Çka synon Vučić? 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 10.11.2022 17:19 10.11.2022 17:19 Është përtej çdo dyshimi që Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić, tash e sa muaj ka planifikuar kthimin përmbys të procesit të bisedimeve në mes të përfaqësuesve të Serbisë dhe atyre të Kosovës, për arritjen e Marrëveshjes politike për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Ai ka kërkuar vetëm sebepin apo pretekstin për ta bërë realitet planin e tij për largimin e polikanëve, zyrtarëve, policëve, gjyqtarëve serbë nga institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës. Këtë ai e gjeti në pezullimin e një zyrtari të lartë policor serb në rajonin e veriut të Kosovës, për shkak të refuzimit të tij për ta mbështetur Vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin gradual të zëvëndësimit të targave ilegale me ato të ligjshme në këtë pjesë të Kosovës. Për më shumë, ai e dekoroi këtë ish-zyrtar policor të Kosovës në një ceremoni fare patetike. Presidenti i Serbisë, në të vërtetë, e di shumë mirë që nuk ia vlenë barra qiranë (si thuhet), për të bërë gjithë këtë zhurmë për çështjen e targave. Tek e fundit, të njejtit politikanë, zyrtarë, policë dhe gjykatës serbë, të cilët u larguan nga institucionet e Kosovës në mënyrë demonstrative, kanë marrë letërnjohtimet e Republikës së Kosovës tash e sa vjet, kanë dhënë betim për respektimin e ligjeve të Republikës së Kosovës tash e sa vjet, kanë punuar dhe vepruar në një sistem politik dhe të rendit dhe ligjit të Republikës së Kosovës tash e sa vjet. Gjë e re, shikuar së paku nga kjo perspektivë, nuk do të ndodhte sikur të njejtin do ta përkrahnin edhe zëvëndësimin e targave ilegale KM në Veriun e Kosovës me ato RKS. Megjithatë, konteksti i ri në bisedimet në mes të Autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, i cili u paralajmërua tash e sa muaj nga kryeqendrat perëndimore, ka qenë ai shtytësi i mirëfilltë i këtij veprimi të Presidentit të Serbisë, i cili në justifikimin e tij (para opinionit ndërkombëtarë, në rradhë të parë), pohoi që në të vërtetë, ky na paska qenë vendim autokton i vet serbëve të Kosovës, e atij i ka mbetur vetëm ta mirëpres ate, pasi në të kaluarën i ka ndalur nja njëzet herë për ta bërë këtë gjë (e kësaj here ky nuk e bëri këtë). Ky kontekst i ri i bisedimeve një herë u shfaq në trajtë të një kornize të përshpejtuar kohore për bërjen e Marrëveshjes gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. U përmendën 18 muaj (deri kah fundi i vitit 2023), nga Washingtoni, Brukseli, Parisi dhe Berlini. Për liderin serb, kjo kornizë e përshpejtuar kohore është e papranueshme si e tillë. Ai nuk do të ngutet, sepse dëshiron ta pres epilogun e Luftës ruse në Ukrainë. Për shkak të zhvlerësimit të madh të ‘Kartës ruse’ prej invadimit të Ukrainës e këndej (në shkurt të këtij viti), ai e di që përkrahja e Moskës zyrtare për te gjithnjë e më shumë ka atë dukurinë e ‘puthjes së vdekjes’. Herën e dytë, ky kontekst i ri mori trajtën e një Nisme franko – gjermane për një ecje të shpejtuar drejt Marrëveshjes bazë politike. Kjo Nismë nuk kishte si të mos shfaqej në formë të një Propozimi i cili konstaton ate që dihet botërisht që nga viti 2008 e këndej: Kosova dhe Serbia janë dy shtete të pavarura, dy shtete të barabarta, të cilat duhet t’i rregullojnë marrëdhëniet në mes vetes, në atë mënyrë që normalizimi i këtyre raporteve të kontribojë në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa ky stabilizim, veçmas pas ngjarjeve të shkaktuara nga Rusia në Ukrainë, është një interes jetik për SHBA-në, BE-në, Francën dhe Gjermanisë. Presidenti i Serbisë ka refuzuar këtë Propozim, siç u bë e ditur në fundjavën e kaluar. Për më shumë, ai ka kuptuar, si asnjëherë më parë në vitet e fundit, që edhe çdo Propozim tjetër i Perëndimit i cili do të mund të shërbente si bazë dhe udhërrëfyes për të ecur në drejtim të arritjes së Marrëveshjes finale politike në mes të dy shteteve, do ta ketë pak a shumë të njejtën përmbajtje. Statusi i Kosovës është zgjidhur një herë e përgjithmonë. Këtë e di mirë edhe vet Vučić. Sidoqoftë, ai nuk dëshiron të ketë si pikënisje të bisedimeve të fazës finale një Dokument të këtillë, i cili niset nga ai realiteti legal dhe politik i krijuar në shkurtin e vitit 2008, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe i cili (realitet), për më shumë, u konfirmua në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), në muajin korrik të vitit 2010. Vučić synon që pikënisja e kësaj faze të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit të jetë ’shkurorizimi’ politik dhe institucional i komunitetit serb nga pushteti lokal dhe qendror i Kosovës. Me këtë synim të Presidentit të Serbisë, nuk do të bisedohej, realisht, për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, nga pozicionet e barabarta, por nga pozicioni sipas të të cilit, Serbia do ta kishte avantazhin e madh fillestar sepse do ta kishte nën kontroll të plotë komunitetin serb në Kosovë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.