Bob Dole dhe Kosova   - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Bob Dole dhe Kosova  

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
06.12.2021 08:31

Intervista e gazetarit të RTS-it (Televizionit Publik të Serbisë), i cili asokohe, në fillimvitet  e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar ishte një makineri propagandistike e regjimit luftënxitës  të Slobodan Milošević-it, kishte mbërritur atë pikën kulmore. Përballë tij ishte Helen  Delich Bentley, anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve, kongresmene pra, në emër të Partisë  Republikane. Betnley njihej tashmë si një avokate e çështjes serbe në Kongresin  Amerikane, edhe për shkak të prejardhjes së saj. Gazetari mendoi që erdhi momenti i  diskreditimit të Senatorit Robert Dole, atëherë anëtarit më të respektuar dhe më të çmuar  në Senat, i cili njihej si përkrahës i çështjes së Kosovës jo vetëm në Senat, po kudo në  Administratën Amerikane të Presidentit George H. W. Bush.  

Gazetari ia drejtoi pyetjen në këtë mënyrë Delich-Bentley-it: ’Kemi informata të  besueshme që lobby shqiptar e ka paguar kohëve të fundit dy milionë dollarë Bob Dolin,  për të qenë mbështetës i Kosovës në Amerikë’. 

Gazetari dhe opinioni i atëhershëm publik serb, u shokuan me përgjigjen e Delich Bentley it. Ajo tha: ’Senatori Dole nuk mund të blehet. Nuk ka pare që mund ta blejë ate. Çkado që  bën dhe që flet Dole, ky këtë e bën për shkak të bindjeve të veta, në respektim të  qëndrimeve të veta’. 

Një përgjigje e tillë nuk pritej fare nga një kongresmene të afishuar si pro-serbe. Por ja që pikërisht ajo, e përshkruajti në mënyrën më të mirë dhe më të sakt të mundshme  Senatorin Dole, integritetin e tij si politikan, orientimin e tij personal që ku të mundet, të  përkrah çështjet e drejta në Botë, veçmas në Evropë, dhe që madje, të ndihmojë që e vërteta  për një popull të shtypur, të lënë pas, të harruar për dhjetëvjetësha të tërë në Perëndim, siç  ishte populli i Kosovës, të zbardhet kudo në Washington, dhe që të gjitha Administratat  Amerikane, prej asaj të George H. W. Bushit, të jenë në anën e Kosovës. Senatori Dole, i cili këto ditë na la në moshën 98 vjeçare, ka një trashëgimi të pasur dhe të  paharrueshme të të qenit pranë Kosovës dhe me të gjithë ne, si qytetarë të Kosovës, atëherë  kur për ne ishte më së vështiri, kur madje, në vitet e lufës, 1998, 1999, rrezikohej edhe vet  ekzistenca e jonë fizike si popull. 

Bob Dole është njëri prej politikanëve më në zë të brezit të politikanëve dhe senatorëve të  mëdhenj, republikanë dhe demokratë, të viteve tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta, të cilit  kryekëput për shkak të parimeve të tyre, në vijim të orientimit të tyre politik ndërkombëtar,  nisin të përkrahin çështjen e Kosovës. Fjalë pas fjale, raport pas raporti të gazetave  prestigjoze amerikane, pa dyshim edhe afërsia me shqiptaro-amerikanët e njohur, dhe  gjithsesi, njohja me Dr.Ibrahim Rugovën, Presidentin historik të Kosovës, bëri që Senatorët  Bob Dole, Alfonse D’Amato, John McCain, Joseph Lieberman, Joseph Biden (Presidenti  aktual i SHBA-së), të bëhen bashkë, edhe pse i përkisnin partive të ndryshe (republikanë  dhe demokratë), në mbrojtje të çështjes së Kosovës dhe në promovimin e të drejtës së  qytetarëve të Kosovës për të vendosur për veten. 

Këta senatorë arritën që çdo Adminstratë Amerikane, prej asaj të Presidentit George H. W.  Bush (në vitet 1989-2003), e deri te kjo e Presidentit Biden (prej këtij viti 2021, e tutje), pa marrë parasyshë se cila ishte baza e tyre politike, çka synonin në Botë dhe në Amerikë,  a ishin më afër qasjes izolacioniste apo asaj intervencioniste në diplomacinë amerikane, a  ishin më shumë realistë apo idealistë në politikën amerikane, të kenë të njejtin mendim dhe  të njejtën politikë kur bëhej fjalë për Kosovës. Zatën, një dhe e vetmja çështje që njeh  kontinunitetit në mes të Administratës së Presidentit Trump (në vitet 2017-2021), dhe atyre  paraprake, është pikërisht çështja e Kosovës. 

Dole dhe miqtë e tij në Senatin Amerikan patën një rol të madh, të pazëvendësueshëm në  fakt, në krijimin e këtij qëndrimi të palëkundur në të gjitha Adminstratat Amerikane që prej  vitit 1990 e deri më sot, për më shumë se tri decenie. 

Në atë galerinë e personaliteteve, ku gjinden të gjithë ata politikanë dhe diplomatë  amerikanë që kanë dhënë kontribut të madh për çlirimin e Kosovës dhe për krijimin e shtetit  të Kosovës, Bob Dole është njëra prej figurave kyç, pa të cilin nuk mund të imagjinohet  dot gjetja dhe zbardhja e fatit historik dhe politik për popullin e Kosovës. 

Këtë kurrë nuk duhet ta harrojmë ne, shqiptarët e Kosovës.

lajme të ngjashme