Amerika, Evropa dhe Kosova 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 09.07.2024 16:45 09.07.2024 16:45 Blerim Shala Paqja në Evropë është mbajtur prej vitit 1945 deri në vitin 2022 (kur Rusia invadoi Ukrainën), falë Parimit DFF, që është shkurtesë për dijen, financat dhe forcën ushtarake. Dija do të mbërrijë në formë të telegramit më të famshëm diplomatik të të gjitha kohëve (deri më sot), të George Kennanit, që shërbente në Ambasadën e SHBA-së në Moskë (Bashkimit Sovjetik të atëhershëm). As një vit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në muajin shkurt të vitit 1945, Kennan do t’ia bëjë me dije Washingtonit zyrtar që e pret një konfrontim i ashpër politik, diplomatik e ndoshta edhe ushtarak me Moskën. Ishte kjo analizë tronditëse për Administratën e Harry Trumanit. Në vitet pasuese do të kuptohen dhe përjetohen përmasat e mirëfillta të këtij paralajmërimi të jashtëzakonshëm të Kennanit. Bashkimi Sovjetik ishte ndalur në territoret e pushtuara pas kapitulimit të Gjermanisë Naziste, por jo edhe Komunizmi. Ideologjia komuniste ishte fare afër të ngadhënjente me luftë, në Greqi, dhe me paqe (përmes zgjedhjeve), në Francë dhe Itali. Kishte pra rrezik real që Komunizmi të mbërrinte në Atlantik dhe në Mesdhe. Britania e Madhe e kishte marrë mandatin nga SHBA-ja të merret në të gjitha mënyrat e mundshme me Evropën e pasluftës, por nuk do të vonoi dhe Londra do të dorëzohet para mësymjes së Komunizmit për ta nënshtruar thuaja gjithë Evropën kontinentale. Administratës së Trumanit nuk i mbeti gjë tjetër pos që ta marrë (për herë të tretë që nga Lufta e Parë Botërore), barrën e shpëtimit të anës evropiane të Perëndimit. Plani Marshall (i emëruar sipas Sekretarit të Shtetit, George Marshall), do të sigurojë një pako të madhe financiare për Evropën e rrënuar, teksa me 4 prill të vitit 1949, në Washington do të themelohej Aleanca Veri-Atlantike (Pakti NATO). Sekretari i parë i përgjithshëm i Aleancës do të emërohej britaniku Lord Ismay, që në mënyrë të shkëlqyeshme do ta përkufizonte synimin e NATO-s. Sipas tij, Aleanca Veri-Atlantike do të duhej të mbante Bashkimin Sovjetik jashtë (Evropës Perëndimore), amerikanët brenda (Evropës), dhe gjermanët poshtë (kokulur). Nuk ka kurrfarë dyshimi që pa raportin e Kennanit, pa Planin Marshall dhe pa Paktin NATO, Evropa nuk do të shpëtonte kurrë, dhe në fund, në nëntorin e vitit 1989, SHBA dhe Evropa nuk do ta fitonin ‘Luftën e Ftohët’, në atë përplasjen titanike me Bashkimin Sovjetik dhe Kampin lindor. Me pak fjalë kështu mund të përshkruhet historia e Evropës e cila jetoi në paqe për 77 vjet, gjë që është njëra nga periudhat më të gjata të pushimit të armëve në këtë kontinent. Kur ‘Lufta e Ftohët’ mori epilogun e njohur, nuk kanë qenë të paktë politikanët dhe diplomatët euro-perëndimor që thanë që Epoka amerikane ka marrë fund në Evropë, së bashku me atë të Paktit NATO. Por Evropa u zë ‘në flagrancë’ (si thuhet), me Luftërat që pasuan në vitet 1991-1999 me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, kur tragjeditë e njëpasnjëshme dhe pafuqia evropiane për ta ndalë agresionin e Serbisë në thuaja të gjitha ish-njësitë federale, dëshmuan atë që Richard Holbrooke, diplomati më i njohur amerikan i të nëntëdhjetave, pati konstatuar atëherë: Amerika është një fuqi evropiane. Pa Amerikën e Administratës së Bill Clintonit, nuk do të përfundonte lufta në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë, më në fund, në vitin 1999, në Kosovë. Lufta e Perëndimit për shpëtimin e popullit shqiptar në Kosovë, në pranverën e vitit 1999, do të koincidojë me shënimin e 50 vjetorit të ekzistencës së Aleancës Veri-Atlantike. Njëkohësisht, siç do të kuptohet në vitet dhe deceniet e mëpasme, Kosova e vitit 1999, ishte kulminacioni i fuqisë politike dhe ushtarake të Amerikës dhe të Perëndimit. Evropa dhe Bota kanë ndryshuar shumë prej asaj kohe, 25 vite më parë. Kanë ndryshuar për të keq. Krejt çfarë ka ndodhur në ndërkohë, realisht, vetëm sa ka fuqizuar domosdoshmërinë e pranisë, por edhe të zgjerimit të mëtejmë të Paktit NATO si ombrellë e paqes dhe e sigurisë në Evropë. Kjo u konfirmua më së miri me luftën që Rusia e nisi në Ukrainë. Samiti i Paktit NATO, në shënim të 75 vjetorit të ekzistencës së tij, ka nisur këtë të martë (9 korrik), në Washington. Perëndimit, realisht, do t’i duhet përgjithmonë Pakti NATO, sikurse që Evropës do t’i duhet përjetë Amerika. Kosovës poashtu, do t’i duhet gjithnjë Amerika, Aleanca Veri-Atlantike dhe Perëndimi. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.