Brenda botës së Zelenskyt 123 string(13) "Simon Shuster" string(66) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/04/Simon-Shuster.png" nga Simon Shuster 29.04.2022 22:38 29.04.2022 22:38 Netët janë më të vështirat, kur ai shtrihet në shtratin e tij, rënkimi i sirenave të sulmeve ajrore në veshët e tij dhe telefoni që ende vibron afër tij. Ekrani i telefonit e bën fytyrën e tij të duket si fantazmë në errësirë, sytë e tij skanojnë mesazhet që nuk kishte mundur t’i lexonte gjatë ditës. Disa janë prej bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, shumë janë prej këshilltarëve të tij, disa prej trupave të tij, të rrethuar në bunkerët e tyre, duke i kërkuar sa e sa herë për më shumë armë për ta thyer rrethimin rus. Brenda bunkerit të tij, presidenti e ka shprehi që t’ia ngulë sytë agjendës së tij ditore edhe kur dita të ketë mbaruar. Ai shtrihet por rri zgjuar dhe hamendëson nëse i ka ikur diçka, nëse e ka harruar dikë. “Është e kotë”, më tha Volodymyr Zelensky në një kompleks presidencial në Kiev, krejt afër zyrës së tij, ku ai nganjëherë fle. “Është agjenda e njëjtë. E shoh që për sot është kryer. Por e shikoj disa herë dhe ndiej sikur diçka është gabim.” Nuk është ankthi që nuk ia lë sytë t’i mbyllen. “Është ndërgjegjja që më bren”. Mendimi i njëjtë vërdalliset në kokën e tij. “E kam lënë veten të fle, por tash çka? Diçka po ndodh tani”. Diku në Ukrainë bombat ende po bien. Civilët janë ende të ngujuar në bodrume apo nën rrënoja. Rusët ende po kryejnë krime lufte, përdhunime dhe torturë. Bombat e tyre po rrafshojnë qytete të tëra. Qyteti i Mariupolit dhe mbrojtësit e tij të fundit janë rrethuar. Një betejë kritike ka filluar në lindje. Mes gjithë kësaj, Zelensky, komiku i bërë president, ende ka nevojë që ta mbajë botën të angazhuar dhe t’i bindë udhëheqësit e huaj që shteti i tij ka nevojë për ndihmën e tyre tani dhe me çdo kusht. Jashtë Ukrainës, Zelensky më thotë, “Njerëzit e shohin luftën në Instagram, në mediet sociale. Kur u vjen te hunda, e largojnë nga ekrani”. Është natyrë njerëzore. Tmerret e kanë një mënyrë se si të na i mbyllin sytë. “Ka shumë gjak”, shpjegon ai. “Ka shumë emocione.” Zelensky ndien që vëmendja e botës po dobësohet dhe kjo e trazon atë po aq sa bombat ruse. Shumicën e netëve, kur e skanon agjendën e tij, lista e detyrave më pak ka të bëjë me vetë luftën se sa me mënyrën se si ajo po perceptohet. Misioni i tij është që ta bëjë botën e lirë ta përjetojë luftën ashtu siç po e përjeton Ukraina: Si çështje të vetë mbijetesës së botës së lirë. Ai duket sikur po ia del. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa i janë vënë në ndihmë, duke i siguruar Ukrainës më shumë armë se sa që i kanë siguruar ndonjë shteti tjetër gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mijëra gazetarë kanë ardhur në Kiev, duke e mbushur postën e stafit të tij me kërkesa për intervistë. Kërkesa ime nuk ishte vetëm për një mundësi për ta pyetur presidentin. Ishte që ta shoh luftën në mënyrën se si ai dhe ekipi i tij e kanë përjetuar. Përgjatë dy javëve të prillit, ata më lejuan që ta bëj këtë në kompleksin e presidentit në Rrugën Bankova, që t’i vëzhgoj rutinat e tyre dhe të rri në zyrat ku ata tash jetojnë dhe punojnë. Zelensky dhe stafi i tij e bënë vendin që të duket sikur është pothuajse normal. Lëshonim batuta, pinim kafe, prisnim për takime nga fillimi në fund. Vetëm ushtarët, shoqëruesit tanë përherë të pranishëm, e mishëronin luftën teksa ne na përcillnin me elektrikë dore nëpër korridoret e errëta, përtej dhomave ku flinin në dysheme. Përvoja e ilustronte se sa shumë Zelensky ka ndryshuar qëkur ishim takuar për herë të parë, tre vjet më herët, në prapaskenën e emisionit të tij komik në Kiev, ku ai ishte ende një aktor që garonte për president. Sensi i tij i humorit është ende i padëmtuar. “Është mënyrë mbijetese,” thotë ai. Por dy muaj të luftës e kanë bërë atë më të vështirë, më shpejt të zemërueshëm dhe shumë më komod me rrezikun. Trupat ruse qenë shumë afër që ta gjenin atë dhe familjen e tij në orët e para të luftës, me të shtënat e armëve të tyre që dëgjoheshin brenda mureve të zyrës së tij. Imazhet e civilëve të vdekur ende i faniten. Ashtu edhe apelet ditore nga trupat e tij, qindra prej të cilëve janë të ngujuar nëntokë, të cilëve po u harxhohet ushqimi, uji dhe municioni. Ky përshkrim i Zelenskyt në luftë bazohet në intervistat me të dhe me një sërë ndihmësish të tij. Shumica prej tyre ishin hedhur në këtë përvojë pa përgatitje reale. Shumë prej tyre, sikurse vetë Zelensky, vinin nga bota e aktrimit dhe shoubizit. E të tjerët para luftës njiheshin në Ukrainë si blogerë dhe gazetarë. Në ditën që u takuam për të fundit herë – e 55-ta e pushtimit – Zelensky njoftoi për fillimin e betejës që mund t’i jepte fund luftës. Forcat ruse ishin rigrupuar, pasi kishin pësuar humbje të rënda përreth Kievit, dhe kishin filluar me sulme të reja në lindje. Aty, Zelensky thotë që ushtritë e njërës palë apo të tjetrës, me shumë gjasë, do të shkatërrohen. “Kjo do të jetë një betejë në shkallë të gjerë, më e madhe se çdo betejë tjetër që e kemi parë në Ukrainë,” më tha Zelensky më 19 prill. “Nëse mbahemi”, thotë ai, “do të jetë moment vendimtar për ne. Pikë kthese”. Në javët e para të pushtimit, kur artileria ruse ishte brenda distancës së gjuajtjes në Kiev, Zelensky rrallë e priste lindjen e diellit para se ta telefononte gjeneralin kryesor për raportim të statusit. Telefonata e tyre zakonisht ndodhte rreth orës pesë të mëngjesit, para se të fillonte futja e dritës përtej thasëve me rërë në dritaret e objektit. Më vonë ata e shtynë bisedën për ca orë, mjaftueshëm kohë për Zelenskyn që të hajë kafjall – pandryshueshëm vezë – dhe të shkonte për në dhomat presidenciale. Ky set dhomash ndryshoi fare pak pas pushtimit. Mbeti fshikë gjethi të artë dhe orendi pallati që stafi i Zelenskyt e konsideron shtypëse. (“Së paku nëse ky vend bombardohet”, mahitej njëri prej tyre, “nuk do të na duhet t’i shohim më këto gjësende”). Por rrugët përreth kompleksit u bënë labirint i barrikadave dhe pikave të kontrollit. Veturat e civilëve nuk mund të afrohen dhe ushtarët ua kërkojnë këmbësorëve fjalëkalimet sekrete që ndryshojnë përditë, zakonisht fraza të pakuptimta, si mbajtëse e filxhanit të kafesë, që shqiptohet vështirë nga rusët. Përtej pikave të kontrollit është distrikti i qeverisë, i njohur si Trekëndëshi, të cilin forcat ruse tentuan ta kapin në fillim të pushtimit. Kur erdhi puna të flitej për ato orët e para në intervistë, Zelensky ma tërhoqi vërejtjen që kujtimet ekzistojnë “në një formë të fragmentuar”, në një set imazhesh e tingujsh të hapërdarë. Kujtimet më të qarta ndodhën para lindjes së diellit më 24 shkurt, kur ai dhe bashkëshortja e tij, Olean Zelenska, shkuan t’u thonë fëmijëve të tyre se bombardimi kishte filluar dhe që të përgatiten për të ikur nga shtëpia e tyre. Bija e tyre, që është 17-vjeçare, dhe i biri, nëntë, ishin mjaftueshëm të rritur për ta kuptuar se ishin në rrezik. “I zgjuam”, më tha Zelensky, dhe sytë i futeshin brenda. “Ishte e zhurmshme. Kishte eksplodime atje”. Shpejt u bë e qartë që zyrat presidenciale nuk ishin vend i sigurt për të qëndruar aty. Ushtria e informoi Zelenskyn që ekipet gjuajtëse ruse kishin parashutuar në Kiev për të vrarë ose kapur atë dhe familjen e tij”. “Para asaj nate, ne gjëra të tilla kishim parë vetëm në filma,” thotë Andriy Yermak, shef i stafit të presidencës. Derisa trupat ukrainase luftonin me rusët në rrugë, garda presidenciale tentoi ta izolojë kompleksin me çfarë mundte. Një portë te hyrja e pasme ishte bllokuar me një tog barrikadash policore dhe dërrasa kompensatë, që i ngjanin një oborri skrapi më shumë sesa një fortifikate. Miq dhe aleatë shkonin te Zelensky, nganjëherë madje duke i shkelur protokollet e sigurisë. Disa prej tyre i sollën familjet e tyre në kompleks. Nëse presidenti vritet, atëherë hierarkia në Ukrainë parasheh që kryeparlamentari ta marrë komandën. Por Ruslan Stefanchuk, mbajtësi i këtij posti, voziti drejt e në rrugën Bankova atë mëngjes të pushtimit, e nuk vajti për strehim në distancë. Stefanchuk ishte mes të parëve që e kishin parë presidentin në zyrën e tij atë ditë. “Nuk kishte frikë në fytyrën e tij,” më tha ai. “Ishte pyetja: Si mund të bëhej një gjë e tillë? Për muaj, Zelensky i kishte minimizuar kërcënimet nga Uashingtoni se Rusia do të bënte pushtim. Tani ai e regjistroi faktin që një luftë e gjithanshme kishte shpërthyer, por nuk mund ta kuptonte tonalitetin e kuptimit të saj. “Ndoshta këto fjalë tingëllojnë pompoze apo të vagëta,” thotë Stefanchuk. “Por ne e ndiem rendin e botës duke kolapsuar”. Shpejt kryeparlamentari vajti në rrugë e për te parlamenti dhe udhëhoqi një seancë, ku u votua që të kalojë ligji ushtarak në krejt shtetin. Zelensky nënshkroi një dekret atë mesditë. Teksa nata mbuloi mbrëmjen e parë, lufta me të shtëna shpërtheu rreth objektit të qeverisë. Gardat brenda kompleksit fikën dritat dhe sollën jelekë antiplumb dhe armë për Zelenskyn dhe për një numër të ndihmësve të tij. Vetëm pak prej tyre dinin se si t’i përdornin ato. Njëri prej tyre ishte Oleksiy Arestovych, një veteran i shërbimit inteligjent ushtarak të Ukrainës. “Ishte absolutisht një çmendinë”, më tha ai. “Automatikë për të gjithë.” Trupat ruse, thotë ai, bënë dy tentime për t’u futur në presidencë. Zelensky më vonë më tha që bashkëshortja dhe fëmijët e tij ishin ende aty gjatë asaj kohe. Ofertat erdhën nga forcat amerikane dhe britanike për ta evakuuar presidentin dhe ekipin e tij. Ideja ishte që t’u ndihmonin në themelimin e një qeverie në azil, me shumë gjasë në lindje të Polonisë, që do ta vazhdonte qeverisjen nga distanca. Asnjëri nga këshilltarët e Zelenskyt nuk mbajnë mend t’i kenë marrë në konsideratë këto oferta. Duke folur në një linjë të sigurt tokësore me amerikanët, ai qe përgjigjur me një batutë që ushtoi në krejt botën. “Më duhet municion, jo shëtitje”. “Ne e konsideruam si të guximshme,” thotë një zyrtar amerikan. “Por shumë të rrezikshme”. Rojet e Zelenskyt e ndien të njëjtën gjë. Edhe ata e luten që të largohej nga presidenca. Ndërtesat e kompleksit presidencial janë të vendosura në një lagje të dendur me banorë dhe janë të rrethuara nga shtëpi private, që mund të shërbejnë si fole për snajperistët armiq. Disa shtëpi janë mjaftueshëm afër për ta hedhur një granatë nga ndonjëra prej dritareve në anën tjetër të rrugës. “Vendi ishte i hapur gjerë e gjatë,” thotë Arestovych. “Ne nuk kishim blloqe betoni për ta mbyllur rrugën”. Diku jashtë kryeqytetit, një bunker i sigurt po e priste presidentin, i pajisur për të duruar rrethime të gjata. Zelensky refuzoi që të shkonte aty. Në vend të kësaj, ai në natën e dytë të pushtimit, përderisa forcat ukrainase po i luftonin ato ruse në rrugët e afërta, presidenti vendosi të dalë jashtë në oborr dhe ta xhirojë një videomesazh në telefonin e tij. “Të gjithë ne jemi këtu,” tha Zelensky duke i shfaqur në kamerë zyrtarët pranë tij. Ata të gjithë ishin të veshur me fanella të gjelbra ushtarake dhe xhaketa që do të bëheshin uniforma të kohës së luftës. “Duke e mbrojtur pavarësinë tonë, shtetin tonë”. Zelensky tashmë e kishte kuptuar rolin e tij në këtë luftë. Sytë e popullit të tij dhe të pjesës më të madhe të botës ishin ngulur në drejtimin e tij. “Ti e kupton se ata po shikojnë,” thotë ai. “Ti je një simbol. Ti duhet të veprosh ashtu si duhet të veprojë një udhëheqës shteti”. Kur ai e publikoi klipin 40-sekondash në Instagram më 25 shkurt, ndjesia e unitetit që e kishte projektuar ishte paksa çorientuese. Zelensky kishte qenë i alarmuar nga numri i zyrtarëve, madje ushtarakëve, që ia kishin mbathur. Ai nuk qe kundërpërgjigjur me kërcënime apo ultimatume. Nëse ata kishin nevojë për ca kohë për t’u evakuuar me familjet e tyre, ai e lejonte një gjë të tillë. Ai pastaj kërkonte nga ata që t’u ktheheshin posteve të tyre. Shumica e tyre ktheheshin. Njerëzit tjerë dolën vullnetarë për të jetuar në bunkerët e kompleksit presidencial. Serhiy Leshchenko, një gazetar dhe ligjvënës me nam, arriti pak ditë pas pushtimit për ta ndihmuar ekipin që t’u dalë ballë dezinformatave ruse. Ai duhej që ta nënshkruante një marrëveshje për moszbulim të informatave, që ia ndalonte të ndante detaje për dizajnin e bunkerit, për lokacionin apo pajisjet. Të gjithë banuesit janë detyruar ta nënshkruajnë atë. Ata madje as nuk lejohen të flasin për ushqimin që e hanë atje. Niveli i izolimit të kompleksit shpesh ka detyruar ekipin e Zelenskyt ta përjetojë luftën përmes ekranit, disi sikur krejt ne. Pamjet nga betejat dhe sulmet raketore dilnin në mediet sociale para se vetë ushtria ta njoftonte Zelenskyn mbi këto ngjarje. Ishte tipike për presidentin dhe stafin e tij që të mblidheshin rreth një telefoni apo laptopi në bunker dhe t’i mallkonin imazhet e shkatërrimit apo t’i brohorisnin sulmet me dron ndaj tankeve ruse. “Kjo ishte gjëja më e preferuar,” më tha Leshchenko, i cili ma tregonte një klip të një helikopteri rus që shpërthente në qiell. Memet dhe videot virale ishin burim i mendjelehtësisë, ashtu sikurse baladat e luftës që i shkruan ukrainasit, që incizoheshin e publikoheshin online. Njëra prej tyre ia thoshte kështu: Shikoni njerëzit tanë, se si Ukraina e bashkoi krejt botën kundër rusëve Së shpejti krejt rusët kanë për të shkuar dhe ne do të kemi paqe në tërë botën. Nuk shkoi gjatë para se Zelensky të insistonte që të shkonte dhe t’i shikonte aksionet edhe ai vetë. Në fillim të marsit, kur rusët ende tentonin ta rrethonin Kievin, presidenti u largua në mënyrë të fshehtë nga kompleksi presidencial, i shoqëruar nga dy miqtë e tij dhe një ekip i vogël rojesh. “Ne morëm vendimin që të lëviznim,” thotë Yermak, shef i stafit. Nuk kishin kamera me vete. Disa nga ndihmësit më të afërt të Zelenskyt morën vesh për këtë udhëtim vetëm dy muaj më vonë, kur ai e përmendi në një intervistë. Duke ia mbathur për në veri të Rrugës Bankova, grupi vajti te një urë e rrëzuar që shënjonte vijën e frontit në teh të qytetit. Ishte hera e parë që Zelensky i kishte parë nga afër efektet e luftimeve. Ai i mbante sytë te madhësia e një grope që e kishte lënë eksplodimi në një rrugë. Kur ata u ndalën për të folur me trupat e Ukrainës në një pikë të kontrollit, rojet e Zelenskyt, thotë ai, “filluan ta humbnin mendjen”. Presidenti nuk kishte ndonjë arsye për të qenë aq afër me pozicionet ruse. Ai thotë që vetëm donte të shikonte, që t’u fliste njerëzve që ishin në vijat e frontit. Disa ditë më vonë, Zelensky bëri një udhëtim që ndihmësit e tij e quajnë “udhëtimi i supës”. Në një pikë të kontrollit afër skajit të qytetit, presidenti takoi një njeri që përditë u sillte ushtarëve një tenxhere të freskët supe. Ata qëndronin aty, brenda rangut të snajperëve dhe artilerisë së armikut, dhe kishin një tas me supë dhe me bukë, e flisnin për Bashkimin Sovjetik dhe se çfarë ishin bërë rusët që nga rënia e këtij bashkimi. “Ai më tregonte se sa shumë i urrente rusët,” e kujton Zelensky. Pastaj, kuzhinieri shkoi te bagazhi i veturës dhe nxori disa medalje që i kishte fituar sa kishte shërbyer në ushtrinë sovjetike. Biseda kishte lënë një mbresë të thellë në Zelenskyn. “Ishte ndjenjë e duhur,” thotë Yermak. “Vetëm të flisje me njerëzit për të cilët punojmë”. Dalje të tilla ishin të rralla. Edhe pse ai pranonte përditësime të shpeshta nga gjeneralët e tij dhe u jepte instruksione të gjera, Zelensky nuk pretendonte të ishte ndonjë gjeni taktikash. Ministri i Mbrojtjes rrallë ndodhej afër tij. Rrallë afër tij ndodheshin edhe komandantët më të lartë ushtarakë. “Ai i lë ata që ta bëjnë luftën,” thotë Arestovych, këshilltari i tij për punë ushtarake. Ditët e tij ishin një varg komunikatash, takimesh e intervistash, zakonisht të realizuara përmes ekranit të një laptopi apo telefoni. Telefonatat e kurtuazisë zinin vend po ashtu. Sikur ajo në Zoom mes tij dhe aktorëve Mila Kunis dhe Ashton Kutcher, të cilët mblodhën para për Ukrainën, përmes një fushate në GoFundMe. Para adresimit të tij kombëtar të përnatshëm, Zelensky do t’i rendiste temat e bisedave me stafin e tij. “Shumë shpesh njerëzit pyesin se kush ia shkruan Zelenskyt fjalimet”, thotë Dasha Zarivna, një këshilltare për komunikim. “Kryesori është ai,” thotë ajo. “Ai punon në secilin rresht.” Përgjatë marsit dhe fillimit të prillit, Zelensky kishte mesataren prej një fjalimi në ditë, ku bënte adresime virtuale në vende të ndryshme si Koreja e Jugut, Banka Botërore dhe ceremonia e Çmimeve Grammy. Secili adresim i përshtatej audiencës. Kur fliste për Kongresin e ShBA-së, ai i referohej Pearl Harborit dhe 11 Shtatorit. Parlamenti gjerman e dëgjoi duke e risjellë në kujtesë Holokaustin dhe Murin e Berlinit. Vala konstante e detyrave urgjente dhe emergjencat e vogla kishin një efekt mpirës te ekipi, duke e ënjtur presionin e kohës në mënyra që njëri prej këshilltarëve i quan halucinogjenike. Ditët dukeshin sa orët e orët sa ditët. Frika bëhej akute në momentet para gjumit. “Bash atëherë realiteti të mbërrin,” thotë Leshchenko. “Atëherë kur shtrihesh aty dhe mendon për bombat”. Herët në prill, ekipi filloi të dalë shumë më shpesh nga bunkeri. Forcat ukrainase i kishin përzënë armiqtë nga periferitë e Kievit dhe rusët po i lëviznin trupat për betejën drejt Lindjes. Në ditën e 40 të pushtimit, Zelensky bëri një tjetër udhëtim jashtë kompleksit, por këtë herë i kishin kamerat me vete. Ai udhëtoi atë mëngjes në një konvoj automjetesh të blinduara në Bucha, një qytet ku trupat ruse i kishin masakruar qindra civilë. Kufomat e tyre qenë shpërndarë në krejt qytetin. Zelensky tha, “qenë gjetur në fuçi, në bodrume, të torturuar, të furur”. Gati të gjithë kishin pasur plagë fatale të marrë nga armët. Disa kishin qenë të shtrirë në rrugë për disa ditë. Teksa Zelensky dhe ekipi i tij i panë tmerret nga afër, tmerri shpejt u kthye në tërbim. “Ne deshëm t’i anulonim bisedimet për paqe”, thotë David Arakhamia, të cilin Zelensky e kishte zgjedhur për t’i udhëhequr negociatat me rusët. “Mezi mundja t’i shikoja në fytyrë”. Më 8 prill, përderisa hetuesit ishin ende duke zhvarrosur varreza masive në Bucha, predhat ruse goditën një stacion treni në Kramatorsk, në lindje të Ukrainës. Mijëra gra, fëmijë dhe pleq ishin mbledhur aty me valixhet dhe kafshët e tyre, me shpresën se do të hipin në trenat e evakuimit. Disa fëmijë i humbën gjymtyrët e tyre. Zelensky mësoi për sulmin përmes një serie fotosh që ishin shkrepur në vendngjarje dhe që ia kishin nisur Zelenskyt atë mëngjes. Njëra prej tyre ende i ndërmendet. Në foto shihej në grua, të cilën eksplodimi ia kishte hequr kokën. “Ajo kishte veshur rroba të ndritshme dhe që mund t’i mbash mend lehtë”, thotë ai. Ai nuk mund ta shlyente atë imazh atë pasdite, kur po futej në njërin prej takimeve më të rëndësishme të karrierës së tij. Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, kishte udhëtuar me tren për në Kiev për t’ia ofruar Ukrainës një rrugë të shpejtë për anëtarësim në BE. Shteti e kishte pritur këtë mundësi për dekada. Por kur erdhi momenti, presidenti nuk mund të ndalonte së menduari për gruan pa kokë, të shtrirë në tokë. Kur u nis për në podium afër von der Leyenit, fytyra e tij ishte një nuancë e së gjelbrës dhe dhuntia e tij e zakonshme oratorike e la në baltë. Ai nuk mund ta mblidhte mendjen aq sa për ta përmendur sulmin me predha në fjalët e tij. “Ishte njëra prej atyre herëve kur krahët dhe këmbët tuaja e bëjnë një gjë, por koka juaj nuk dëgjon,” më tha ai më vonë. “Sepse koka juaj është aty te stacioni dhe ju duhet të jeni të pranishëm këtu”. Kjo vizitë ishte e para në vazhdën e një parade të liderëve evropianë, të cilët filluan të vijnë në Kiev në prill. Telefonat e mençur nuk lejoheshin brenda kompleksit presidencial gjatë këtyre vizitave. Një grumbull i madh i sinjaleve të telefonit që transmetonin prej një vendi, mund ta lejonin një dron përcjellës të armikut që ta gjente lokacionin e mbledhjes. “Dhe pastaj: kaboom,” shpjegon një roje, teksa përshkonte majën e një rakete me dorën e tij. Zelensky dhe ekipi i tij i kaluan shumicën e netëve dhe mbajtën takime në bunkerët nën kompleks. Por tërheqja e trupave ruse ua lejoi atyre që të punonin në dhomat e tyre të zakonshme, e që dukej mjaft shumë sikur para luftës. Një dallim i qartë ishte errësira. Shumica e dritareve ishin të mbuluara me thasë rëre. Dritat qenë fikur për t’ua vështirësuar punën snajperistëve armiq. Masat tjera të kujdesit nuk dukej të kishin sens. Rojet i kishin hequr dritat nga një ashensor që çonte te zyrat e ekzekutivit. Një lëmsh telash kishin dalë nga vrimat ku kishin qenë të vendosura dritat dhe ndihmësit e Zelenskyt endeshin poshtë e lart në errësirë. Askujt nuk i kujtohej se pse. Në ditët kur erdha te kompleksi i vetëm, disponimi kishte qenë më i shtendosur. Kujdestarë fshinin kabinetet dhe vendosnin astar të ri në shportat e mbeturinave. Herën e parë më zuri në befasi kur gjeta një detektor metali dhe një makinë me rreze X që ishte hequr nga rryma në hyrje, teksa pastruesi fshinte përreth tyre. Më vonë dukej normale për një roje të lodhur që vetëm t’ia lëshonte sytë çantës sime dhe të më linte të hyja. Lart, ndihej sikur lufta po ngjante diku larg. Mykhailo Podolyak, njëri prej kuartetit të këshilltarëve më të afërt të presidentit, refuzoi që t’i barrikadohen dritaret e zyrës së tij. Ai madje as i kishte mbyllur perdet. Kur më ftoi për ta takuar një ditë në prill, dhoma e tij gjendej lehtë, sepse tabela me emrin e tij ishte ende e vendosur në derë. “Ne shkojmë poshtë kur dëgjojmë sirena të sulmeve ajrore”, shpjegoi ai me një rrudhje supesh, duke iu referuar bunkerit. “Por kjo është zyra ime. Më pëlqen këtu.” Një besim i tillë në trupat mbrojtëse ajrore të Kievit është si njëfarë mekanizmi i përballimit, një evlat i kryengritjes dhe refuzimit. Nuk ka një mënyrë për ta ndaluar trupin e predhave hipersonike që Rusia i ka vënë kundër Ukrainës. Kinzhali – ky emër do të thotë “kamë” në rusisht – e ka shpejtësinë pesë herë më të madhe se ajo e tingullit dhe bën zigzage për t’iu shmangur kapjeve. Po ashtu, mund ta bartë njërën prej armëve bërthamore të Rusisë. Por Podolyaku e sheh të kotë ngujimin në këtë informatë. “Sulmi po vjen”, më tha ai. “Do të na godasin këtu dhe do të jetë e gjitha një gërmadhë”. Nuk kishte frikë në zërin e tij kur e thoshte këtë. “Çfarë të bëjmë,” pyeti ai. “Ne duhet të vazhdojmë të punojmë”. Fatalizmi funksiononte si parim i organizimit. Disa masa të papërpunuara të kujdesit – porta të barrikaduara, jelekë antiplumb – dukeshin të domosdoshme gjatë stadit të parë të luftës. Më vonë, kur nuk ekzistonte rreziku që komandot ruse të futeshin nëpër dyer, ekipi i Zelenskyt e kuptoi që masa të tilla mbrojtëse ishin të panevojshme. Ata po përballeshin me një pushtues me arsenal bërthamor. Ata kishin vendosur që të mos ikin. Atëherë, ku ishte poenta që ata të fshiheshin? Zelensky tani punon më së shpeshti në Dhomën e Situatës së kompleksit presidencial, e cila as është nëntokë por as është e fortifikuar. Është një dhomë pa dritare e me një dekor: një sfurk tredhëmbësh, i cili është simbol i Ukrainës, që shkëlqen në murin prapa karriges së Zelenskyt. Ekranet e mëdha janë të varguar në muret tjera të dhomës dhe kamera që e vë në fokus presidentin ndodhet në mes të tryezës së konferencës. Diku në ora nëntë të mëngjesit të 19 prillit, fytyrat e gjeneralëve të tij dhe të shefave të inteligjencës mbushnin ekranet përballë Zelenskyt. Brenda natës, presidenti e kishte bërë një video-adresim për popullin, duke njoftuar për fillimin e betejës në lindje të Ukrainës. Tani, ai donte të dëgjonte se ku po bëheshin luftimet më intensive, se ku ishin tërhequr trupat e tij, se kush kishte dezertuar, se çfarë ndihme u nevojitej dhe se ku kishin arritur të avanconin. “Në pika të caktuara të lindjes, është thjesht çmenduri,” më tha ai më vonë gjatë asaj dite, duke ma përmbledhur njoftimin e gjeneralëve. “Vërtet e tmerrshme sa i përket frekuencës së sulmeve, zjarrit të artilerisë së rëndë dhe humbjeve”. Për mbi një muaj, Zelensky kishte qenë duke shkëmbyer mesazhe me dy komandantë ukrainas. Ata ishin mbrojtësit e fundit të Mariupolit, një qytet me gjysmë milioni banorë, të cilin rusët e kishin rrethuar në fillim të pushtimit. Një forcë e vogël po mbahet ende brenda një fabrike të madhe çeliku. Njëri prej liderëve të tyre, major Serhiy Volynsky nga Brigada e 46 e Marinës së Ndarë, kishte qenë në kontakt me Zelenskyn tash e disa javë. “E njohim njëri-tjetrin mirë tashmë,” më tha Zelensky. Shumicën e ditëve ata e telefonojnë ose i shkruajnë njëri-tjetrit, nganjëherë në mes të natës. Më herët, ushtari i kishte dërguar presidentit një fotografi që e kishin shkrepur së bashku shumë kohë para pushtimit. “Ishim të përqafuar si shokë”, thotë ai. Sulmi rus në Mariupol ka dërrmuar brigadën. Zelensky më tha se rreth 200 trupa të tij kanë mbijetuar. Përpara se të gjenin strehim dhe furnizime brenda fabrikës së çelikut, atyre iu kishte mbaruar ushqimi, uji dhe municionet. “Ata e kishin shumë të vështirë. Ne u përpoqëm të mbështesim njëri-tjetrin”, thotë Zelensky. Por, Zelensky nuk mund të bënte shumë i vetëm. Ukraina nuk ka mjaftueshëm armatim të rëndë për të thyer rrethimin e Mariupolit. Në të gjithë lindjen, forcat ruse kanë avantazhe të qarta. “Ata na tejkalojnë për nga numri i trupave disa herë”, thotë Yermak. Pothuajse në çdo bisedë me liderët e huaj, Zelensky kërkon armë që mund të ndihmojnë në nivelizimin e shanseve. Disa vende, si SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Holanda, kanë rënë dakord t’i ofrojnë ato. Të tjerat hezituan, me theks të veçantë gjermanët. “Me gjermanët situata është vërtet e vështirë, ata po sillen sikur nuk duan të humbin marrëdhëniet e tyre me Rusinë. Gjermania mbështetet në Rusi për shumë nga furnizimet e saj me gaz natyror. Është pragmatizmi i tyre gjerman. Por, kjo na kushton shumë”, thotë Zelensky. Ukraina e ka bërë të qartë frustrimin e saj. Në mes të prillit, presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ishte rrugës për të vizituar Kievin, kur ekipi i Zelenskyt i kërkoi të mos vinte. Herë pas here, ashpërsia e presidentit mund të duket si fyerje, si momenti kur ai i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se duhet të konsiderojë shpërbërjen e vetvetes. Olaf Scholz, kancelari gjerman, më tha se do ta vlerësonte nëse Steinmeier do të ishte ftuar në Kiev “ashtu siç edhe është, një mik”. Por, Zelensky e ka kuptuar se kërkesat miqësore nuk do t’i japin Ukrainës armët që i duhen. Kështu e kupton Zelensky përgjegjësinë e tij thelbësore. Jo si një strateg ushtarak i autorizuar për të lëvizur batalionet rreth një harte, por si një komunikues, një simbol i gjallë i shtetit, aftësia e të cilit për të rrëmbyer dhe mbajtur vëmendjen e botës do të ndihmojë në përcaktimin nëse kombi i tij jeton apo vdes. Ndihmësit e tij janë shumë të vetëdijshëm për këtë mision dhe disa i japin Zelenskyt vlerësime të përziera. “Ndonjëherë ai hyn në rol dhe fillon të flasë si një aktor që luan presidentin. Unë nuk mendoj se kjo na ndihmon. Vetëm kur Zelensky është i rraskapitur, maska bie. Kur ai është i lodhur nuk mund të aktrojë dhe mund të flasë vetëm atë që thotë mendja e tij. Kur është vetvetja, ai lë përshtypjen më të jashtëzakonshme si njeri me integritet dhe humanizëm”, thotë Arestovych, i cili ishte vetë një aktor teatri në Kiev për shumë vite. Ndoshta kisha fat që e takova presidentin në fund të një dite shumë të gjatë. Për gati dy muaj luftë, ai kishte ndryshuar. Kishte rrudha të reja në fytyrën e tij dhe nuk kërkonte më në dhomë për këshilltarët e tij kur shqyrtonte përgjigjen për një pyetje. “Jam bërë më i vjetër”, e pranoi ai. “Jam plakur nga gjithë kjo mençuri që nuk e kam dashur kurrë. Është mençuria e lidhur me numrin e njerëzve që kanë vdekur dhe torturat që kanë bërë ushtarët rusë. Është kjo lloj mençurie”, shtoi ai, duke u larguar. “Të jem i sinqertë, kurrë nuk kam pasur qëllimin të arrij njohuri të tilla”. Më bëri të pyes veten nëse ai ishte penduar për zgjedhjen që bëri tre vjet më parë, rreth kohës kur u takuam për herë të parë. Shfaqja e tij humoristike ishte një hit. Duke qëndruar në dhomën e tij të zhveshjes, ai ende po shkëlqente nga admirimi i turmës. Miqtë e prisnin në prapaskenë për të filluar “after-partyn”. Fansat e tij ishin mbledhur jashtë për të bërë fotografi me të. Kjo ishte vetëm tre muaj nga kandidimi i tij për president, atëherë kur nuk ishte akoma vonë që Zelensky të kthehej prapa. Por, ai nuk është penduar për zgjedhjen që ka bërë, madje as kur vështron prapa dhe sheh luftë. “As për asnjë sekondë të vetëm”, më tha ai në kompleksin presidencial. Ai nuk e di se si do të përfundojë lufta, apo si do ta përshkruajë historia rolin e tij në të. Në këtë moment, ai e di vetëm se Ukraina ka nevojë për një president të kohës së luftës. Dhe ky është roli që ai synon ta luajë. *** Simon Shuster është korrespondent i revistës amerikane “TIME” me qendër në New York. Më herët ka qenë shefi i zyrës së revistës “TIME” në Berlin, përgjegjës për mbulimin e zhvillimeve në vendet e Bashkimit Evropian dhe ish-Bashkimit Sovjetik. Ky shkrim është botuar në revistën “TIME” dhe është përkthyer nga Klankosova.tv. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.