A po ngutemi “pak” për Ballkanin e Hapur!? 123 string(12) "Enis Reçica" string(63) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/03/enisiiiiii.jpg" nga Enis Reçica 08.06.2022 15:14 08.06.2022 15:14 Dhimbjen, tmerrin e terrorin e kemi të pranishëm në kujtesën kolektive, si shtetas e banorë të Kosovës. Sa herë të përmendet Serbia, ngjarjet e para rreth një çerek shekulli, na vardisen pranë syve tanë (të atyre që i përjetuan e kaluan nëpër to, ose të tjerëve që u besuan rrëfimeve të vërteta). Në fakt, jo vetëm të para 24 viteve, por kujtesa jonë popullore shkon edhe përtej saj. Pjesëmarrja në ish sistemin jugosllav, nuk qe fort për tu lavdëruar për “autonomët” kosovar, sa ishim nën ombrellën e tyre. Edhe aty u dallua Kosova nga republikat tjera. Primatin e keqpërdori nacionalizmi i theksuar serb. Serbia, si shtet, e si emër, gjendet edhe në radhët e vendeve nismëtare të iniciativës rajonale për bashkëpunim. “Otvoreni Balkan” e quajnë serbë-folësit. E ne në shqip, me Shqipërinë pjesëmarrëse në të, po e thirrim “Ballkani i Hapur”, nismën që qe gur themel edhe i Maqedonisë së Veriut pjesëmarrëse. Si rrallë herë, përgjithësisht, opinioni publik në Kosovë, qëndron kundër këtij lloj bashkëpunimi rajonal. Edhe partitë politike, pozitë e opozitë, qëndrojnë me bindjen e votuesve të tyre. Tendenca kryesore për ta arsyetuar refuzimin në pjesëmarrje, argumentohet në “rikthimin” e mundshëm të një Jugosllavie të re. Jugosllavinë e kaluar, me Aleksandar Rankoviqin aktiv, ne e kemi ende fiksim të frikës. Por, a po e refuzojmë vetëm për shkak të frikës “Ballkanin e Hapur”. “Është e pamundur që frika të komandojë mendjen, përndryshe, ne largohemi nga arritjet, si një bishë kur i shfaqet” – thotë letrari italian Dante Alighieri (1265 -1321). Tashti, a na ka kapluar frika mendjen neve, popullin e politikbërësit? Ndonëse për këtë nuk ka ndonjë hulumtim argumentues, por frika për rikthim mbrapa, tek trishtimi, tmerri, agresioni e gjenocidi serb, është gjëja e parë që shkund kujtesën e mendjes sonë kolektive. Sepse në nismë hynë edhe Serbia – shteti që na “frikëson”. Në fakt, publiku s’ka se si të mos i frikësohet një vendi të tillë, kur ende e mban Kosovën në Kushtetutën e saj, si tërësi territoriale personale. Ende Serbia nuk e njeh Kosovën, e si të bashkëpunoj në një organizëm, që pretendon – të paktën do duhej- të trajtoj gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor si të barabarta. Mos të flasim për pengesat tjera serbe, e mos bashkëpunimin e shfaqur përditë përball shtetit të pavarur të Kosovës. Përsëri edhe një “Por…”, Kosova është i vetmi vend i izoluar edhe nga Evropa. Ende Kosova nuk ka as liberalizim vizash, në mesin e të gjitha këtyre shteteve që po pretendojnë në një bashkëpunim më të thellë ndër vete në kuadër të Ballkanit Perëndimor. Tashti, a mos po mbesim peng i frikës, e nesër mund të humbim shumë nga mos angazhimi ynë në “Ballkanin e Hapur”? Kjo iniciativë, sipas liderëve të saj pjesëmarrës, tenton “seriozitet” në bashkëpunim. Nëse diçka e tillë promovohet vërtetë në praktikë në vitet e ardhshme, Kosova mbetet anash, në ishull të dyfishtë – ballkanik e evropian. Atëherë kur mund të jetë vonë, frika mund të largohet, e të zërë vendin dëshira për tu bashkuar. Në këtë radhë, mund të jenë pengesë shtetet që sot i bëjnë ftesë Kosovës për pjesëmarrje në të. Të njëjtat mund të vendosin kushte shtesë e të veçanta ndaj Kosovës, nëse dëshiron bashkëpunim në nismën rajonale. Mos të harrojmë, Bashkimi Evropian, ku kanë aspirata për anëtarësim të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, nisi rrugëtimin e saj më 1950 në kuadër të Komunitet Evropian të Qymyrit dhe Çelikut. Atëherë, bashkëpunimi u nënshkrua nga gjashtë shtetet themeluese (Belgjika, Gjermania, Franca, Italia, Luksemburgu dhe Holanda). Më vonë, nisën interesimin edhe shtetet tjera evropiane për tu bërë pjesë e saj, meqenëse panë një “seriozitet” në punë dhe aspirata. Më 1 janar 1973, Britania e Madhe, Irlanda dhe Danimarka iu bashkuan Komunitetit. E Norvegjia, fillimisht, refuzoi anëtarësimin përmes një referendumi popullor më 1972. Greqia u bë anëtare e BE-së më 1981, e Spanja dhe Portugalia, më 1 janar 1986. Austria, Finlanda e Suedia u afruan më 1995. E kështu me radhë, derisa i bëri 27 shtete, me Kroacinë të fundit, dhe me largimin e Britanisë. Ajo që vlen të theksohet me këtë paralele, është fakti që janë shtetet e para anëtare të BE-së, ato që bënë rregullat e lojës, dhe votuan për anëtarësim të tw tjerwve tw interesuar. Shtetet që anëtarësoheshin, bëheshin, njëkohësisht edhe pjesë e bërjes së rregullave të lojës. Kësisoj, paralelisht me “frikën” e hegjemonisë së Serbisë, Kosova, sa nuk është vonë, duhet ta ketë edhe frikën e bërjes së rregullave të lojës nga pesë shtetet “dashamire” të Open Ballkan. Autori Enis Reçica ka përfunduar masterin në Shkencat Politike dhe punon si gazetar) (Ky është qëndrim personal i autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimin editorial të Klankosova.tv) *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.