me qytetarë, në realitet, tash e sa kohë, nuk kanë farë peshe të veçantë në këtë aspekt, për vet rezultatin e zgjedhjeve. Nuk është edhe aq vështirë që në qytetet e mëdha të vendit, në sallat sportive dhe në sheshet e tyre, të mblidhen disa mijëra qytetarë, të pajisur me flamuj partiakë, kombëtarë dhe shtetërorë, për të dëshmuar kështu një potencial politik të një lideri dhe të partisë së tij. Por, në të kundërtën, nëse një parti nuk është në gjendje të grumbullojë mijëra mbështetës në një sallë a në një shesh qyteti, atëherë shenjat do të jenë shumë të këqija për finalen e gjithë kësaj ndërmarrjeve, apo, për ditën e votimit. Kur bëhet fjalë për planet dhe programet qeverisëse të entiteteve politike të cilat shfaqen në këto tubime, por edhe në paraqitjet në media, ato në masë të madhe janë po të njëjtat që nga zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar, dhe ato, po ashtu në një shkallë shumë të lartë, përbëhen prej premtimeve për paga më të larta dhe për një pozitë më të mirë sociale. Këtu ndodhë një garë e çuditshme në mes të liderëve dhe partive se kush do të ofrojë më shumë (para) për qytetarët, nëse ata do të mbërrijnë të marrin shumicën e duhur për formimin e Qeverisë së re. Çka do të bëhet me Kosovën si shtet në të ardhmen e afërt, apo, edhe në atë që matet me disa vjet, kjo nuk është fort temë që dominon këtë segment të fushatës. E kuptueshme. Do të mund të shtohej. Të tillë jemi bërë. Ai elementi që në këto raste, do të mund të ishte shumë i veçantë, në mos edhe vendimtar për përqindjet partiake dhe numrin e deputetëve në Kuvendin e ardhshëm, tek ne nuk ekziston fare, megjithëse këtu ia vlen të pohohet që një depërtim shumë i mirë tashmë ka ndodhur për zgjedhjet lokale, ku ka vite që ta zëmë, në garën për postin e Kryetarit të Prishtinës, kemi debate të mirëfillta në mes të garuesve kryesorë. Dhe nuk ka dyshim që këto përballje kanë lënë shenjë në rezultatet e zgjedhjeve. Kësaj here po hetohen edhe përpjekjet për debate të kësi lloji në mes të kandidatëve për deputetë të partive të ndryshme, madje, ka paralajmërime që do të ketë ballafaqim në mes të zyrtarëve të lartë partiak. Por, të jemi realist: Tek ne, tek qytetarët e Kosovës, thuaja gjithçka nisë dhe merr fund me figurën e liderit të një partie dhe të kandidatit për postin e Kryeministrit. Po të kishte një debat televiziv në mes të liderëve të partive kryesore të vendit, kjo do të kishte efekt të matshëm në epilogun e zgjedhjeve.