Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ambasadorët, fundi i farsës me PD

123
string(12) "Andi Bushati" string(72) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/05/bushati-2-840x440-1.png"
nga Andi Bushati 24.05.2016 19:51

Përfaqësuesit e lartë të dy prej selive më të rëndësishme perendimore në Tiranë kanë folur sot përpara shqiptarëve me një gjuhë krejt absurde.

Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin dhe zv ambasadori amerikan David Muniz kanë përdorur një argument qesharak për të shperhur vendosmërinë e tyre për të miratuar reformën në drejtësi. Apeli i tyre i njëzëshëm ishte: nuk ka më kohë për ndryshime të mëdha në draft.

Duke dëgjuar këtë thirrje vetvetishëm të lind pyetja: E përse nuk paska më kohë? E pse gjithë kjo urgjencë?

Kush është më prioritare: cilësia e draftit, apo afatet e miratimit të tij? Kush ka më rëndësi, një reformë konsensuale dhe e gjithëparanuar, apo suksesi diplomatik që do ti raportojnë shefave të tyre diplomatët me seli në Tiranë?

Pra çështja e reformës në drejtësi nuk është më, thjeshtë një çështje kohe. Po të ishte e tillë, po qe se duhej të vazhdohej të debatohej, të përmirsoheshin nene, të ndreqeshin koncepte, ajo mund të shtyhej edhe pa fund. Për një vend që ka pritur një çerek shekulli me këtë drejtësi të kalbur, që ka kaluar nga militantizmi i gjyqtarëve të plepave e deri tek banditizmi i atyre aktualë, nuk do të ishin asgjë edhe disa muaj më shumë.

Por, fatkeqësisht, çështja e kësaj reforme është një histori vullneti politik.

Partia Demokratike po tregon për ditë e më qartë se nuk e ka as këtë vullnet dhe as dëshirën ta votojë projektin e ndërkombëtarëve. Ajo njëherë thotë se nuk ka ndërmend të paraqesë draft të vetin dhe në fund del me një të tillë. Ajo nga një anë voton në parim diçka dhe më pas pendohet e deklaron se nuk është dakord me arkitekturën e sistemit. Ajo herë gjen argumenta realë e herë artifice, gjithnjë me të njëtin qëllim: ta pengojë procesin të ecë përpara.

Tashmë, për të gjithë, është e qartë si drita e diellit se Berisha ka urdhëruar sabotimin e kësaj reforme. Duke adaptuar qëndrimin e tij PD-ja ka marrë përgjësi. Ajo po mbart mbi vete pëeshën e konfliktit me ndërkombëtarët dhe të paragjykimit nga shqiptarët, duke i bërë një favor të madh edhe kundërshtarëve të saj politikë. Megjithëse e dinë se dyshja kleptokratike Rama- Meta nuk e do këtë projekt, që mund ti ekspozojë ndaj hetimeve të nesërme, demokratët kanë vendosur ta marrin vetë barrën.

Deri këtu nuk ka asgjë të keqe.

Ne mund të hamendësojmë sa të duam negativisht për arsyet e mbrapshta se përse PD po e bën këtë. Ne mund të kemi paragjykimet tona. Por në fund të fundit mosvotimi i kësaj reforme është një vendim politik. Ai nuk është as një sakrilegj, as një akt kriminal.

PD mund të vendosë për mosvotimin dhe për këtë do të korrë frytet përpara shoqërisë dhe elektoratit të saj.

Problemi i PD-së pra, nuk është tek ky vendim, por tek forma që po zgjedh për të vënë në jetë atë. E gjendur nën presion ndërkombëtar opozita po luan Penelopën që zhbën në errësirë premtimet që thur gjatë ditës. Dhe kjo lojë bajate, e atij që ndryshe thotë e ndryshe bën e ka shndërruar në absurd lidershipin e partisë.

Ndoshta do të kish qenë më mirë të PD të artikulonte një “jo” të prerë. Çdo argument i tillë, me arsyetimin se nuk mund të rregullohet drejtësia me këtë qeverisje kleptokratësh të lidhur me banditë, do të qe shumë më serioz dhe shumë më politik sesa mashtrimet e vogla që po i nxjerrin bojën dita ditës.

Ato thjeshtë po e tregojnë, meskine, të trembur dhe qesharake. Por, për fat të keq, në këtë lojë të shpifur kukamëshefti, opozita po tërheq edhe diplomatët.

PD-ja nuk thotë: ne nuk e votojmë këtë reformë megjithëse e ka treguar qartë se nuk e do. Ambasadorët e dinë si drita e diellit që PD-ja nuk e do, por bëjnë sikur nuk e kuptojnë, nga frika se mos shkëpusin përfundimisht pikat e takimit.

Dhe kështu edhe njëherë akoma publikut i paraqitet një farsë ku askush nuk thotë të vërtetën. Pasojë e saj janë edhe deklaratat e sotme diplomatike që ushtuan me thirrjen absurde: “Nuk ka më kohë”. Dhe që ti jepet fund kësaj farse që po i bën të gjithë qesharakë ka vetëm një rrugë: palët ti japin fund lojës me gjasme.

PD ja duhet të dalë e të thotë se nuk e voton këtë reformë. Ndërsa ndërkombëtarëve i mbetet përgjegjësia për të treguar se çdo të bëjnë këtej e tutje pa PD-në.

Duket e dhimbshme, po ndoshta nga kjo fitojnë më shumë të gjithë. Në rastin më të keq, i shmangen turpërimit të ndërsjelltë.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme