Anomalitë e zgjedhjeve presidenciale amerikane - Klan Kosova

Anomalitë e zgjedhjeve presidenciale amerikane

123
string(13) "Sami Repishti" NULL
5 years më parë

Që në fillim më duhet të pohoj se zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA përfunduen me nji shgënjim të plotë për mue.

Kandidati i Partisë Republikane, z. Donald J. Trump, fitoi për hir të numrit ma të madh të “Kolegjit Elektoral”, megjithëse kandidatja e Partisë Demokratike, zonja Hillary R. Clinton, fitoi votën popullore me afërsisht 2.5 miljonë vota ma shumë (64.5 miljonë ndaj 62.3 miljonë).

 

Kjo “anomali” ashtë e mundshme në Amerikë, sepse zbaton Amendamentin XII të Kushtetutës Amerikane, nji praktikë e pranueme 240 vjet ma parë, dhe e adoptueme me arsyetimin e thjeshtë se numri i votuesve favorizon qendrat urbane të vendit, ku jeton shumica dërmuese e popullsisë. Kështu, popullsia rurale me nji numër shumë ma të vogël nuk përfaqësohet ashtu si e meriton.

U vendos të krijohet nji “Kolegj Elektoral” i përbamë nga nji numër relativisht i barabartë përfaqësuesësh nga qyteti dhe nga fshati, dhe i njajtë me numrin e anëtarëve të Kongresit Amerikan (Senati: 100 dhe Dhoma e Deputetëve: 435), d.m.th. 535 anëtarë. Zgjedhja e anëtarëve të Kolegjit Elektoral bahet nga çdo shtet më vete (Amerika ka 50 shtete). Nji kandidat konsiderohet i zgjedhun “president” vetëm mbas votimit të Kolegjit Elektoral me nji sasi votash 270, ose ma shumë. (Votimi i Kolegjit bahet me datën 19 dhetor 2016). Ka raste kur numri i votave të përgjithshme favorizon nji kandidat, por Kolegji Elektoral voton nji tjetër kandidat që njihet si “president”, ashtu siç ashtë sot rasti i z. Donald J. Trump.

Nji kompromis i këtillë ashtë i ngjashëm me të ashtu-quejtunin “kompromisi i madh” (1789), nji zhvillim që u arrit me marrëveshje në mes të shteteve të mëdha dhe me popullsi të shumtë dhe shteteve me popullsi të vogël (shembull: California 38 miljonë banorë dhe N Dakota 0.5 miljon banorë). U vendos që çdo shtet të ketë 2 (dy) senatorë, pavarësisht nga madhësia.

***

Që nga viti 1962, kur emigrova në SHBA, kam votue në zgjedhje lokale, shtetnore dhe federale, i bindun se vota e lirë ashtë themeli i demokracisë. Ishe i etshëm me ushtrue të drejtën time për nji votë të lirë. Kur mendojshe të kaluemen time në Shqipërinë komuniste dhe veçanërisht arrestimin, torturimin, dënimin me burg, sepse kishe kundërshtue votimet e dhetorit 1945, ushtrimi i votimit të lirë merrte për mue nji randësi e respekt pothuejse fetar.

Natyrisht, pak nga pak, u formue edhe baza e filozofisë sime politike e mbështetun në konceptin e lirisë. Me qenë “i lirë” u ba pasioni i thellë i jetës. Edhe për votimin kam qëndrue gjithëherë “i lirë”, pa iu nënshtrue propagandës partiake të kohës. Si qytetar i lirë jam përpjekë me mendue e me veprue “ashtu si më këshillonte arsyeja dhe si më diktonte ndërgjegjja e ime”. Baballarët e kombit amerikan e kanë kodifikue këtë qëndrim me shprehjet konstitucionale: “qeveria ushtron pushtetin e saj të ligjshëm vetëm me pëlqimin e qytetarëve.” Dhe se qytetarët “gëzojnë disa të drejta të patjetërsueshme që ‘pushteti’ nuk ka të drejtë me i mohue”. Njena nga këto të drejta ashtë e drejta e votimit të lirë, nji e drejtë që nuk mund të mohohet nga të tjerët, as të neglizhohet nga qytetarët koshientë. Sepse, “mohimi’ dhe neglizhimi” i së drejtës së votës së lirë ka rrjedhime të paevitueshme.

Kush i pëson këto “rrjedhime’? Ne, të gjithë ne, populli në përgjithësi. Kështu, ajo që mbetet ashtë shpresa se klasa udhëheqëse që na zgjedhim lirisht do të gjejë guximin e nevojshëm dhe urtësinë me sherue plagët e nji kombi, dhe me deklarue: “Mjaft me këto marrëzina. Ashtë koha të qeverisim me ndërgjegje!”

Me këto mendime, rreth orës 11:00 të datës 8 nandor, i shoqënuem nga bashkëshortja ime, Diana, dy pleq të mbajtun dorë më dorë, u drejtuem kah qendra e votimit. Atmosfera ishte festive. Qytetarët përshëndetshin njeni-tjetrin. Nuk pyesin: ”për cilin votove?” por: “A votove?”. Në oborrin e Qendrës së votimit, shenja të qarta me emnat e kandidatëve mbushin hapësinën që të shpie të dera e hymjes. Mbas saj, asnji shenjë. Asnji bisedë. Asnji provokim, ose ndërhymje. Njeriu ka ndjenjën e qenies “i lirë” në marrjen e nji vendimi të lirë, në nji vend të lirë. Votuem!

(Rrëfim: votuem për kandidaten e Partisë Demokratike)

***

Fushata elektorale ka zgjatë afërsisht 20 muej. Populli ashtë lodhë nga propaganda partiake, nga sulmet dhe kundërsulmet, ashtë lodhë nga ky konflikt partizanie politike. Pritet rezultati i votimeve që deklarohet mbas mesnatës. Kandidati që humbë në zgjedhjet del para televizionit, pranon humbjen dhe i uron kundërshtarit sukses në detyrën e re, si dhe premton përkrahje për ish-rivalin e vet politik. Ka nji dozë hiri dhe dinjiteti kur ai/ajo u drejtohet miljona përkrahësve të vet dhe këshillon me pranue rezultatet e me përkrahë kandidatin fitues. “Ne kemi bashkëjetue për 240 vjet me rradhë. Zgjedhjet tona kanë qenë të lira e të pranueshme nga të gjithë. Na kemi pranue rezultatet e deklarueme, edhe kur ata nuk na kanë kënaqë, dhe kjo ashtë ajo që duhet pranue nga të gjithë ne”, shkruente analisti republikan Frank Lutz. Votuesve u kujtohet fakti se bota mbar ka shikue Amerikën me respekt e me besim. (Kanë votue 127 miljonë qytetarë pa incidente.)

Por zgjedhjet e 8 nandorit këtë vit janë karakterizue edhe nga nji “anomali” tjetër: atmosfera e partizanisë së thellë që ka krijue keqardhje, xhelozi, dhe në disa raste edhe anmiqsi. Ashpërsia dhe vulgariteti që u dëshmuen gjatë fushatës elektorale, fatkeqësisht kanë mbijetue. Përse? Sepse që në momentin kur hudhet helmi i fjalës në dialogun e qytetnuem politik, atmosfera e shoqënisë civile helmohet deri në atë pikë sa që nuk mund të evitohet helmimi. Bahet e vështirë me gjetë nji gjuhë të përbashkët; fyemjet e ndërsjella njollosin gjithçka – e të gjithë ne. Gjetja e nji zgjidhje fisnike pamundësohet!

Ajo që ndihmon në këtë situatë ashtë kërkesa e faljes nga “fituesi” botënisht, dhe nji thirrje për mirëkuptim dhe afrim në mes nesh. Fyemjet, cinizmi e ashpërsia e fushatës elektorale duhen tejkalue.

Nji model për nji “tejkalim” të këtill na jep shkrimi i analistit F. Lutz :

“Bashkatdhetarë të dashtun: Sot, dal para jush me përvuejtëni. Sepse nuk ka nder ma të madh se me i shërbye vendin tim si president, si dhe përgjegjësi ma të madhe. Për shumë qytetarë si ju, kjo asht nji ditë festimi. Por, unë i njoh dhe i respektoj miljonat që kanë preferue nji përfundim tjetër. Prandej, unë kërkoj nga përkrahësit e mi edhe nji tjetër sakrificë, nga ju që keni punue aq shumë me ba histori sot. Në vend të hurrah!-ve tueja, ju lutem të jeni të përmbajtun. Kështu, unë mund të flas drejtpërsëdrejti me kundërshtarët e mi, dhe me të gjithë ata qytetarë që janë të dekurajuem, dhe të zhgënjyem, me rezultatet e sotme. Sistemi i jonë politik shpesh herë nuk e ka ndigjue zanin tuej. Sistemi i jone ekonomik, shpeshherë ju ka lanë mbas dore. Por jo ma gjatë! Sonte, unë ndigjoj zanin tuej, unë e ndiej shqetësimin tuej. Shpresat tueja dhe andrrat që ushqeni janë po aq të randësishme sa edhe ata (të fitimtarëve) të personave që janë këtu në këtë dhomë. Shqetësimet e jueja janë të drejta, janë reale. Unë i kuptoj, dhe do të veproj që t’i plotësojmë. Gjatë këtyne votimeve, na kemi thanë fjalë shumë të randa kundër njeni- tjetrit, negative dhe të papërshtatshme. Fjalët tona që na përçajnë na kanë largue shpeshherë nga sfidat që përballojmë e që kërkojnë nji zgjidhje. Tue fillue me shkollat tona që nuk kanë pasë sukses, me vazhdue me sistemin tonë të shëndetësisë që kushton shtrenjt, dhe me emigracionin, sigurimet shoqënore; sfidat që përballojmë si individë e si bashkësi qytetare, dhe si vend i madh, janë të pakufishme, dhe kërkojnë mendjet ma të ndrituna dhe idetë ma të mira nga të gjithë spektri politik i vendit. Në muejt e ardhshëm, Administrata e ime do të japë shembullin. Na jemi ma shumë se Demokratë, ma shumë se Republikanë. Na jemi Amerikanë! Sot, unë u baj thirrje të gjithë përkrahësve të mi me tregue frymë miqësore dhe mirëkuptim për të gjithë ata që vajtojnë humbjen e kandidatit të tyne, në qytetet dhe në krahinat tjera. Dhe, sonte, le t’i japim besën kombit tonë të përbashkët se do të jemi nji komb, nji dhe i pandamë. Unë kam premtue gjithënji me luftue për ju, por kjo nuk don të thotë se ne duhet të luftojmë kundër të tjerëve. Le ta shënojmë këtë mbramje si dita kur kemi gjetë qëllimet tona të përbashkëta, dhe së bashku, le të ecim përpara!

Le të ndërtojmë së bashku atdheun tonë, e jo ta coptojme atë!

Fortësia e demokracisë amerikane u tregue edhe me deklaratat e figurave kryesore politike të vendit.

Zonja Clinton, që humbi zgjedhjet, pranoi humbjen me këto fjalë: “Humbja ashtë dhimbje; por, ju lutem mos pushoni së besuemi se përpjekja për atë që ashtë e drejtë ashtë nji luftë e drejtë. Na duhet të mbajmë gjallë këtë fanar drite, sot dhe përsa kohë që jemi të gjallë. Na i detyrohemi fituesit nji mendje të hapun dhe nji shans me udhëheq. Më falni që nuk fituem këto votime për hir të vlerave që bashkëndajmë dhe për vizionin që na ushqejmë për vendin tonë – dhe do të jetë kështu për nji kohë të gjatë…Na duhet të pranojmë rezultatin, dhe duhet të ecim përpara…”

Presidenti Obama deklaroi: “Na kemi të gjithë tani dëshirën që ai (Trump) të dalë me sukses, sepse suksesi i z. Trump don të jetë e mira e përgjithshme…. Kalimi paqësor i pushtetit ashtë nji nga hallkat e demokracisë sonë. Dhe, gjatë muejve të ardhshëm do të tregojmë këtë qëndrim për botën e jashtme…“.

Presidenti i zgjedhun, z. D. J. Trump, uroji përkrahësit e tij për fitoren, përgëzoi zonjën Hillary Clinton për fushatën elektorale që ajo zhvilloi me aftësi dhe kambëngulje, dhe bani thirrje t’i japim dorën njeni-tjetrit, dhe së bashku do të bajmë “Amerikën e madhe përsëri!”.

Nji manifestim i këtill solidariteti në momente kyçe të historisë së vendit ashtë nji fenomen i zakonshëm dhe i respektuem nga të dyja palët tradicionalisht. Ashtë nji nga shprehjet ma elokuente të solidaritetit të kombit amerikan dhe të frymës demokratike të shoqënisë amerikane.

***

Anomalia” e tretë e zgjedhjeve presidenciale amerikane, për mendimin tim, ashtë dallimi i thellë në mes te dy kandidatëve presidencialë, si temperament dhe si programe politike dhe fitorja e papritun e z. Trump!

Me zonjën Hillary R. Clinton kemi të bajmë me nji kandidat, megjithëse jo perfekt, që ka tregue se ashtë idealiste dhe liberale e ngritun hap mbas hapi, nji person i kujdesshme që respekton strukturën shtetnore. Ajo ashtë paraqitë si figurë frymëzuese, si pragmatiste, dhe “demokrate” e moderueme. Fjala e saj ashtë bindëse, e argumentueme mirë; ka eksperiencë në qeveri dhe sidomos në politikën e jashtme. Fatkeqësisht, gabime të së kaluemes gjatë detyrës saj si Sekretare e Shtetit i shkaktuen humbjen e besimit te popullsia; në përgjithësi, e votuesve të pashkolluem.

Me z. Donald J. Trump kemi të bajmë me nji afarist te suksesshëm, që portretizohet nga shtypi i vendit si i paqëndrueshëm, pa arsenal kulturor, i egër për natyrë, jotolerant dhe arrogant, deri në nji pikë sa që revista prestigjioze “The New Yorker” e konsideron “…nji rast i emergjencës kombëtare”. Rreziku ma i madh vjen ngase z. Trump po thyen rregullat e shoqënisë civile me fjalime e kërcënime që frikësojnë popullsinë. Kjo tregon se ai mund të “normalizojë” shprehjet dhe qëndrimet që shoqënia amerikane quen “të papranueshme”.

Por, z. Trump ka tejkalue të gjitha normat e “normalitetit’. Racist deri në nji pikë sa të cilësohet si “supremacist”, antiemigracion, antimysliman, misogjen dhe feminist i shfrenuem, dhe të tjera atribute si kjo kanë karakterizue fushatën e tij elektorale; premtime që nuk mund të mbahen, sepse janë ose joreale ose të pamundshme praktikisht me u plotësue kanë gënjye mendjet e miljonave të pakënaqun me gjendjen e krijueme, sidomos ata që nuk gjejnë punësim. Analisti David Brooks e përmbledh me këto fjalë: “Unë do të thojsha se ka qenë nji revolucion sociologjik, nji paralajmërim moral dhe nji alarm politik”.

Nji kandidat me zero eksperiencë në politiken e jashtme, zero eksperiencë në çështje ushtarake, zero eksperiencë në artin e qeverisjes. Ai tregoi papërgatitjen e tij me sulmet kundër kundërshtarëve dhe kërcënime “me burgosje” të zonjës Clinton, dhe me deklarata shpesh kontradiktore dhe kaotike mbi problemet esenciale të vendit. Gazeta “The New York Times” e përcaktoi: “presidenti tabula rasa”. Ai përqafoi filozofinë e ndasisë kombëtare “na” dhe “të tjerët” me fjalime që nxisin racizmin. Z. Trump rrethoi veten me pjesëtarë të familjes dhe elementë që nuk frymëzojnë besim. Fjalori amerikan u pasunue edhe me nji termë të re: “trumpism”, nji anmiqsi e thellë ndaj profesionit të politikës, nji antipati e fortë ndaj elitave teknokrate, nji zhgënjim i madh nga vlerat e liberalizmit tradicional.

Trump nuk dha asnji herë spjegime si mendonte ai me zgjidhë problemet kryesore, por u kufizue me akuzue “të tjerët” si fajtorë të këtyne problemeve: meksikanët, myslimanët, bankat e mëdha, nji populizëm i vorfën që kënaqë naivët dhe emocionet e tyne, por jo arsyen. Për z. Trump, i vetmi “popull” që nuk ka gabue kanë qenë “të bardhët”, që ai i portretizoi si nji masë individësh, viktima të nji sistemi që ka qenë gjithmonë kundër tyne. Me nji propagandë të këtill, hymja në botën raciste, “të racës superiore” ishte vetëm nji hap larg. Studjuesi Kelly J.Baker (autor i “Supremacia e Elitës në Shoqëni”) spjegon se ideja e “…trupit Amerikan u komprometue nga emigrantët, ideja e racës superiore nordike, që pretendon se nordikët kanë themelue Amerikën, si nji “komb nordik”. Kjo ashtë edhe filozofia e K.K.K.-it :“raca udhëheqëse…!”. Amerika ka qenë: “…vendi i racës së bardhë, që ka zbulue, dedikue, banue, mbrojtë e zhvillue nga njerëzit e bardhë. Dallimi në mes racave ka qenë shkencëtarisht i provuem, dhe i krijuem nga hyjnia”.(sic!)(Fali o Zot marrëzitë tona!)

Pse fitoi nji kandidat i këtill si z. Donald J. Trump?

Sepse u përkrah nga masat popullore që mbështesin filozofinë e masipërme. Filozofi amerikan, Francis Fukuyama, spjegon: “Trumpi, në mënyrë të shkëlqyeshme, ia doli me mobilizue nji pjesë të elektoratit që e ndien veten të harruem dhe të pa perfaqësuem, klasën punëtore të bardhë, dhe e bani këtë pikë kryesore të programit të tij elektoral për vendin….(Ai theksoi) dy probleme reale të politikës së Amerikës: nji ngritje e pabarazisë ekonomike, dhe uzurpimi i sistemit politik nga grupe të interesave të veçanta e të organizueme mirë”.

Shumica e votuesve për z. Trump kanë qenë të bardhë, me arsim të ulët, ose pa arsim, megjithëse Partia Demokratike ka ba ma shumë për këto shtresa se çdo parti tjetër politike. U krijue kështu nji “identitet i të bardhëve”, fenomen politik i ri në shoqëninë amerikane moderne.

Ashtu si në Europën e Mbasluftës së Parë Botënore, masat e pakënaquna pritën “shpëtimtarin” me i udhëheq drejt nji jete ma të mirë… fashizëm, nazizëm, komunizëm… katastrofë!. “Identiteti politik” lidhë së bashku grupe për nji luftë të përbashkët kundër “hegjemonisë”, reale, ose të gënjeshtërt, politike, ekonomike, shoqënore, kulturale ose fetare, (nji mashtrim të këtill që ballafaqon  edhe Shqipëria sot!)

Pa asnji arsye të fortë objektive, nji subjektivitet i këtill ashtë thellësisht emocional. Nuk ka justifikim të arsyeshëm. Gjatë tetë viteve të administratës Obama, ekonomia amerikane tejkaloi krizën ekonomike që trashëgoi nga Partia Republikane e viteve 2007-8, stabilizoi tregun financiar me rifinancimin e bankave të dobësueme, shpëtoi industrinë e automobilave në prag të falimentimit, vuni bazat për shërbime mjekësore të përgjithshme (<em>Obamacare</em>) dhe pakësoi papunësinë e madhe që u krijue në Amerikë (4.6 për qind, ndoshta ma e ulëta në botën industriale). Administrata Obama krijoi ma shumë se 11 miljonë vende të reja pune. Vetëm këto tre muejt e fundit, ekonomia e SHBA-së ka sigurue nji mesatare prej 176.000 vendesh pune çdo muej. Mesatarja e punësimit gjatë vitit 2016 ka qenë 181.000. Në vitin 2015 kjo mesatare u rrit deri në 219.000 vende të reja pune çdo muej. Nuk ka asnji shenjë që Amerika rrezikohet nga nji krizë e re ekonomike. Zhvillimi ekonomik ec dhe zhvillohet me baza të shëndoshta.

Trump nuk zen me gojë këto të dhana. Në mënyrë flagrante ai krijon situata dhe citon “fakte” që janë pjellë e natyrës së tij deluzionare. Gjatë fushatës, ai deklaroi: “…jemi para nji flluske sapuni të madhe, të trashë dhe të mbrapshtë. Jetojmë me frikë, jo realitet!”

Ekzagjerime e tia, në fakt të cilësueme si “gënjeshtra elektorale”, shkojnë përtej së pranueshmes. Tue komentue mbi raportet pozitive të punësimit, ai tha: “Punësimi i tetorit ka qenë nji katastrofë… dhe nënvizon dështimin e plotë të Obama-s. Dhe “ekonomia e Clinton-it punon vetëm për donatorët dhe interesat e veçanta, ndërsa grabit familjet punëtore…”.

E gjithë kjo frazeologji demagogjike vjen nga nji miljarder që nuk pagoi taksat shtetnore për 18 vjet me rradhë…

***

Në shumicën e kampusve universitare të Amerikës, studentët dhe të rinjtë amerikanë kanë fillue marshime kundër Presidentit të zgjedhun Donald J. Trump, me pankarta: ”NOT MY PRESIDENT!”

Sot, unë bashkohem me këta të rij idealistë e koshientë të së keqes që ka ra mbi kokët tona, kundër nji ideologjie që frikëson afro-amerikanët. Latino-t, myslimanët, emigrantët nga çdo vend i botës, gjithë të ri-ardhunit, gratë e të tjerët që e ndiejnë veten të kërcënuem nga nji valë raciste e krijueme nën presionin e së djathtës ekstreme (“alt-right”), bazë e politikës së Presidentit të zgjedhun.

Sot, unë bashkohem me të revoltuemët në vazhdim besnikërie të bindjeve të mia, dhe të frymës së rezistencës gjatë rinisë sime kundër diktaturës së kuqe.

Sot, edhe unë përsëris me të rinjtë e revoltuem: “NOT MY PRESIDENT!”

 

Ridgefield, CT. USA