Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Adaptimi me virusin si ‘Normalitet i ri në Kosovë’

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 20.03.2021 10:38

Këto ditë në televizionet dhe portalet tona, u shfaqën pamjet nga disa restorane dhe kafeteri të Tel Avivit (në Izrael), ku këndohej dhe vallëzohej, ku shfaqej një jetë fare e zakonshme, normale të atyre që i gëzoheshin një dite të bukur në këtë qytet.

Izraeli është kampion në Botë sa i përket vaksinimit të popullatës në mbrojtje nga Covid-19, prandaj, gjithë ajo masë e grumbulluar në kafeteri dhe restorane, pa kurfarë distance, pa asnjë masë mbrojtëse, është një rezultat i pritshëm, i logjikshëm i një suksesi të tillë të Qeverisë dhe të shtetit.

Në televizionet dhe portalet tona mund të zënë vend edhe tabllot nga restoranet dhe kafeteritë e Prishtinës, apo, të akëcilit qytet të madh të Kosovës.

Edhe këtu ditën, e veçmas në mbrëmje, ka tollovi dhe grumbullim të qytetarëve, ka muzikë, këndim dhe vallëzim, dhe të gjitha këto i ngjajnë një jete të zakonshme dhe normale.

Dallimi i vetëm, fare i vogël, në shikim të parë, është që te ne asnjë njeri i gjallë (si thuhet) akoma nuk është vaksinuar, apo, nëse Izraeli është me meritë në vendin e parë në Botë për shkallën e mbrojtjes së popullatës  (me vaksinim), ne, si Kosovë, jemi  (me meritë apo jo, kjo këtu fare nuk ka rëndësi), në vendin e fundit në Evropë me numrin zero të të vaksinuarve.

Por këndim dhe vallëzim kemi sa të duash.

Të mos harrojmë që si shtet, si Kosovë, jemi të vetmit në Evropë që nuk kemi ende të drejtë për të udhëtuar pa viza në Zonën Schengen.

Pa viza, pa vaksina dhe me virus. Sa të duash. Madje. Kjo është Kosova e vitit 2021.

Kosova aktualisht, me numrat e të infektuarëve në krahasim me popullatën e përgjithshme, shtyhet me Gjermaninë, e cila po e përjeton valën e tretë dhe më të rëndë të goditjes masive nga Coronavirusi. Por derisa Gjermani është tutje thuaja plotësisht e mbyllur, ne këndejpari, jemi, thuaja, plotësisht të hapur.

Megjithatë, vështirë që këndejpari mund të gjndet një politikan i vetëm shqiptar i Kosovës, i cili ka guximin të dalë publikisht në mediat tona dhe të këkojë mbylljen e plotë të vendit, apo, madje edhe imponimin e kufizimeve të çfarëdollojta, pas gjithë asaj çfarë ndodhi në javët e fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Politikanët, me arsye gjithsesi, për ta kufizuar disi atë hovin e madh të shpërndarjes së virusit, verën e vitit të kaluar ndaluan popullimin e hoteleve dhe restoraneve me dasmorë, mysafirë, muzikë dhe valle. Por në dimrin e këtij viti, po të njejtit, i populluan dhe stërpopulluan hotelet dhe restoranet me ithtarë dhe përkrahës të tyre, në promovimin e premtimeve të tyre të lloj-llojshme për qytetarët e Kosovës, nëse ata do të dilnin fitues në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ata nuk ishin në gjendje të respektojnë vendimet e veta në luftimin e këtij virusi, por të njejtit ofronin ‘katalog të premtimeve’ të cilat në masë të madhe, nuk kanë të bëjnë gjë me realitetin.

Kredibiliteti i udhëheqësve është cilësori kryesor që vlenë në rrethana të ndonjë krize të madhe politike, të një fatkeqësie natyrore, të një goditje nga Pandemia, siç është rasti tash e më shumë se një vit në Kosovë dhe në Botë.

Politikanët e Kosovës, që të gjithë, të gjitha partive, janë zhveshur tërësisht nga kredibiliteti kur bëhet fjalë për masat eventuale shtrënguese të cilat do të duhej të ri-aplikoheshin në Kosovë.

Është humbur fytyra, është humbur besimi, është humbur edhe e drejta që të ndërmirren këto veprime me synim që të ulen numrat e të infektuarëve në Kosovë, të cilët po i afrohen tani një mijëshit në ditë (shifër kjo katastrofale për një shtet të vogël çfarë është Kosova), që të zvogëlohet edhe numri i të vdekurve.

Ndërsa nëse vazhdohet me këto trendet e javëve të fundit, deri kah fundi i pranverës, mund të ndodhë që neve as që do të na duhet më vaksina për ta krijuar atë ‘imunitetin kolektiv’ (apo ‘imunitetin e turmës’), sepse thuaja të gjithë do ta kemi kaluar këtë virus  (pos atyre që fatkeqësisht kanë vdekur).

Kështu do të bëhemi fenomen planetar.

Formulimi i rëndomtë të cilët gazetarët e përdorin, kur bëjnë atë raportimin ditor për statistikat e fundit për Covid-19, kur flitet për të vdekur nga ky virus, spikatë atë fjalinë që ‘kaq qytetarë të Kosovës humbën betejën me Coronavirusin’.

Problemi i madh dhe kryesori ndër ne është që Kosova si shtet është duke e humbur këtë luftën me Covid-19.

E keqja më e madhe në këtë aspekt është që disi, të gjithë ne, si vend, si shoqëri, i jemi adaptuar, për mos thënë, i jemi nënshtruar këtyre rrethanave të krijuara tash e sa kohë në Kosovë. Nëse nuk jemi të prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë me virus, apo, nëse dikush nga familjarët tonë nuk është sëmurë prej tij, neve nuk na bën më përshtypje se çka po ndodhë me të tjerët, apo si janë punët në shkallë vendi me këtë sëmundje.

Tash një vit, kur mbërriti Pandemia edhe tek ne dhe ndër ne, mbase kjo na kujtohet ende, të gjithë ne ishim të shastisur dhe të tmerruar nga lajmet për Covid-19.

Nuk dinim fare për çka bëhet fjalë. Si në gjithë Botën, zatën. Por ishim të frikësuar tej mase. Ishim shumë më të vëmendshëm, më të kujdesshëm, përcjellnim këshillat e mjekëve dhe të ekspertëve.

Ndërsa numrat e të infektuarëve në Kosovë, deri në fillim të muajit qershor, rrallëherë kalonin numrat dyshifror. Ndërsa kishte ditë që nuk kishte fare të vdekur.

Po të na thoshte dikush, atëherë, që një vit më pas, në muajin mars të vitit 2021, jo që nuk do të zhduket virusi (se të gjithë mendonim që e tëra është punë muajsh), por që do të kemi 700-800 të infektuar në ditë, gati 10 të vdekur mesatarisht në ditë, e ne do të sillemi kështu si realisht sillemi tash e sa kohë, ne do ta damkosnim këtë lajmës nga e ardhmja si një njeri të çmendur.

Ju kujtohet që thuaja prej javëve të para kur u paraqit në të katër anët e Botës Covid-19, pos që flitej për kohën kur do të mund të zbulohej vaksina kundër këtij virusi, paralajmërohej edhe ai ‘Normaliteti i ri’, që do të duhej ta zëvëndësonte këtë Gjendjen e Jashtëzakonshme, të imponuar nga Pandemia.

Në Kosovë duket që e kemi mbërri tashmë këtë ‘Normalitetin e ri’, pa e kaluar fare këtë virus.

Ne e kemi bë të zakonshme dhe normale këtë gjendje që nuk ka realisht gjë të përbashkët me të zakonshmen dhe me normalen.

klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme