Çfarë solli për Kosovën “Marrëveshja e normalizimit ekonomik me Serbinë”? - Klan Kosova

Çfarë solli për Kosovën “Marrëveshja e normalizimit ekonomik me Serbinë”?

2 javë më parë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq,  bënë një hap të jashtëzakonshëm drejt një zgjidhjeje afatgjate lidhur me konfliktin e tyre historik. Në Shtëpinë e Bardhë, nën kujdesin e Presidentit Trump, Presidenti Vuçiq dhe Kryeministri Hoti, nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar për të arritur normalizimin ekonomik midis popujve dhe qeverive të Kosovës dhe Serbisë.

Që nga viti 2017, pozicioni i SHBA së mbi konfliktin Kosovë Serbi ka qenë që hapat drejt normalizimit ekonomik do ta zbehin fuqinë dhe rëndësinë e çështjeve politike të mosmarrëveshjeve. Palët kanë rënë dakord në kontekstin e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike, të ndërtojnë një autostradë dhe lidhje hekurudhore midis kryeqyteteve të tyre përkatëse, Beogradit dhe Prishtinës. Ata janë zotuar për të studiuar opsionet e fizibilitetit në mënyrë që të lidhet infrastruktura hekurudhore me një port në detin Adriatik. Të dy palët do të punojnë me Korporatën Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar të SHBA-së dhe Bankën Eksport-Import për të mbështetur këto projekte dhe për të siguruar financime për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Të gjitha këto marrëveshje do të mundësojnë një qarkullim më të lirë dhe më efikas të njerëzve dhe mallrave përtej kufirit midis Serbisë dhe Kosovës. Sa i përket vetë kufirit, Serbia dhe Kosova kanë rënë në ujdi të hapin dhe funksionalizojnë “Pikën e Përbashkët Kufitare në Merdare”, për të njohur diplomat dhe certifikatat profesionale të njëri-tjetrit dhe për t’u futur në “zonën mini-Shengen”, të njohur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetorin e 2019-t-ës.

Marrëveshja gjithashtu zbaton një moratorium një vjeçar në kërkimin e Kosovës për anëtarësim të ri në organizatat ndërkombëtare dhe një moratorium një vjeçar për fushatën e njohjes së Serbisë kundër Kosovës.

Moratoriumi në fjalë mund të shërbej si një “Armëpushim diplomatik në mes palëve në mosmarrëveshje Kosovë Serbi”, që tu japi mundësi të re në arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve politike.

Njohja e Kosovës, shtet nga Izraeli

Para së gjithash, duhet theksuar se “Njohja e Kosovës nga Izraeli vjen në mënyrë të përshpejtuar, por jo në mënyrë të papritur. Për Kosovën, njohja nga Izraeli konsiderohet si një ndër njohjet  më të rëndësishme,  pas atyre që u morën më parë nga SHBA, Gjermania, Franca, Italia dhe Turqia, menjëherë pasi Kosova shpalli shtetësinë e saj, me 17 shkurt 2008.

Padyshim, elementët kryesorë që ndikuan në këtë proces ishin ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Shtëpisë së Bardhë dhe realiteti i ri i krijuar nga marrëveshja e para pak javëve ndërmjet Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe”.

“Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve apo thënë më saktë Izraelit dhe Kosovës, mungonin sepse druheshin prej asaj që mund të shihej si pavarësi unilaterale e Kosovës dhe që mund të përdorej si precedent për konfliktin në Lindjen e Mesme. Por, marrëveshja e Izraelit me Emiratet, edhe ajo e ndërmjetësuar drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara, tregoi se pozicioni i Izraelit në arenën ndërkombëtare e tejkaloi konfliktin. Ky realitet i ri në terren, sipas të gjitha gjasave e çliroi Izraelin nga hezitimi. Nga ana tjetër, garancitë e ofruara nga Shtetet e Bashkuara për vendosjen e ambasadës së Kosovës dhe Serbisë në Jerusalem, ishin padyshim elementi final që lëvizi Izraelin drejt njohjes formale të shtetësisë së Kosovës.

Qëndrimi i Bashkimit Evropian

Qëndrimi i BE-së, i paraqitur nga zëdhënësi i saj  Peter Stano, theksoi se pozicioni i BE-së, për lëvizjet e ambasadave në Jerusalem është i njohur dhe nuk ka ndryshuar. Nuk ka shtet të BE-së me ambasadë në Jerusalem. Nuk ka delegacion të BE-së në Jerusalem. Është në vijë me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara. BE e ka përsëritur përkushtimin për zgjidhjen për dy shtete. Duhet gjetur rrugë nëpërmjet dialogut për të zgjidhur statusin e Jerusalemit si kryeqendër e dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës.

Në instancë të fundit, mund të themi se në takimin historik të mbajtur me 30 gusht 2020 në Uashington, në mes të Kryeministri të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë bërë hapa të jashtëzakonshëm drejt një zgjidhjeje afatgjate të mosmarrëveshjeve ekonomike, dhe të investimit të shumë projekteve infrastrukturore me karakter rajonal, në mes dy vendeve pa “Thika mbi harta” dhe kësi soji u dëshmua edhe një herë se roli SHBA-së, në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike, dhe ekonomike ndërkombëtare, në mes shteteve, është i pa diskutueshëm në përmbylljen e konflikteve, si dhe mbështetjen e Kosovës dhe Serbisë në zhvillimin e mëtejmë ekonomik.

-E arritur tjetër e takimit të Uashingtonit, e që është fasclituar nga administrata Trump,   midis kryeministrit Hoti, dhe Presidentit Vuçiq, ishte largimi nga  agjenda  e bisedimeve e “Idesë së shkëmbimit të territoreve, Kosovë Serbi”.

-Çështje problematike e atij takimi mbetët pjesa, kur presidenti Trump, e quan Kosovën si komb mysliman, e që në fakt është e kundërta, sepse Kosova, para së gjithash është komb shqiptar, dhe me pas i takojmë besimeve të ndryshme, por, me  shumicë myslimane;

-Ujmani de juro i takon Kosovës, por de facto Qeveria e Kosovës, pa lejen ndërkombëtare nuk arritur asnjëherë të kontrolloj atë pjesë, dhe mirë që është vendos arbitër SHBA-ja, rreth shfrytëzimit të asaj pasurie ujore, e jo BE-ja;

-Gjithashtu, njohja nga Izraeli, mund të jetë e rëndësisë së veçantë, për ne si Kosovë, dhe goditje për shtetin serb,  por, në anën tjetër, Kosova nuk duhet prish bilancin e raporteve politike me Bashkimin Evropian sepse ne si shtet në politikat afatgjata kemi për qëllim anëtarësimin në  institucionet e BE-së.