Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Aborti permanent i një shteti pa emër

123
string(13) "Xhemal Ahmeti" string(66) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2020/12/xhemal-ahmeti.jpg"
nga Xhemal Ahmeti 08.09.2017 12:39

Zeavi mashtron shqiptarët duke kursyer të vetët. Shqiptarët mashtrojnë veten duke mos kursyer as tjerët. Gruevski mashtron të vetët dhe gjithë dummy-t e planetit. BE mashtron botën se Maqedonia mund të stabilizohet vetëm nëpërmjet profesionalizimit të burokracisë. Tallja e pafund me një shtet ende pa emrin që donë vetë.

Zaev vazhdon të mëzhveshet si destrudo i „zotimeve“ të veta. Ditën mbështet ligjin për gjuhën shqipe, natën shtyn, nxit dhe motivon eksponentë lsdm-istë që të argumentojnë karshi joshqiptarëve dhe europianëve; ligji qenka i paimplementueshëm pasi rezulton në fund transgresion kushtetutar.

Gruevski vazhdon me pseudonacionalizmin e ndërtuar nga ai mentaliteti që me sedimentet e monolitëve përreth e në zhbërje e sipër mëton ta ndërtojë një kullë të veten mbi ujë. Aksioni në thelb ka të njëjtën esencë si ai i tjetrit: mashtrimin e masave! Vetëm se adresatët e Greuvskit dallojnë nga ata të Zaevit. I fundit donë të mashtrojë shqiptarët duke i kursyer të vetët, i pari ata që konsiderohen shumica e parë dhe me përbërje sllave, greke, turke torbeshe e serbe kundër shqiptarëve.

Nëse bazohemi në këtë pasqyrë faktike, në këtë sintezë të sjelljeve të dy blloqeve politike joshqiptare, atëherë po recitojmë për të satën herë formulën e stërtjetërsuar të Max Weber-it mbi pushtetin: «Është pushteti i Ego-s shkaku që shkakton tek Tjetri-i një sjellje të caktuar kundër vullnetit të tij. Kjo metodë veprimi aftëson Egon që të imponojë vendimet e tij Alterit kundër vullnetit të të fundit» [Han; 2015]. Rezultati: Egoja kufizon lirinë e Tjetrit dhe ky konsideron veprimet e tij të huaja, të detyruara dhe kërkon çlirimin nga ai.

Shqiptari i detyruar të jetojë pa të drejtat e tij themelore në gjuhë, identitet, kulturë ndihet i huaj brenda koncepteve sunduese të Zaevit dhe Gruevskit dhe kërkon shpëtimin prej tyre. Kështu pasi «neutralizimi i vullnetit» [Luhmann; 1975] të masave ngjanë efektshëm vetëm episodik, ka karakter hipnotik, pra është jetëshkurtër. Ashtu siç është edhe natyra e mashtrimeve: ato i kanë këmbët e shkurtra, thonë rapsodët e gjitha kulturave në kor.

2.

Qenia e cila vetëdijshëm ekziston në modusin e mbijetimit është si ata qiraxhinjtë që tërë kohën ëndërrojnë e shpresojnë për një kasolle të veten. E gjithë arkitektura dhe infrastruktura imanente brendaglobit është e sajuar nga ky motiv; për t’ia bërë vetes një kulm mbi kokë, një intersferë ku ai ndihet në shtëpi dhe disponon me lirinë që aty me të vetët të flasë, festojë, vajtojë e lutet i lirë, me zakonet e veta dhe në gjuhën e tij. Këtë essentia prima si nevojë të domosdoshme të kafshës së bekuar me arsyen dhe gjuhën, për ta dalluar nga speciet tjera nuk e kapin me ndonjë teltruror të tyre Gruevski, Zaevi dhe primatët politikë shqiptarë. Të fundit madje paradoksalisht edhe më hiç. Ndryshe nuk do ishin endur tri dekada pushteteve pa ia siguruar të parën, themeloren, kapitalen elektorit të vetë: të drejtën zyrtare në gjuhë!

Sjellja e partive politike shqiptare që përjetojmë aktualisht nuk dallon nga ajo e dy liderëve të «anës tjetër». Është sjellje univocitas entis, aktualitet univok organizatash politike me synime të njëjta lokalouniversale shqiptaro-sllave dhe që si causa finalis, ideal final e maksimal kanë pushtetin dhe asgjë tjetër!

Nëse hamendeni me këtë analizë le të detektojmë kampanjat dhe veprimet e po këtyre partive për zgjedhjet e ardhshme lokale. Asnjëra nga partitë shqiptare nuk do të ndryshojë gjendjen e komunave nëse nuk realizohen kërkesat bazë, të shkruara formëparullative, me mustardë hiperuthullore euforike-asgjëthënëse në atë letrën problematike që ia mveshën Edi Ramës. Pa barazi të plotë edhe për etninë ndër më kompaktet e 30% -she të shoqërisë nuk ka zhvillim. E çdo barazi nis tek njohja reciproke kulturore me gjuhë, me gjithë semantikën dhe arsenalin që përben identitetin e tjetrit. Tiroli, Transilvania, Quebec-u, Zvicra dhe qindra raste tjera nuk dëshmojnë askurrë se një barazi e tillë është mundshme, por e domosdoshme, esenciale. Këtë nuk e kuptojnë primatët shqiptarë, këtë ata nuk e bënë kusht decid, kategorik as para, as gjatë e as pas MO-it. E pasi kjo nuk bëhet as tash dhe partitë shqiptare pranojnë të zhvillojnë debate e polemika atraktive por infantile komisioneve parlamentare me shpresën se mbajnë ndezur nervat e elektoratit, atëherë dallimi ndërmjet Gruevskit, Zaevit, Ahmetit, Selës e Thaçit nuk ekziston.

3.

Gruevski lodhi botën duke shitur teza për dummy-t e bashkuar të gjitha vendeve se shqiptarët kanë nevojë për kushte të mira ekonomike, rrugë të asfaltuara, pub-e dhe xhami ultramoderne. Këtë këngë tashmë të mërzitshme e këndojnë vetëm ata që nuk kanë lexuar më shumë se vetëm fabulat e Ezopit dhe që nuk dinë se Regresioni i Madh i shteteve ballkanike dhe tjerëve [Nachtwey; 2017: 215-229]  nuk vjen nga mungesa e parave, ai nuk vjen për arsye se investitorët s’gjejnë vend ku t’i ndërtojnë fabrikat. Ata ikin pasi s’ka stabilitet politik, nuk ka garanci për paqe stabile në Gadishull.

[Digresion: Vetëm sa për ilustrim: Libia ishte vendi nga më të pasurit – nuk u prish se s’diti të bëj biznes dhe investime, porse nga shtypja Gadafi krijoi një divizion të rrezikshëm kundërshtarësh, nëpërmjet të cilëve «perëndimi» e shkatërroi atë. Ashtu siç mund ta shkatërrojë Maqedoninë kush të dojë nëpërmjet shqiptarëve – që mbijetojnë në modusin e të diskriminuarve! ]

4.

Nuk ka dilemë: partitë shqiptare dhe ato «maqedonase» janë të paafta të kuptojnë se demokracia e konsoliduar, shteti ligjor, barazia sociale e qytetare nuk realizohen vetëm me një koncept dhe atë qesharak se si ta fitosh apo mbash pushtetin. Në këtë e sipër një deklaratë e Nikolla Gruevskit rezultoi shumë interesante dhe që fut në lojë, involvon Brukselin brenda konfliktit. Ai deklaroi tekstualisht: «Brukseli nuk na ka bërë kusht gjuhën shqipe për integrim në BE». Nuk gënjen. Ekziston një parim i pakuptueshëm, konfuz në mënyrën e veprimit të BE-së ndaj shteteve kandidate; temat inter-etnike i hapin vetëm me kërkesën e akterëve politikë të brendshëm ose të jashtëm me interesa aty. Së paku kështu të thonë në Bruksel kur i pyet për Maqedoninë. Automatikisht dhe pa marrë frymë si duhet të kërkojnë mos i krahasosh problemet me precedentë tjerë, ta zëmë si ai i Kosovës. Jo se parimit atëherë del farsë qesharake.

Po ja, ta lëmë anash këtë sekuencë kontradiktore brenda sjelljes së BE. E fundit mirëpo do të binte në kundërshti me gjitha dokumentet e saja formale e joformale nëse nuk do të përkrahte të drejtën e një shumice 30% apo 20% në gjuhë, kulturë dhe identitet, ngase është shtylla dhe kuptimi i saj; demokracia liberale, shteti ligjor, barazia sociale e ekonomike, liria në kulturë e identitet, barazia qytetare janë parullat dhe yjet e flamurit të saj. Si ka mundësi të shkruhet një katalog që nuk kushtëzon këto? Cilat qenkan kushtet atëherë? Janë po këto por Shkupi ka bërë çmos që në fjalorin dokumentar të BE të flitet vetëm për qytetarë e jo edhe për etni edhe pse shteti nuk funksionon për shkak të konflikteve inter-etnike dhe mbetet lumë që çdokush mund ta nxjerr nga shtrati pa ditur se çka do të përmbytet.

5.

Gjersa të gjitha zhvillimet të mos dalin nga kornizat e një akrobatike propushtetore e akterëve me mendësi të njëjtë kriza në Maqedoni nuk do të zgjidhet. Përderisa BE para se të merret me operacione për profesionalizimin e burokracisë nuk qartëson përdetajueshëm katalogun e saj përpikërisht të bazuar në postulatet e saja qendrore që përbëjnë vizionin e saj, ajo s’do të jetë udha as e sotme e as e nesërme e Gadishullit. Përderisa shqiptarët nuk ngulin edhe më të vendosur këmbë në të drejtat e tyre substanciale para se të pranojnë ndërtimin e një shteti, masat e të cilëve e konsiderojnë të huaj, do të mbeten pjesëtarë mesmerikë të hipnotizimit të masave për katërvjeçare, por jo si garantues paqeje. Në mos sot atëherë nesër shqiptarit të atyshëm i del deliria dhe do të vazhdojë zejen e tij historike nëse jo të kryengritësit atëherë të komitit. Shpresa që lindi para zgjedhjeve se Zaevi me shqiptarët do t’ia dalin ta shpëtojnë Maqedoninë si shtetet qytetarët të barabartë ishte po aq hipnozë dhe mashtrim sa të drejtat shqiptare në mendjen e Zaevit.

Përndryshe edhe kjo hyrja në zgjedhjet komunale – mosbojkotimi apo shtyrja e tyre – pa aprovimin e ligjeve për gjuhë, ndarje korrekte të buxhetit edhe komunave shqiptare është një dëshmi se Zaevi dhe Gruevski edhe si mashtrues si janë, dalin problemi më i vogël i shqiptarëve atje.

 

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme