As sanksione Rusisë, as marrëveshje me Kosovën 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 03.10.2022 16:04 03.10.2022 16:04 Blerim Shala Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, javëve të fundit ka intensifikuar fushatën e tij politike dhe diplomatike, në të cilën si kurrë më parë, po bën krahasimet në mes të rastit të Ukrainës, në vitin 2022, dhe atij të Kosovës, në vitin 1999 (dhe 2008). Për të, këta dy shembuj janë krejtësisht identikë: Nëse këtë vit po shkelet tërësia territoriale dhe sovraniteti i Ukrainës (Vuçiq nuk po e thotë në mënyrë eksplicite që kjo po bëhet nga ana e Federatës së Rusisë), kjo është bërë edhe njëzet vjet e më shumë në vitin 1999, kur tërësia territoriale dhe integriteti i RFJ-së së atëhershme (Federatës së Serbisë dhe Rusisë), u shkel nga ana e Perëndimit. Është thënë dhe është shkruar tashmë, që ky krahasim është krejtësisht i paqëndrueshëm, madje, është i gabuar historikisht dhe politikisht, dhe është në kundërshti të madhe me realitetin e krijuar në Kosovë dhe në rajon tash e 23 vjet. Për ç’arsye atëherë lideri serb këmbëngul, madje edhe me një nervozë, e cila shihet në çdo deklaratë të tij në këtë aspekt, në këtë krahasim në mes të Kosovës dhe Ukrainës, kur ky krahasim nuk i kryen punë atij në raportet e tij me Perëndimin (ShBA-në dhe BE-në), dhe po aq, as me Rusinë, sepse Vladimir Putin nuk dëshiron ta shohë veten në rolin e dikujt që (kinse) po e shpërfill sovranitetin dhe tërësinë territoriale të një shteti çfarë është Ukraina, e cila, sipas tij, as që duhet të ekzistojë. Duket që janë disa arsye pse Vuçiq ka dalë kohëve të fundit me këtë paralele të veten historike, e cila po e shoqëron një narracion të ri të Presidentit të Serbisë, sipas të cilit ai është i thirrur të mbrojë interesat vetëm të Serbisë, e jo të Perëndimit (lexo: të ShBA-së dhe BE-së), dhe të Lindjes (lexo: të Federatës së Rusisë). Arsyeja e parë ka të bëjë me pamundësinë që Vuçiq të vazhdojë edhe një kohë të gjatë me politikën e tij të mëparshme, e cila ishte në fuqi deri më 24 shkurt të këtij viti, kur nisi invazioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë. Me këtë politikë, lideri serb synonte të mbante raportet e afërta dhe miqësore me Rusinë, derisa të bëhet shtet anëtar i BE-së, apo edhe më pas (siç zaten është rasti me Hungarinë, e cila është anëtare e BE-së dhe tutje i ruan relacionet me Rusinë). Pas thyerjes së madhe të dimrit të këtij viti, e cila, siç e dimë të gjithë, bëri shkrumb e hi rendin evropian (së paku), Vuçiq u gjet në një situatë krejtësisht të palakmueshme, kur i mbështetur për muri, u përball me domosdoshmërinë e marrjes së vendimit në dobi të përafrimit të politikës së jashtme të Serbisë me atë të BE-së, gjë që nënkuptonte edhe përqafimin e ndonjërën prej sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Vuçiqit nuk i pëlqen të marrë vendime sipas urdhrave të Perëndimit, veçmas, kur ato kanë afat të caktuar kur duhet të përmbushen. Ai deri sot e kësaj dite ka zvarritur marrjen e një vendimi të kësisoj në dobi të Perëndimit, mbase, edhe për shkak të bindjes së tij që kryeqendrat perëndimore nuk kanë alternativë tjetër, pos vetë atij në skenën politike serbe edhe ashtu të çoroditur, e cila thuaja nis e sos e shquhet me sentimentet pro-ruse dhe anti-perëndimore. Dihet që po të organizohej sot një referendum për hyrjen e Serbisë në BE, ai nuk do të kalonte, apo, shumica dërrmuese e qytetarëve të këtij shteti do të votonin kundër integrimit të Serbisë në BE. Do të ishte pra befasi e madhe po që se Presidenti i Serbisë do të pranonte që të nisë regjimin e sanksioneve ndaj Rusisë, qofshin ato edhe fare simbolike, sepse në këtë mënyrë do ta rrezikonte me të madhe pozitën e vet në politikën serbe. Ndërsa, kryekëput me meritat e Vuçiqit, Vladimir Putin dhe Rusia janë tej mase të popullarizuar në Serbi. Arsyeja e dytë e këtij krahasimi historik të liderit serb, ka të bëjë me fazën e tashme dhe të ardhshme të dialogut në mes të instancave më të larta të Kosovës dhe të Serbisë. Po i njëjti Vuçiq, vetëm disa vite më parë, kur në Serbi u organizua ’dialogu i brendshëm për Kosovën’, nuk hezitonte të fliste me tone pak a shumë realiste në përshkrimin e raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës. Këto përshkrime të bazuara, duhej t’i ndihmonin atij në opinionin publik të Serbisë, për të mbështetur qëndrimin e atëhershëm të tij që duhej arritur Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, sepse koha nuk punon për Serbinë. Në ndërkohë, edhe për shkak të zhvillimeve të fundit në Ukrainë dhe interesave të njohur të Perëndimit për ruajtjen e sigurisë dhe të stabilitetit të Ballkanit Perëndimor, janë shtuar argumentet pse Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë raportet e tyre. Megjithatë, duket që Vuçiqi tani më shumë se disa vite më parë po i druan finales së bisedimeve të Brukselit, sepse tani i është ngushtuar shumë hapësira manovruese e tij politike dhe diplomatike. Ai realisht, as nuk dëshiron të aplikojë sanksione ndaj Rusisë dhe as nuk do të bëjë marrëveshje me Kosovën. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.