Çka tash? 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 28.02.2023 14:41 28.02.2023 14:41 Takimi i 27 shkurtit në Bruksel, në mes të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe Emisarit Special për dialog, Miroslav Lajčak, nuk u përmbyll me dakordimin për Marrëveshjen Themelore, (apo, ‘Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë’, siç është titulli formal), por me paralajmërimin e qartë për një pajtim rreth Marrëveshjes që tash e tutje matet me pak javë. Çfarë u bë e qartë nga paraqitja e Borrell-it para mediave, ishte që më nuk ka dyshim që te da palët mbështetin qartë 11 Nenet e Propozimit Evropian, dhe që më nuk do të diskutohet fare për këtë Trupin bazë të Marrëveshjes (nëse mund të thuhet ashtu). Temë diskutimi ka mbetur Aneksi i zbatimit të Marrëveshjes, i cili, siç dihet, është pjesë e pandashme e Propozimit Evropian. Është thënë edhe më parë që fati i Marrëveshjes Themelore është zbatimi i saj. Zatën, ka shumë shembuj nga e kaluara e bisedimeve të këtij lloji, duke përfshirë këtu edhe përvojën nga Procesi i Brukselit (i nisur në vitin 2011), kur moszbatimi i Marrëveshjeve është shndërruar më pas në degradim të dialogut, dhe madje, në burim të tensionimeve në mes të palëve. Plani i implementimit të Marrëveshjes Themelore, mbi të gjitha do të duhej t’i shmangë ato grackat që dalin disi natyrshëm në ‘përkthimin’ e Parimeve të përgjithshme, sado konkrete që mund të jenë (siç zatën është edhe rasti me Propozimin Evropian të Marrëveshjes Themelore), në veprime konkrete/ operacionale. Në këtë kontekst, edhe duke pasë parasyshë përvojën e hidhur me bisedimet e Brukselit, s’do mend që do të duhej të qartësohej autoriteti suprem ndërkombëtar, i cili do të ishte garantues i zbatimit të kësaj Marrëveshje, por edhe të interpretimit të këtij Propozimi Evropian. Nuk mund të lejohet situata kur do të hidhet në diskutim përmbajtja e vet Marrëveshjes, në atë stilin ‘çka ka dashtë të thotë autori’, siç ta zëmë ka ndodhur me interpretimet diametralisht të kundërta të Kosovës dhe Serbisë të nocionit ‘overview’ në anglisht (në tekstin e Marrëveshjes së vitit 2013), të cilat u bënë ‘mollë sherri’ në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Natyrisht, do të ketë, në ecje e sipër të kësaj ndërmarrjeje të re ndërkombëtare, edhe befasi të reja (për të keq zakonisht), gjatë zbatimit të Marrëveshjes, e cila, në parim shihet si një hap i madh, mbase edhe vendimtar në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete. Nuk ka dyshim që në tekstin e Propozimit Evropian, Kosova dhe Serbia janë dy shtete të pavarura. Normalizimi final i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të mbërrihet përmes Marrëveshjes Gjithpërfshirëse, kur këto dy shtete do ta njohin njëri tjetrin formalisht. Marrëveshja Themelore, e cila duhet t’i paraprijë kësaj finales, e bënë të qartë, pos tjerash, që edhe Serbia e njeh Kosovën si subjekt ndërkombëtar i cili synon të sigurojë atë njohjen universale me hyrjen në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Megjithatë, për të hyrë në këtë fazën e zbatimit të ‘Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë’, duhet të ndodhë pajtimi i te dy palëve për Planin e zbatimit të saj. Kjo do të duhej të arrihej gjatë muajit mars. Më së voni, në javën e tretë të muajit mars. Nëse do të kërkohet pengesa kryesore për ecjen para në këtë proces të mbështetur fuqimisht nga Washingtoni, Brukseli, Berlini dhe Parisi, atëherë do të mund të thuhej që kjo (pengesë) shfaqet në trajtë të besimit zero në raportet aktuale në mes të Autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë. Vështirë që mund të gjindet kush në Perëndim që mund ta ofrojë një solucion për këtë shkallë aq të ulët të besimit në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Nënshkrimi i Marrëveshjes Themelore, me vet logjikën e saj, do të duhej ta ndryshonte dhe ta përmirësonte këtë situatë. Por ajo nuk ndreqet dot vetëm me Marrëveshje. Për te duhet bërë punë shumë më tepër, veçmas në atë naracionin e përgjithshëm, i cili do të duhej të synonte krijimin e raporteve të fqinjësisë së mirë në mes të Kosovës dhe Serbisë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.