Amerika dhe dialogu i Brukselit 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 31.07.2022 13:16 31.07.2022 13:16 Çfarë roli duhet të ketë SHBA-ja në dialogun në mes të instancave më të larta të Kosovës dhe Serbisë, i cili do të duhej të përmbyllej me Marrëveshjen Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, e cila për themel të vetin do ta ketë njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë? Po të pyeteshin politikanët dhe qytetarët e Kosovës, Amerika do të duhej t’i printe kësaj ndërmarrjeje ndërkombëtare prej tash e deri në fund. Është krejtësisht i kuptueshëm ky besim i kosovarëve në Amerikë, veçmas kur Presidenti i saj është Joseph Biden, një mik i madh i Kosovës. Historia e angazhimit të SHBA-së për ndaljen e luftës, në vitet 1998, 1999, për organizimin e Konferenës së Rambouilletit, (shkurt, mars, 1999), për çlirimin e Kosovës, (qershor, 1999), për pavarësimin e Kosovës (shkurt, 2008), për sigurimin e shumë njohjeve të shtetit të ri të Kosovës, për krijimin dhe transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, për ndihmën e shumëfishtë ekonomike dhe financiare (e cila u konfirmua edhe me Marrëveshjen e re me MCC-in në fushën e energjisë), është e njohur për të gjithë ne. Shkurt, Kosova nuk do të ishte kush është sot pa Amerikën. Sidoqoftë, nëse këtu i kthehemi pyetjes fillestare të këtij shkrimi, nuk do të jetë vështirë të konstatohet që pa Amerikën, nuk mund të mbërrihet në fund të këtij rrugëtimi të gjatë të bisedimeve dhe negociatave me Serbinë (të cilat tashmë i kanë kaluar 24 vjet të plota), por që aspekti organizativ i dialogut të Brukselit, nënkupton atë partneritetin transatlantik në mes të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, i cili u rivendos vitin e kaluar, (2021), pas një periudhe goxha problematike katërvjeçare të Administratës së Presidentit Trump. Vizita në Bruksel e Presidentit Biden, në qershorin e vitit të kaluar dhe dy Samitet e mbajtura, ai i Aleancës Veri-Atlantike dhe tjetri, SHBA-BE, jo vetëm në aspektin simbolik, por edhe në atë përmbajtësor, dëshmuan që SHBA dhe BE janë sërish së bashku në çështjet themelore të politikës së jashtme. Bashkëpunimi i partnerëve transatlantik po kalon këtë vit sprovën më të madhe në historinë e Evropës pas vitit 1945 (përfundimi i Luftës së Dytë Botërore), atë të shkaktuar nga agresioni i Ushtrisë së Rusisë në Ukrainë. Mbrojtja dhe përkrahja e Ukrainës në këtë luftë, tregoi në mënyrën më të qartë të mundshme sa kanë Amerika dhe Evropa nevojë për njëra-tjetrën, apo çfarë rëndësie jetike për sigurinë e Evropës ka aleanca ushtarake dhe politike e SHBA-së dhe Evropës. Kjo luftë dhe synimet evidente të Rusisë edhe në Ballkanin Perëndimor, kanë shtuar shqetësimet dhe interesin e Washingtonit dhe Brukselit për këtë anë të Evropës. Nuk ka dyshim që arritja e një Marrëveshjeje eventuale në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’i jepte fund një kontesti historik qindvjeçar në mes të shqiptarëve dhe serbëve, do t’i kontribonte shumë stabilizimit afatgjatë të Ballkanit Perëndimor. Kur bëhet fjalë për dialogun e Brukselit dhe qasjen ndaj tij të SHBA-së dhe BE-së, si dhe të shteteve kryesore evropiane (Gjermanisë dhe Francës), rëndësi të veçantë ka fakti i cili sipërfaqëson një pajtim parimor se cili duhet të jetë epilogu i bisedimeve të lehtësuara nga BE. Të gjithë janë dakord që normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk ka si t’i shmanget njohjes reciproke në mes të këtyre dy shteteve. SHBA-ja, tash e katër vjet i ka prirë artikulimit publik të këtij qëndrimi, qysh në kohën e Presidentit Trump. Në këtë aspekt, gjithsesi ka luajtur atë rolin prijës, të cilin e kërkojnë aq shumë kosovarët. Gjermania e Kancelarit Scholz në maj dhe qershor të këtij viti bëri të njëjtën gjë, duke e ndërlidhur njohjen e Kosovës nga Serbia si kusht pa të cilin nuk bën, nëse Serbia dëshiron të bëhet shtet anëtar i BE-së. Edhe Franca e Presidentit Macron ka këtë mendim, edhe pse nuk ka dalë publikisht si Washingtoni dhe Berlini. Zatën, vet Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić e di mirë që në Perëndim nuk ka kurfarë dallimi sa i përket finales së dialogut të Brukselit. Afërsia e SHBA-së dhe BE-së, siç u theksua tashmë, është në forcim e sipër për shkak të Luftës në Ukrainë. Rasti i dialogut të Brukselit, ashtu siç ishte në vitet 1999 dhe 2008, do të jetë një tjetër rast kur partneriteti i SHBA-së dhe BE-së do të sigurojë arritjen e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në mes të këtyre dy shteteve. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.