Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Çfarë mund të përfitojmë nga bojkoti i Listës Serbe?

123
string(12) "Enis Reçica" string(63) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/03/enisiiiiii.jpg"
nga Enis Reçica 09.11.2022 20:02

Krizat, çfarëdo qofshin ato, mund të sjellin pasiguri, frikë, vështirësi, orientime që mund të çojnë në qorrsokak. Por, vetëm për kritikët, që kritikën e kanë sa për të kritikuar.

Edhe nga trazirat mund të përfitohet, nëse ka qetësi në thellësinë e të menduarit. Fundja, politikbërja/politika është manipulim i aftësive mbi kushtet në të cilat gjendet politikbërësi.

Një krizë të rëndë e solli bojkoti i institucioneve të Republikës së Kosovës nga ana e subjektit kryesor serb. Lista Serbe la Kuvendin (me 10 deputetët e saj), la Qeverinë (më një ministër të saj dhe zëvendës ministra), policinë, gjyqësorin…, e katër komunat veriore, ku janë shumicë si komunitet.

Duke qenë se gjithmonë ekziston një “POR”, edhe këtu na nevojitet një lidhëse. Por, krizë mund të ketë vetëm për subjektin politik. Si parti ajo humbet pushtet, humbet edhe financa, si individë të angazhuar politikisht në këtë alternativë serbe në Kosovë humbasin në karrierë. Humbje nuk mund të ketë për serbët si popullsi, e as për Kosovën si shtetësi. Për këtë të fundit, përfitimet mund të dalin edhe më të mëdha dhe të pamenduara mbase për rrjedhën e konkluzioneve përfundimtare të këtyre ngjarjeve bojkotuese.

Si opsion përfitimi politik, mund të jetë mundësia e ndryshimeve kushtetuese.

Shumë herë, Kosova u gjend përballë vështirësive Kushtetuese, që nuk përputhen me rrjedhat e sistemit jetësor institucional. Kemi hasur shpesh në ngërçe politike e gjyqësore, për çka, zakonisht me 9 prill, kur shënohet përvjetori i Kushtetutës, kërkohet edhe ndryshimi i saj.

Politikanët kosovarë edhe e kishin ndërruar atë nëse nuk do të ekzistonte pika e dytë e nenit të 144 të Kushtetutës.

Aty thotë:

“Çdo ndryshim do të kërkojë miratimin e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Kosovës”.

Pra, edhe nëse politikanët shqiptarë dhe ata të komuniteteve jo serbe do pajtoheshin për ndryshime, rezistenca dhe mosbashkëpunimi ekziston tek komuniteti jo bashkëpunues serb i kontrolluar nga politika qendrore në Serbi. Tashti, me bojkotin e Listës Serbe, që asnjëherë nuk ka bartë më vete natyrshmërinë e bashkëpunimit, të dhjetë deputetët që i garantohen me Kushtetutë (që mund të ndryshohet, me ndryshime kushtetuese), do t’i zënë kandidatët serbë që garuan në zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021, nga subjektet tjera politike. Plotësimi i ulëseve me serbë i garantohet këtij komuniteti me nenin 64, pika e dytë në Kushtetutën e Kosovës.

Aty thuhet: “koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin Serb, do të kenë numrin e vendeve në Kuvend të fituar në zgjedhjet e hapura, me minimumin dhjetë (10) vende të garantuara, në rast se numri i vendeve të fituara është më i vogël se dhjetë (10)”.

Këto vende mund t’i zë Sllavisha Petkoviq, që mori 148 vota, bashkë me pesë deputetë të subjektit të tij, SDS. Ulëse pritet të marrë edhe ish-deputetja Rada Trajkoviq nga IQ SPO, që më 14 shkurt pati marrë 595 vota. Këta emra shumë herë i kemi parë si kundërshtarë të Listës Serbe, e në favorizim të jetës së serbëve në Kosovë. Mbase me këta, 110 deputetët tjerë të Kuvendit të Kosovës mund të bien në një gojë për disa ndryshime kushtetuese.

Nga këta serbë, dikë Qeveria e Kosovës do ta bëjë edhe ministër, ashtu siç i garantohet edhe me Nenin 96 në pikën e 3, ku thuhet se “në Qeveri do të jenë së paku një (1) Ministër nga komuniteti Serb…”. Ky serb, sigurisht, më i moderuar, i cili e sheh realitetin e funksionimit të shtetësisë së Kosovës, mund të jetë, konsiderueshëm, më bashkëpunues me palët tjera në Kosovë.

Veç në këtë rrafsh, shqiptarët, apo komunitetet tjera jo serbe, mund të udhëheqin me katër komunat veriore në vend.

Në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale, si bazament i komunave, kryetarit të qeverisjes lokale i përfundon mandati në rast se jep dorëheqje. Kjo specifikohet në nenin 56, pika 3.

Të katër komunat e veriut të Republikës së Kosovës kanë mbetur pa zot shtëpie që nga vikendi i parë i muajit nëntor, 2022. Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku e Zveqani do detyrohen të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Këtu kërkohet një hamendeshim i lehtë, në rrjedhë me ngjarjet. Lista Serbe, pas bojkotit, pas dorëheqjes nga institucionet lokale, ka shumë të ngjarë që nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme, që do t’i bëjë gati KQZ-ja. Aty do garojnë subjektet tjera serbe, që pak vota marrin kur të jenë përballë subjektit të asistuar nga Beogradi. Po ashtu, në garë, rëndom, do futen edhe subjektet e tjera nga komunitetet tjera, edhe nga ai shqiptar. Shqiptarët kanë disa asamblistë në ato Komuna. Në situatën më të mirë të mundshme, mund të ndodhë që ato komuna të fitohen nga shqiptarët, apo komunitetet tjera jo serbe. Kjo do i mundësojë një shtrirje institucionale, edhe në rrafshin e administratës lokale, partive shqiptare me bashkëpunëtorë.

Sigurisht, për të ndodhur këto duhet një punë jo edhe e lehtë, pasi është situatë krize nga e cila mund të dalë epilog i papritur suksesi. Pse jo, të mendohen alternativat…

(Autori Enis Reçica ka përfunduar masterin në Shkencat Politike dhe punon si gazetar)

(Ky është qëndrim personal i autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimin editorial të Klan Kosovës)

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme