Çka të bëhet me raportin e BE-së me Ballkanin Perëndimor? 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 14.07.2021 17:54 14.07.2021 17:54 Të thuash nuk kalon java e plotë, pa një prononcim apo deklaratë kategorike të Josep Borrellit, Kryediplomatit të Bashkimit Evropian, në të cilën ky konstaton në mënyrë të prerë që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE, dhe që BE-ja si e tillë, duhet ta mbajë vëmendjen për të tashmen dhe të ardhmen e kësaj pjese të Evropës. Qëndrimet e këtilla janë për tu përshëndetur. S’ka fjalë. Por, prononcimet e këtij lloji, kanë të meta të shumta të cilat pastaj, ndikojnë në zhvlerësimin e tyre, apo, në mungesën e pranimit dhe të përkrahjes së duhur të tyre në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, apo, në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë. Vet ky lloj i deklarimit të shpeshtë të Borrellit, apo, edhe të krye-figurave të tjera të BE-së, është realisht trefish problematik. Së pari, ky theksim i veçantë i një perspektive të qartë të gjithë Ballkanit Perëndimor për tu bërë pjesë e hartës së madhe politike, ekonomike dhe gjeo-politike të BE-së, është bërë aq shpesh që nga ai Samiti i BE-së në Selanik (të vitit 2003, kur edhe u hap Kapitulli i përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE), saqë me kalimin e kohës, e ka humbur vlerën e vet të mirëfilltë. Kështu, të thuash askush këndejpari, në këto anë të Evropës, as prej politikanëve dhe as prej qytetarëve, nuk shfaqet i entuziazmuar kur lexon apo përcjell në TV deklaratat e këtij lloji, edhe kur bëhet fjalë pra për zyrtarët më të lartë të BE-së. Ato, nuk sjellin më me vete, fatkeqësisht, asnjë reagim nga marrësit/ recepientët e tyre. Rëndom, ato përcjellen me injorim. Së dyti, qëndrimet e këtij lloji, synojnë të jenë porosi, edhe për shtetet të cilat në një përballje evidente gjeo-politike me BE-në (dhe SHBA-në), në këto anë të Evropës, duan të luajnë një rol aktiv politik, ekonomik dhe tregtar në Ballkanin Perëndimor. Fjala është për Rusinë dhe Kinën. Por as këtu, në Moskën dhe në Pekin, nuk mund të llogaritet në një lexim serioz të këtyre prononcimeve të Borrellit dhe të instancave më të larta të BE-së. Fakti që Brukseli i sheh gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor si shtete, të cilat në përspektivë, në një të ardhme (të padefinuar fare, përndryshe), do të bëhen pjesë e BE-së, nuk lë kurfarë gjurme në udhëheqësitë ruse dhe kineze. Në ndërkohë, si Rusia ashtu edhe Kina do të vazhdojnë lojën e tyre politike dhe gjeo-politike në këto pjesë të Evropës, duke mos u trazuar fare nga prononcimet e kësisojta të autoriteteve më të larta të BE-së. Së treti, Kryediplomati i BE-së, me këto deklaratat e shpeshta të tij për relacionin e synuar dhe dëshiruar në mes të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, dëshiron, me gjasë, ta kompenzojë disi mungesën e një pozicioni të qartë strategjik dhe operacional të BE-së për zgjerimin në anët e veta Jug-Lindore. Ekziston pra një deficit evident politik, por edhe i kredibilitetit, në BE, më së shumti në vijim të pozicionimit të ditur të Emmanuel Macronit, Presidentit të Francës, dhe të disa shteteve të tjera (Holandës, Belgjikës), sa i përket afateve të mundshme kohore kur do të mund të ri-ngjallej ndërmarrja jetike e zgjerimit të BE-së me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Macron ka qenë lideri më i zëshëm evropian, në artikulimin e qëndrimit të tij i cili ishte vendimtar për ta ndalur procesin e zgjerimit të BE-së, me ato pohimet e tij që BE-ja duhet të reformohet brenda vetes, dhe ta vë rend, ta rregullojë ‘oborrin e vet’, para se të vazhdohet me shtrirjen e BE-së kah Ballkani Perëndimor. Në këtë mënyrë, u instalua, në këto anë të Evropës, një lloj vakumi politik dhe historik, i cili u shfrytëzua për një ndërhyrje edhe më të madhe të Rusisë dhe Kinës. ‘Deformimi’ i Ballkanit Perëndimor (në pritje të Reformimit të BE-së, për të cilin kërkohet kohë), dhe çrregullimi i zhvillimeve politike dhe ekonomike në këtë pjesë të Evropës, në vijim të rolit që kanë këndejpari Rusia dhe Kina (në pritje të Rregullimit të brendshëm në BE), mund të sjellin, si tash, ashtu edhe në të ardhmen e afërt, telashe të mëdha për vet BE-në, për funksioninim e saj, dhe për arritjen e një stabiliteti aftagjatë të Bashkimit Evropit. Këto dy procese, të Reformimit dhe Ri-rregullimit të BE-së (të cilat iu imponuan Brukselit më së shumti për shkak të Brexit-it), dhe të zgjerimit të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor, janë të ndërlidhura, apo, ato, nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, apo, thënë edhe më qartë, mund të ndodhë bashkërenditja e tyre. Natyrisht, është rrëfim krejtësisht tjetër, i cili në këtë kontekst do të mund të dukej i logjikshëm, nëse në BE do të kishin dyshime thelbësore sa i përket përmbylljes së Hartës së madhe të Bashkimit Evropian, me këto gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Atëherë, do të mund të kuptohej edhe ky raporti përjashtues në mes të Reformimit të BE-së dhe zgjerimit të BE-së. Por duket që këto dilema nuk ekzistojnë as në BE, dhe as tek shtetet e Ballkanit Perëndimor. Nuk ka BE-ja alternative kur bëhet fjalë për procesin e zgjerimit të vet me gjashtë shtetet e kësaj pjese të Evropës. Në mungesë të këtij zgjerimi, këndejpari mund të ri-hapet ajo ‘Arka e Pandorës’, e vizatimit dhe ri-vizatimit të kufijve etnik, përmes konflikteve dhe tragjedive të reja, me pasojat lehtë të parashikueshme për stabilitetin e Ballkanit dhe të mbarë Evropës. Nuk ka dyshime të theksuara as në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, si në politikat qeveritare ashtu edhe në qëndrimet opozitare, kur bëhet fjalë për synimet e këtyre shteteve për tu bërë pjesë përbërëse e BE-së, sa më parë që është e mundur. Zatën, kjo perspektiva e integrimit në BE, vazhdon të jetë forca kryesore shtytëse për t’i bërë të gjitha ndryshimet e duhura politike dhe ligjore në këto shtete, në përgatitje e sipër për finalen e anëtarësimit në BE. Nëse nuk ka hamendje as në BE dhe as tek këto gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor për marrëdhëniet që duhet të krijohen midis Brukselit dhe këtyre gjashtë shteteve, atëherë, do të duhej bëtë atë kalimin e duhur dhe të domosdoshëm, prej deklaratave të përgjithshme për perspektivën evropiane të këtyre shteteve, në një Plan të qartë strategjik për përfshirjen e përbashkët të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. ©klankosova.tv