Aleancat e Amerikës pas Trumpit - Klan Kosova

Aleancat e Amerikës pas Trumpit

string(15) "Kent Harrington" string(57) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2020/11/kent.png"
1 javë më parë

Aleatët e Amerikës duhet të mirëkuptohen nëse janë konfuzë, se ku po shkon politika e jashtme amerikane. E kush nuk është, duke pasur parasysh sjelljen e shkujdesur të presidencës së Donald Trumpit? Gjatë 3 viteve të fundit, Trump ka mbjellë kaos, dhe politika e tij e jashtme, nëse mund të quhet ende e tillë, solli një kuptim të ri të mungesës së koherencës.

Presidenti i zgjedhur Xho Bajden do të jetë më i mirë. Por a e ka ndryshuar Trumpi aq shumë Amerikën, saqë bota nuk mund të shpresojë që ajo të jetë sërish normale? Trump pati jo vetëm një “flirt” me diktatorin e Koresë së Veriut të armatosur me armë bërthamore, por ai mbajti raporte të ngrohta me presidentin rus Vladimir Putin, një njeri që po zhvillon një luftë të hapur politike ndaj Perëndimit.

Ai mbështeti gjithashtu Brexit, dhe i keqtrajtoi aleatët evropianë të Amerikës. Në Konferencën vjetore të Sigurisë së Mynihut në vitin 2020, presidenti francez Emanuel Makron dhe ai gjerman Frank-Valter Shtajnmajer, e pranuan se Trump e kishte dëmtuar rëndë aleancën transatlantike.

Mesazhi i tyre ishte i qartë:Nëse Trump fitonte një mandat të dytë, partneriteti historik, që ka formuar prej kohësh “Perëndimin” gjeopolitik, nuk do të ishte më kurrë i njëjti. Liderët e matur të botës, po përgatiteshin për më shumë paqëndrueshmëri dhe pasiguri, nëse Trump do të arrinte të rizgjidhej në detyrë.

Natyrisht, Franca dhe Gjermania, kanë shumë arsye për të mos qenë dakord me Shtetet e Bashkuara, qoftë mbi marrëdhëniet tregtare, qasjen e moderuar të Makron ndaj Kremlinit, apo qasjen relativisht më pak konfrontuese të të dyja vendeve me Kinën.

Por në Paris dhe Berlin, si kudo tjetër në Evropë, reagimi ndaj Trump nuk ishte vetëm ndaj bullizmit të tij, apo taktikave tregtare dhe atyre përçarëse. Evropianët e panë se administrata e tij po ndiqte një kurs, që hodhi poshtë marrëdhënien e sigurisë transatlantike, dhe rolin e saj qendror në angazhimin global të SHBA-së në përgjithësi.

Bajden do të heqë dorë nga një unilateralizëm i pakufizuar. Por edhe me një qasje të re, dëmi që ka shkaktuar Trump nuk do të riparohet kollaj, apo të ndryshojë pikëpamjet e udhëheqësve evropianë, se kontinenti do të duhet të sigurojë gjithnjë e më shumë veten e tij.

Trajtimi që u bëri Trump aleatëve të SHBA në Azi, u ka dhënë evropianëve paralajmërimin e mjaftueshëm për t‘u përgatitur për më shumë përkeqësim të marrëdhënieve të sigurisë. Pavarësisht kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut dhe fuqisë në rritje të Kinës, Trump u përpoq t’i shndërrojë aleancat thelbësore të Amerikës me Korenë e Jugut dhe Japoninë, në një marrëdhëniet të tipit “paguaj që të përfitosh”.

Fatmirësisht, Bajden e kupton atë që Trump nuk e bëri:që paktet e mbrojtjes amerikane me këto 2 vende, e kanë mbështetur stabilitetin në Azinë Lindore për 70 vjet, duke i dhënë shumë përfitime SHBA-së. Trump i pa që të dyja marrëdhëniet si “marrëveshje të këqija”, dhe Bajden do të duhet t’i bindë amerikanët të distancohen nga diplomacia transaksionare e Trumpit.

Koreja e Jugut dhe Japonia, mund të dëshmojnë faktin se “Amerika e Para” nuk ishte thjesht një parullë. Me Marrëveshjet e Mbështetjes së Vendit Pritës, Trump kërcënoi vazhdimisht të tërhiqte forcat amerikane nga të dyja vendet, nëse ato nuk paguanin më shumë mbi atë që ai e quajti mbrojtje amerikane.

Në fakt, Koreja e Jugut dhe Japonia tashmë ndajnë kostot e ndërsjella të mbrojtjes së tyre. Seuli paguan më shumë se 40 për qind të kostove operative të forcave amerikane të stacionuara atje. Ai gjithashtu mbuloi 92 për qind të kostos prej 10.7 miliardë dollarësh të zhvendosjes së komandës amerikane tek ambientet e reja jashtë Seulit, dhe bleu pajisja të reja ushtarake amerikane me vlerë miliarda dollarë.

Nga ana e saj, edhe Japonia jep 2 miliard dollarë në vit për të mbështetur 54.000 trupat  amerikane në vend. Ajo blen 90 për qind të pajisjeve të saj ushtarake nga kompanitë amerikane, dhe ka dhënë 19.7 miliardë dollarë (77 për qind të kostove në total) për ndërtimin e 3 bazave kryesore.

Nëse këtyre i shtojmë rrjedhjet e informacionit, që flasin për tërheqjet e mundshme të trupave amerikane dhe njoftimin në korrik, se 12.000 trupa amerikane do të largohen së shpejti nga Gjermania, atëherë është e qartë, se administrata Bajden do të duhet jo vetëm të hartojë një strategji të re negociuese, por edhe të ripohojë garancinë e sigurisë së SHBA-së ndaj aleatëve.

Mjerisht, trashëgimia e keqe e Trump, do t’i mbijetojë largimit të tij. Me gjithçka, nga kujdesi shëndetësor tek ndryshimi i klimës, që kërkon vëmendjen e Bajdenit, politika e jashtme amerikane është e sigurt se do të ketë një prioritet dytësor, në krahasim me përparësitë e brendshme.

Për aleatët e SHBA-së, durimi do të mbetet një virtyt. Për të ndrequr gabimet e viteve të Trump do të duhet kohë. Siç e pati thënë të paktën që nga viti 1990, Trump donte të reformonte angazhimin e Amerikës në mbrojtjen e aleatëve, dhe të ndryshonte rrënjësisht rolin e saj në botë. Trump mund të jetë një gënjeshtar patologjik, por mbi këtë çështje ai e mbajti fjalën. / “Project Syndicate” – Bota.al