Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

A negociohet me kriminel lufte?

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 07.04.2022 20:06

Ju kam thënë që Vladimir Putin është kriminel lufte. Ma kanë marrë për të madhe kur e thash këtë më parë.

Deklarata e mësipërme Presidentit të Amerikës, Joe Biden, e dhënë të hënën, me 4 prill, e cila iu qep lajmeve të konfirmuara për vrasjen dhe masakrimin e civilëve në Bucha, afër Kijevit, kryeqytetit të Ukrainës, ishte një tjetër kontribut polemikave publike (por më shumë, atyre larg mediave), që në një mënyrë apo tjetrën po zhvillohet në mes të kryepolitikanëve të Perëndimit, se si do të duhej portretizuar Presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin, kryeprotagonistin e invazionit të Rusisë në Ukrainë.

Biden në njërin prej fjalimin e tij të mbajtur në Poloni, me 25 mars, sipas të gjitha gjasave tej qëndrimeve të harmonizuara të Administratës së tij, kualifikoi Putinin si kriminel lufte. Për më shumë, ai bëri thirrje publike për ndaljen e Putinit, e cila më pas u interpretua një herë si insistim i tij për ‘ndryshimin e regjimit në Rusi’, për tu përgënjeshtruar më pas nga State Departmenti dhe Sekretari i shtetit Antonly Blinken. Blinken tha në mënyrë kategorike që ‘ndryshimi i regjimit në Rusi nuk është synim i joni’.

Shkalla e krimeve të padiskutueshme ruse në Ukrainë, e cila përditë e më shumë po zbardhet, nuk ka si të mos cilësohet në kuadër të formulimeve të krimeve të luftës, mbase, edhe të krimeve kundër njerëzimit. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, madje, masakrën e Buchas e cilësoi si krim të gjenocidit.

Teksa më askush në Perëndim, nuk ka asnjë të vetmin dyshim për krimet e forcave ruse në Ukrainë, dhe edhe më pak, për politikanin i cili është përgjegjësi kryesor për to, çfarë po ndodhë në këto shtatë-dhjetë ditët e fundit, është një debat i tensionuar politik se si duhet Perëndimi t’i qaset këtyre fakteve të cilat kanë barrën e madhe të krimeve, në të gjitha dimensionet e mundshme politike, morale, legale.

Nëse të gjithë liderët e Perëndimit, do të mbërrijnë së bashku te konkludimi që Putin është një kriminel lufte, cila duhet të jetë përgjigjja në atë rast?

Nuk është rendi i ndërhyrjes ushtarake të Perëndimit (lexo: Aleancës Veri-Atlantike), në Ukrainë, për t’i dëbuar forcat ruse tej kufijve të këtij shteti.

Dihet pse.

Nuk është as rendi që Putin, si kriminel lufte, të diskualifikohet si kryenegociator, në emër të Rusisë, për t’i dhënë fund disi kësaj lufte që tronditi Evropën, dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore për krizën më të madhe në Evropë, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Poqëse Putin do të gjindej në një pozitë të cilën ai do ta vlerësonte si të pashtegëdalje për veten  (dhe për Rusinë e tij), aventurat e tij ushtarake do të mund të merrnin një trajtë edhe më të rrezikshme, e cila do ta sjellte gjithë Evropën një hap (vetëm) larg tragjedisë nukleare me pasoja fare lehtë të parashikueshme për gjithë Botën.

Një mal pyetjesh me prapavijë morale, (të llojit, ‘A mund të bisedohet dhe të negociohet me një kriminel lufte’), duket që i ngjajnë asaj rënies së murit me kokë, derisa dihet se çka, realisht, mund të bëj Perëndimi në rrethanat e njohura për të gjithë, në këtë përballjen e madhe me Putinin.

Pra, pak a shumë  (në të vërtetë, gjithnjë e më shumë), Washingtoni, Brukseli dhe kryeqendrat e tjera perëndimore, mund t’i shtojnë sanksionet, të cilat po godasin përherë e më pamëshirshëm ekonominë e Rusisë, mund ta pajisin Armatën e Ukrainës me armë edhe më të sofistikuara, të cilat po i shërbejnë kauzës së mbrojtjes së këtij shteti, por tej kësaj qasjeje, nuk mund të pritet asgjë më tepër.

Kjo qasje, zatën, duhet t’i lë Putinit vetëm një shteg: Atë të Marrëveshjes me Presidentin Zelenskyy, dhe të largimit nga Ukraina (teksa ‘largimi’ është në ridefinim e sipër të vet Putinit, duke ikur nga Kijevi dhe pjesa tjetër e Ukrainës, dhe duke mbetur në Donbas).

Por, Putin nuk mund të lihet pa asnjë shteg të vetëm, sepse diçka e tillë bartë në vete rreziqet e mëdha për gjithë Evropën.

Perëndimi, me të gjitha këto veprimet e veta, synon disi ta ‘mëkëmbë’ një politikë racionale të Putinit, teksa e gjithë aventura e tij prej 24 shkurtit e këndej është vlerësuar si një ‘marrëzi e paparë’ për dhjetëra vite të tëra në Evropë.

Përballja politike që po ndodhë ditëve të fundit në Perëndim, dhe që ka marrë trajtat e të çarave të para, goxha të rrezikshme, në atë unitetin e pashoq që u pati krijuar menjëherë pas invadimit të Ukrainës nga Rusia, në të vërtetë është një përplasje e sërishme  (nuk është pra as e para dhe as e fundit), në mes të përfaqësuesve të një real-politike, dhe atyre që këmbëngulin në atë ‘busollën morale’ në drejtimin themelor politik.

Presidenti Biden vet, dhe këtë e ka shfaqur gjithmonë, edhe kur ka qenë senator, dhe pastaj, Zëvëndës-President  (në kohën kur Barack Obama ka qenë President i Amerikës), dhe tani, kur po shërben si President, është shumë më i afërt me këtë kampin e dytë, se sa me të parin.

Por, realisht, vendimi i tij për tërheqjen e forcave amerikane nga Afghanistani, në verën e vitit të kaluar, ishte kryekëput reflektim i real politikës.

Në rastin e Kosovës, kemi qenë shumë me fat që te dy këto anë të politikës në Perëndim, ishin të unifikura për të mundësuar fushatën ajrore të Paktit NATO, në pranverën e vitit 1999, e cila solli paqen dhe lirinë në Kosovë.

Lufta e Perëndimit në Kosovë pra, ishte edhe real politikë, sikurse që e kishte edhe ‘busollën morale’  (dhe humanitare).

Tani, gjërat janë ndryshe në Ukrainë. Dhe sado që me kalimin e kohës  (dhe me zbardhjen e krimeve të reja të Ushtrisë ruse), do të jetë gjithnjë e më vështirë për ta siguruar një supremaci të real politikës mbi këtë politikën e bazuar në moral, Perëndimi nuk ka zgjidhje tjetër pos që të provojë ta detyrojë vet Putinin ta ndalë makinerinë e luftës dhe të krimeve, dhe të arrijë Marrëveshje me Zelenskyyn.

©klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme