Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Asgjë të ndërlikuar këtu nuk ka

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 01.12.2023 09:14
Blerim-Shala

Rrëfimi i bisedimeve në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, i cili në formatin e Brukselit (me lehtësimin e BE-së), ka hyrë tashmë në vitin e 13-të, në shikim të parë së paku, duket tej mase i ndërlikuar.

Dikush mund të shtojë këtu që po mos ishte i kësisojt (i komplikuar pra), ai qëmoti do të merrte fund me një Marrëveshje të plotë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura.

Në të vërtetë, krejt çka ka mundur të vlerësohet si e tillë, si e ndërlikuar dhe shumë problematike, tashmë është kryer, tashmë është zgjidhur.

Kush ka mundur ta paramendojë, ta zëmë, në fillimvitet e nëntëdhjeta, si në kryeqendrat e Perëndimit, ashtu edhe në vet kryeqytetin e Serbisë (Beogradin), që do të vie dita kur ky shtet, do të bombardohet nga Aleanca Veri-Atlantike për shkak të refuzimit të një Marrëveshjeje të Paqes (në Rambouillet, shkurt, mars, 1999), dhe si pasojë e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të bëra në Kosovë.

Nuk ishte hera e parë që Serbia po bënte krime të tilla në Kosovë. Zatën, me krime e ka marrë Kosovën, në vitin 1912, me krime është larguar prej saj, në vitin 1999.
Është e vërtetë që Lufta e NATO-s për paqen në Kosovë do të koincidojë me zenitin historik dhe politik të Perëndimit, i cili do të shfaq SHBA-në dhe shtetet e BE-së me një potencial dhe kredibilitet të pashoq moral në fund të Shekullit XX.

Megjithatë, vendimi për intervenimin ushtarak, sado i justifikueshëm në të gjitha aspektet, ka qenë shumë i vështirë, sepse, pos tjerash, ka bartur me vete edhe një mori pyetjesh që përkonin me kohën që do të duhet të konsumohet, me rezistencën eventuale të brendshme në shtetet anëtare të Paktit NATO, me pasojat e fushatës ajrore, me afatin e dorëzimit të Slobodan Miloševićit (Presidentit të atëhershëm të RFJ-së), dhe të regjimit të tij.

Më në fund, Washingtoni dhe Brukseli e kanë ditur mirë që SHBA dhe BE do ta marrin përgjegjësinë e plotë ushtarake, politike, diplomatike dhe financiare për udhëheqjen me Kosovën në vitet e para pas çlirimit.

Edhe ky ka qenë një vendim që në peshoren e mirëfilltë politike, ka rënduar shumë në kryeqytetet e Perëndimit.

Megjithatë, në Washington dhe në Bruksel nuk pati dyshime fare se çka duhet bërë në vitin 1999 me një vend të vogël, çfarë ishte Kosova.

Për këtë shkak, zatën, të gjithë ata që sadopak janë marrë me Kosovën në ato vitet kur fati i shqiptarëve të këtij vendi ishte kryelajmi në Botë, e kanë ditur fare mirë që ajo çfarë nisi në vitin 1999, kur bëhet fjalë për vendimet e mëdha për Kosovën, nuk mund të ketë një tjetër epilog pos krijimit të shtetit të pavarur.

Por, finalja e madhe e definimit të statusit të Kosovës, në vitet 2005-2008, mori kohë më tepër sesa që pritej, teksa rëniet dhe ngritjet e kësaj ndërmarrjeje ndërkombëtare, bënin që këndejpari të mëkëmbeshin shqetësimet se mos do të ndodhë një shtyrje e re e përmbylljes së bisedimeve, me të cilat do të hapeshin dyertë që Kosova të bëhet shtet i pavarur.

S’ka dyshim që edhe vendimmarrja për bërjen e shtetit të Kosovës ka pasur një mori sprovash në Perëndim, pos tjerash, sepse njëkohësisht duhej t’i gjindej qarja (si thuhet), raportit në mes të Serbisë dhe Malit të Zi.

Pra, në përgjithësi, në këtë harkun kohor 1999-2008, janë marrë dhe kanë hyrë në fuqi vendimet më të rëndësishme dhe më të rënda të Perëndimit për Kosovën.

Nuk besojmë që do të gabohej nëse do të thonim që ky Perëndimi i sotëm, nuk do të ishte në gjendje të merrte asnjërin prej këtyre vendimeve të cilat do të kenë rol vendimtar në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, duke kujtuar natyrisht, gjithë atë sakrificë dhe këmbëngulje të shqiptarëve të Kosovës, pa të cilën nuk do të ishte intervenim politik dhe ushtarak të Perëndimit.

Kështu pra, në këtë rikapitulim të shkurtër të një historie të madhe të Kosovës dhe të Perëndimit decenie më parë, lehtë mund të mbërrihet tek konkludimi që çka ka mbetur për tu bërë, një Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke, është në të vërtetë puna më e thjeshtë, puna më e lehtë.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme