Bllokada e dyfishtë politike serbe 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 06.11.2022 16:40 06.11.2022 16:40 Për dy ditë të vetme, të premtën dhe të shtunën (apo me 4 dhe 5 nëntor), presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë, u shfaqën në pozicionim të qartë karshi dy temave aktuale në raportet e Serbisë me Kosovën, apo, për Propozimin e fundit të nismës franko – gjermane për normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre sy shteteve, si dhe për zbatimin e Vendimit gradual të Qeverisë së Kosovës për zëvëndësimin e targave ilegale në Veriun e Kosovës me ato RKS. Në Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë kombëtare, të udhëhequr nga presidenti i Serbisë, me një votë unanime është hedhur poshtë Propozimi aktual franko – gjerman i cili do të duhej të hapte udhë për një Marrëveshje politike në mes të dy shteteve. Arsyeja themelore për kundërshtimin e tij është pikënisja e Parisit dhe e Berlinit që këtu bëhet fjalë për një Marrëveshje në mes të dy shteteve ekzistuese, pa marrë parasyshë se si do të definohet formalisht, ky relacion. Në anën tjetër, Vuçiq dhe strukturat legale (dhe ato paralele), të pushtetit qendror dhe lokal të Kosovës, në krye të të cilave janë politikanët, policët dhe gjyqtarët serbë në veriun e Kosovës, vendosën që të largohen nga pozitat e tyre në pushtet, në polici dhe në gjyqësi. Nuk ka kurfarë dyshimi që këto dy vendime të lidershipit serb janë të ndërlidhura. Së pari është përgatitur përgjigjja për Propozimin franko – gjerman, me një mohim të plotë ndaj BE-së dhe dy kryeqendrave kryesore evropiane. Së dyti është shpallur përgjigjja e presidentit të Serbisë dhe të strukturave në veriun e Kosovës (të cilat ai i kontrollon plotësisht, gjë që u kuptua edhe një herë), ndaj Qeverisë së Kosovës, duke hedhur poshtë normalizimin e qarkullimit të veturave në këtë pjesë të Kosovës. Vuçiq synon ta mbajë gjendjen status quo në veriun e Kosovës, sepse në këtë mënyrë mund ta fuqizojë (eventualisht), edhe atë pozicionin status quo edhe kur adresohen raportet e tij me Perëndimin, jo vetëm kur bëhet fjalë për dialogun e Brukselit, por edhe kur trajtohet tema e aplikimit të sanksioneve të mundshme të Serbisë ndaj Rusisë. Status Quo është politika e presidentit serb Vuçiq, si ndaj Brukselit, ashtu edhe ndaj Prishtinës. Natyrisht, ai do të përpiqet të shmangë çdo veprim problematik në fushën e sigurisë, në veriun e Kosovës, sepse e di mirë se sa do t’i kushtonte diçka e tillë në kontekstin e ri ndërkombëtar, i cili është në fuqi që nga fillimi i invazionit të Rusisë mbi Ukrainën. Fusha e sigurisë është ajo ku ky do të dilte humbës, nëse Serbia do të ishte shkaktare e destabilizimit radikal të zhvillimeve në veriun e Kosovës. Megjithatë, akti i djeshëm i pushtetarëve serbë në Zveçan, nuk ka si të mos vlerësohet si kërcënim i sigurisë në këto anë të Kosovës. Tema e targave për presidentin e Serbisë, e cila në shikim të parë nuk shihet si me rëndësoi kapitale për të dhe për Beogradin, ka një vlerë supreme për te: Ato, (targat), në të vërtetë shënojnë njërin prej elementeve të mbetura të pushtetit serb në veriun e Kosovës. Heqja e tyre, veçmas në rrethanat e një nisme të re politike (të Parisit dhe Berlinit), do të paralajmëronin që veriu i Kosovës, si i tillë, po lëvizë ngadalë drejt kontrollimit të tij nga pushteti i Kosovës. Për çka do të bisedohej, në atë rast, në Bruksel? Ushtrimi i ndikimit të tij në veriun e Kosovës, realisht, është argumenti kyç i Vuçiq-it, për bisedimet finale me autoritetet e Kosovës, në kërkim të një Asociacioni/Bashkësie të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive, apo, të një statusi të veçantë politik të veriut të Kosovës. Në variantin ideal për presidentin e Serbisë, veriu i Kosovës do të duhej t’i bashkohej Serbisë. Çfarë po ndodhë (sërish, duhet shtuar), në veriun e Kosovës, na kthen prapa të gjithë neve, por poashtu, edhe SHBA-në dhe BE-në tek ajo pyetja kryesore në adresimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe në parashikimet që përkojnë me arritjen e Marrëveshjes eventuale në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo pyetje është: A duhet normalizimi i raporteve në mes të pushtetit të Kosovës dhe veriut të këtij shteti, t’i paraprijë Marrëveshjes politike për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, apo, duhet të ndodhë e kundërta? Pra, që një herë të bëhet Marrëveshja politike në mes të Prishtinës dhe Beogradit, e pastaj të bëhet integrimi i mirëfilltë i veriut. Bisedimet e vitit 2012, 2013 në Bruksel, të lehtësuara nga BE, janë nisur nga ai varianti i parë. Është dukur, fillimisht që edhe lidershipi i Serbisë ishte dakorduar me të. Por që prej vitit 2015 e këndej, Aleksandar Vuçiq ka bërë gjithçka për ta ndalë integrimin e njëmendtë te veriu i Kosovës në pushtetin real të Kosovës. Kështu është edhe sot e kësaj dite. ©klankosova.tv