Bankënota politike dhe bankrotimi i fatit 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 10.03.2023 15:13 10.03.2023 15:13 Në asnjë rast të vetëm, në historinë e Kosovës, që nga okupimi i saj në vitin 1912, deri në çlirimin në vitin 1999, pavarësimin në vitin 2008, dhe deri në ditët e javët kur pritet të arrihet Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka mundur të bëhet asgjë për fatin tonë jashtë kontekstit ndërkombëtar/gjeo-politik. Fati i një populli i ngjanë një bankënote që ky dy anë të vetat, njëlloj të vlefshme. Poqëse mungon njëra prej dy këtyre faqeve të bankënotës, ndodhë bankrotimi i fatit të një populli. Në njërën anë të saj pra është vet vullneti i një populli, së bashku me organizimin e tij politik dhe ushtarak, qoftë edhe me sakrificat më të mëdha të mundshme, ta sendërtojë këtë vullnet, në përplasjen me ata që përpiqen ta zmbrapsin dhe ta shtypin këtë synimin kryesor të një populli. Në anën tjetër të kësaj bankënote është Rendi ekzistues ndërkombëtar dhe konteksti i caktuar gjeo-politik. Pa përkrahjen ndërkombëtare të kauzës së një populli, pa gatishmërinë e faktorëve kryesor ndërkombëtar (rëndom këto janë shtetet e mëdha), nuk mund të ketë sendërtim të vullnetit të një populli, edhe kur ai është i drejtë dhe kur për më shumë, është siguruar fitorja kryesore, në atë fushëbetejën luftarake. Historia e shqiptarëve të Kosovës, që prej okupimit e këndej, është plot raste dhe shembuj kur nuk kemi mundur të bëjmë gjë vetëm me këtë faqen tonë të kësaj bankënote, sepse kauza e jonë ka hasur gjithmonë, deri në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, në atë Murin e hekurt të Rendit ndërkombëtar krejtësisht të pavaforshëm për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Kosovë dhe në Ballkan. Kur ka shpërthyer lufta në Kosovë, në pranverën e vitit 1998, ajo ka nisur së bashku me lajmin për tri të vërteta të pamohueshme: Së pari, nuk ka mbeti asgjë tjetër, si popull, këndejpari, pos që të luftojmë për mbijetesën dhe për çlirimin tonë. Së dyti, askush këndjepari nuk ka pasur iluzionin që ne vet mundemi ushtarakisht të ngadhënjejmë në luftën kundër Serbisë. Së treti, kushti për të shpëtuar nga Serbia dhe për ta marrë fatin në duart e tona ishte largimi i të gjitha forcave ushtarake dhe policore të Serbisë nga Kosova, dhe garantimi i paqes nga trupat e Aleancës Veri-Atlantike. Është punë e madhe për një popull të vogël, siç jemi ne, jo vetëm t’i artikulojë dhe t’i pranojë këto të vërteta, por edhe t’iu përmbahet atyre. Ndryshe, kurrë nuk do ta përqafonim fatin tonë në vitet 1999 dhe në atë 2008. Evropa dhe Bota, siç e dimë të gjithë ne, ka pësuar një ndryshim të madh dramatik që prej muajit shkurt të vitit të kaluar, kur ndodhi agresioni luftarak i Rusisë mbi Ukrainën. Janë krijuar rrethana të reja gjeo-politike dhe ndërkombëtare, veçmas në Evropë. Popujve të vegjël nuk ju mbetet gjë tjetër, pos të ju adaptohen këtyre rrethanave, ku ajo gjendja asnjanëse nuk është më e mundur, apo, kur duhet të zgjidhet ana. Për Kosovën ka qenë lehtë dhe natyrshëm të zgjidhet ana në këtë rast. Jemi bërë bashkë me gjithë ato shtete, me atë krahun perëndimor të Qytetërimit, i cili ka përbërë, nëse këtu i kthehemi fillimit të këtij shkrimi, këtë anën e dytë të bankënotës. Për Serbinë, gjithçka ka qenë shumë më e vështirë. Serbia e Aleksandar Vuçiqit, me zemër është me Rusinë, me interes me SHBA-në dhe BE-në. Zgjedhja e cila po i imponohet Serbisë që nga pranvera e vitit të kaluar, nuk është e natyrshme dhe e kuptueshme për qytetarët e saj. Arritja eventuale e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, në ditët dhe javët e ardhshme, do të ishte konfirmimi më i mirë i mundshëm që Beogradi e ka bërë zgjedhjen e duhur në këtë kontekstin e ri ndërkombëtar. Ballkani Perëndimor, i tëri siç është, me të gjitha gjashtë shtetet e tij, është parë, edhe para shpërthimit të Luftës në Ukrainë, si rajon që duhet të integrohet në BE dhe në Paktin NATO. Lufta në Ukrainë i ka dhënë një shpejtësi të veçantë këtij procesi, apo, ai duhet të kryhet më parë se sa që është menduar deri në shkurtin e vitit të shkuar. Marrëveshja Kosovë – Serbi shihet si gur vendimtar tregues i kësaj ndërmarrjeje të SHBA-së dhe të BE-së. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.