Çfarë tha për dëshmorët Albin Kurti? (Mesazh akademikëve...) - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Çfarë tha për dëshmorët Albin Kurti? (Mesazh akademikëve…)

123
string(12) "Enis Reçica" string(63) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/03/enisiiiiii.jpg"
07.03.2022 20:00

Kryeministri Albin Kurti, ky inxhinier, që e ka merak matematikën, por filozofinë e pandeh më shumë takimeve publike, shfaqet shpesh edhe me rimën letrare, e konceptet filozofike.

Mendimin e vet, shprehur përmes gërshetimit të ekuacioneve, me eksponentë të njohur e të panjohur, e zbërtheu edhe njëherë me qasje filozofike në Akademinë përkujtimore në shënim të 24- vjetorit të Epopesë së UÇ​K-së, në Sallën e Kuqe në Prishtinë më 6 mars 2022.

Aty u çoi mesazh njerëzve që thirren se dinë, e që duan me ditë mbi diturinë.

“Besoj se ju po e kuptoni shqetësimin tim” – nisi fjalën Kurti, duke theksuar qysh në fillim, një brengë të kahershme, por që mbase pozicioni i deritanishëm në hierarkinë institucionale, ia ka pamundësuar ta shpreh. Jo pse nuk ka pasur të drejt të flas, por mesazhi do jehonte shkurt. Tani, përveç që është shef ekzekutivi edhe fjalët i kanë më shumë peshë.

“…duhet të kuptojmë dëshmorët në ligjërimin akademik…”, saktëson shqetësimin folësi.

Në ligjërimet botërore akademike, në universitete, kolegje, institute e shkolla, të shumtë janë heronjtë e dëshmorët nëpër rreshtat e literaturës botërore që trajtohen në letërsi, histori, filozofi e politikë. Të njëjtit, përdoren si shembuj frymëzimi, e analizash teorike. E tek ne, në Kosovë, kaherë, është reaguar mbi cektësinë e përmbajtjeve mësimore e studimore epoka e Luftës së 98-së e mbi dëshmorët e saj.

Njeriut – thotë Aristoteli, është një qenie politike. Me këtë qasje, vazhdon folësi pretendimin se “Ata (dëshmorët) kanë qenë politik”, jo politikan të 20 viteve të fundit “që janë ngritur mbi gjakun e tyre”. Por, janë politik, mbi kauzën për liri, që domosdo është politikë. Ndonëse duke i ikur e shpëtuar “përvetësimit prej ideologjive” (majtiste, djathtiste, qendër etj.), me të cilat thirren partitë politike, siç operojnë në kushtet teorike. Duke qenë dëshmori politik si qenie e si fenomen, edhe shkenca mund t’i studioj me qasjen e saj teorizuese.

Kurti, tërheq një kritikë tjetër! Mos pajtimin me mbushjen e oborreve të shkollave e qendrave studiuese, me shtatore bronzi, duke besuar se nëpër këto institucione para së gjithash “duhet të kemi momentet e dëshmorëve dhe jo vetëm monumentet e dëshmorëve”. Për fatkeqësinë tonë, ne jemi dëshmitar i të dytës, shumë më shumë para të parës. Oborret e institucioneve arsimore janë të mbushura gjithandej territorit tonë, me figura të dëshmorëve, apo edhe me fotografi të vendosura mbi emrin, mbiemrin dhe vitet e jetës së heroit. Momentet e tyre jo! Historia, veprimtaria, qasja e të vepruari mungojnë, nuk studiohen, nuk përmenden gjëkundi. Por, nëse ndodh e para, që akademikët, profesorët, studiuesit e mësuesit, të nisin analizën mbi historitë e dëshmorëve, atëherë, Kurti thotë “dëshmorët do t’i shërbejnë semantikës sonë akademike, politike, historike dhe jo të vendosen në shërbim të karrierave personale”.

Duke qenë si të përjetshëm, e të pavdekshëm, dëshmorët duhet të shfrytëzohen për të bërë e formuar teori, hulumtime, e punime shkencore me lloj-lloj referencash teorizuese. Dhe jo vetëm, paraqitje publike e të tjerëve, duke thurur leksione lëvdatash, për t’i hyr në hatër dikujt, e në tentim të fitimeve karrieriste.

“Aty ku prodhohet e kultivohet dija, duhet studiuar e mësuar dëshmori, në shkollat tona, në universitetet tona” – me këtë e vulos brengën parësore folësi. Veçse, mësimi nuk mund të bëhet duke shqyrtuar vetëm vitin e lindjes dhe vdekjes. Apo vendin e luftës, e numrin e betejave. Jo, jo! Nëpër këto vende studimi, thirrësi – thirr për tu studiuar ndërdija e vepruesit-dëshmorit, mënyra e të bërit aksion, e të vepruarit, dhe në fund e guximit për tu sakrifikuar. Për krejt këto tipare e shumë të tjera, që duhet t’i zbërthej shkenca, teoricienët, akademikët fundja, janë vlera që duhet të integrohen në shoqërinë tonë, kërkon Kurti.

Shefi i Qeverisë, që u paraqit si nxitës i debateve shkencore, lëshoi edhe disa pyetje hulumtuese, që duan përgjigje nga studiuesit:

  • E para, si të gjenden dëshmorët dhe reflektimet e tyre, të cilët në shumë pak raste i njohëm në fjalën publike, si të gjenden pra dëshmorët personazhe të narrativës në shkencën historike?

Kërkesë e kësaj pyetje, është zbërthimi i unit të dëshmorit, mendimeve të tij që quan në luftë e në flijim. Kërkohet të trajtohen si personazhe, jo si emra, por si brumë i të vepruarit.

  • Tjetra, si ta pajisim atë vendim radikal të tyre për të shkuar drejt aksionit politik pa garancinë e rezultatit, pa sigurinë e shpëtimit, pra si ta vendosim këtë segment intim mes vetes dhe publikes në narrativën historike. Sepse, jo dëshmorët, por ne kemi nevojë absolute për ta përkthyer aktin në fjalë, për të vendosur në të njëjtin rend relativen e jetës me absolutin e dhënies së jetës?

“Guximi për të vepruar” – që thotë Barack Obama, nuk u mungoi dëshmorëve, prandaj edhe janë dëshmor, pasi që guxuan për të luftuar. Por, mungon në segmentin teorik e shkencor, ndonëse faktet janë në teren, artikulimi i arsyes që qoi dëshmorin në flijim për liri, ndonëse nuk ka pasur asnjë siguri mbi rezultatet: as se do të shpëtoj i gjallë pas betejës, e as se pas vdekjes në pushkë të armikut, vjen edhe liria për atdheun e tij. Fundja, kërkohet përgjigje mbi peshën e jetës dhe vdekjes nga dëshmori? Apo janë të barabarta?!

  • Dhe së fundmi, si të mendohet në një letërsi ku ndërtohet situata me dendësinë e marrëdhënieve njerëzore e shoqërore në të, para dhe pas dëshmorit, që pikërisht për shkak të dëshmorit vlerësohet edhe më ndryshe përveç se ndryshimit të shkaktuar?

Dhe së fundmi, Kurti kërkon të dijë nga akademikët, profesorët, studiuesit e mësimdhënësit, arsyet pse një luftëtarë, pas vdekjes në luftë bëhet hero, e para saj, nuk e ka edhe namin e njëjtë. “Para dhe pas dëshmorit” – mund të aludohet edhe në kërkimin e shpjegimit të heroizmit dhe lartësimit të dëshmorit pas vdekjes, në njërën anë, dhe në anën tjetër, mos lavdërimin e njëjtë të heronjve që kanë luftuar, dhe për fat të mirë janë gjallë, s’janë dëshmorë.

Prandaj, thirrësi, kërkon që të mos mbesin dëshmorët vetëm nëpër oda e data përkujtimoresh. E fajet në këtë, janë tek njerëzit e dijes, bile edhe me habi shprehet: “si ka mundësi që jeta universitare e ndjen veten pothuajse të pavarur nga regjistrimi i saj mbi çlirimtarët”. Të njëjtit, e kanë obligim, që ta pavarësojnë dijen, e teorinë që e ligjërojnë pranë gjeneratës së re, duke marr si mostra studimi njerëzit – dëshmorët e vendit tonë, të freskët në kujtime, por të harruar në teori studimore. E këtë mision duhet ta bëjnë “profesorët e shkencave humane, filozofi, politikë, psikologji, e sidomos letërsi dhe histori”. Të njëjtit e kanë për obligim, që ta artikulojnë mësimin mbi studentët, fundja se çfarë “i shtyu shumë shqiptarë të shkojnë luftëtarë e të kthehen dëshmorë”.

Edhe një kritik, për fund e bëri Albin Kurti, në kuadër të Akademisë së Epopesë së UÇK-së. “Sot e përditë, ne shprehim admirimin e solidaritetin, i thurim lavde popullit dhe rezistencës së Ukrainës, … Mirëpo, nuk duhet të harrojmë, se para më pak se çerek shekulli, shqiptari është bërë dëshmor në kushtet e mos-ekzistencës së shtetit dhe të ushtrisë shtetërore”. Me këtë, besojmë se po aludohet që të shikohet në pragun e shtëpisë, para se të dilet jashtë tij. Heronj e dëshmorë, kemi mjaftueshëm, të cilët “luftonin deri në frymën e fundit pa ushtri shteti e për liri populli”.

Kjo, pra duhet të analizohet nëpër çdo lloj institucioni arsimor në Kosovë. Dhe jo t’i jepet më shumë hapësirë mësimeve nga jashtë (siç ishte kërkesa e SBASHK-ut për ligjërim nëpër shkolla ndaj situatës në Ukrainë), kur ka brenda mjaftueshëm fakte heroike.

Në fund, Kurti njoftoi “një nismë: në kushtet e paqes, universalitetin e një kombi, detyrën e dëshmorëve në luftë, e merr universiteti dhe institucionet në paqe”. Por nuk u dhanë detaje të tjera, se si do të realizohet vërtetë kjo nismë, dhe a do zbatohet kërkesa e vërtetë e Kurtit nga njerëzit e dijes.

Sigurisht, Kurti, edhe pret përgjigje, nga ndokush, nëse veç e kanë kuptuar thirrjen e tij.

Autori Enis Reçica ka përfunduar masterin në Shkencat Politike dhe punon si gazetar)

(Ky është qëndrim personal i autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimin editorial të Klankosova.tv)

 

lajme të ngjashme