Nuk dihet nëse kryeministri Zaev do të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por gjithkush e ka të qartë se pason një periudhë e turbullt politike me pasoja mbi sigurinë e rajonit. Ky vendim negativ do pezullojë zbatimin praktik të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe të marrëveshjes me Bullgarinë. Një fiasko e këtillë e Brukselit pas vetos së Francës mund të reflektohet negativisht edhe në dialogun Kosovë-Serbi.

Kjo pasi mospërmbushja e marrëveshjes nga ana e BE-së në raport me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ka rrënuar besimin e Brukselit si ndërmjetës që mund të ndikojë me ofertat e saja për dy vendet që kanë kontest të hapur.

16:08, 18 Tetor 2019 Autor: Xhelal Neziri

 

 Vendet e Bashkimit Evropian (BE) nuk arritën të caktojnë datën e dakorduar për fillimin e bisedimeve anëtarësuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në konkluzionet e Samitit të Këshillit Evropian, një institucion që përbëhet nga liderët e 28 vendeve anëtare të Bashkimit, nuk shkruhet asnjë fjalë lidhur me vendimin që ka të bëjë me fillimin e procesit të zgjerimit me dy vendet ballkanike. Aty mund të gjenden vetëm përfundimet lidhur me daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja.

Zhgënjimi është më i madh në Shkup, ku qeveria e udhëhequr nga Zoran Zaev bëri koncesione të mëdha për marrjen e datës: ndryshoi emrin e shtetit në Marrëveshjen me Greqinë dhe nënshkroi marrëveshje të rëndë me Bullgarinë për një fqinjësi të mirë me shtetin fqinj e anëtar të BE-së.

RREGULLA TË REJA NË MES TË LOJËS

Franca ngeli e palëkundur deri në fund për të mos u dhënë datë tani dy vendeve aspirantë, edhe përskaj insistimit të Gjermanisë, Polonisë, Hungarisë, Çekisë, Sllovakisë, Kroacisë e vendeve tjera anëtare. Arsyet e presidentit francez ishin disi jo të qarta: të ndryshohet metodologjia e procesit të zgjerimit dhe të plotësohen disa parakushte para fillimit të negociatave.

Kur jemi te metodologjia, me shumë të drejtë e tha edhe vetë kryeministri kroat, AndrejPlenkoviq: “Nuk ndryshohen rregullat në mes të lojës”.

Sa i përket plotësimit të parakushteve, më 29 maj të këtij viti Komisioni Evropian (KE), institucion që luan rolin e qeverisë evropiane e ku ka edhe ministra francezë, rekomandoi qartë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të fillojnë negociatat anëtarësuese pasi kanë plotësuar reformat e kërkuara nga Brukseli. “Në dritën e progresit të rëndësishëm të arritur dhe kushteve përkatëse që janë përmbushur, Komisioni rekomandoi sot që Këshilli tani të hapë negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,” tha ekzekutivi i BE në raportin e tij të fundit vjetor të përparimit.

Kundërshtimi i Francës dukej se kishte të bëjë më shumë me Shqipërinë, sesa me Maqedoninë e Veriut. Në një konferencë të përbashkët shtypi në Tulluz të Francës bashkë me kancelaren gjermane Angela Merkel, vetëm një ditët para samitit në Bruksel, presidenti francez Macronu shpreh i qartë se nuk do të lejojë fillimin e negociatave me Shqipërinë, duke lënë një shteg shprese për Maqedoninë e Veriut. “Mendoj se duhet të reformojmë këtë procedurë (të zgjerimit), e cila në këtë moment është e pakthyeshme, joprogresive dhe që nuk është e adaptuar. Ne bëjmë gjëra që janë bizare…Ne u japim liberalizim të vizave, të drejtën të lëvizin lirshëm në vendet tona, madje para fillimit të negociatave. Shembull është Shqipëria…”, tha Macron në një takim ndërqeveritar francezo-gjerman që kishte për qëllim tejkalimin e dallimeve të thella në BE midis dy shteteve kryesore.

Macron dhe Merkel gati një vit kanë dallime të thella në disa fusha: për daljen e Britanisë nga BE-ja Macron insiston për një Brexit të menjëhershëm, kurse Merkel për një dalje të ngadaltë për të mos shkaktuar dridhje shtesë në Union; Macron kërkon një solidaritet më të theksuar në zhvillimin ekonomik të vendeve anëtare me qëllim të hekurosjes së dallimeve të theksuara në këtë drejtim, por kjo nuk është e pranueshme për Merkelin; Macron i quan “jokoherente” bisedimet e Brukselit me Washingtonin për tregtinë, por që i përkrah Merkel shkaku i pranisë së madhe të kompanive gjermane në SHBA; Macron është kundër bisedimeve me Washingtonin për tregtinë përderisa SHBA është jashtë Marrëveshjes Klimatike të Parisit, të cilën në vitin 2017 e braktisi presidenti amerikan Donald Trump.

“EmmanuelMacron nuk e fsheh më padurimin e tij ndaj Gjermanisë,” tha Claire Demesmay, kreu i programit të marrëdhënieve franko-gjermane në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet e Jashtme.“Ne kemi lëvizur qartë në një cikël zgjedhor dhe të konkurrencës politike. Të dy udhëheqësit ndjekin dy logjika antagoniste. Dhe ata duhet ta tregojnë këtë para opinionit publik”, i tha ajo AFP-së.

ÇKA PARASHEH STRATEGJIA FRANCEZE PËR BALLKANIN?

A ishin Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria “kurbane” të antagonizmit Macron-Merkel? Si duket, po.

Macron dëshiron të kundërshtojë gjithçka që është apo mendon të jetë interes Gjerman. Në prill të këtij viti ai në Berlin, në një samit joformal me Gjermaninë, paraqiti dokumentin që e quajti “Strategjia e Francës për Ballkanin Perëndimor”, që u pa si një dokument konkurrent i Procesit të Berlinit, i iniciuar nga Merkel.

“Që nga fillimi i viteve 2000 dhe përfundimi i konflikteve të armatosura, të lidhura me shpërbërjen e Jugosllavisë, stabilizimi dhe zhvillimi demokratik, ekonomik dhe social i vendeve të Ballkanit Perëndimor (Sllovenia, Kroacia, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia ) ka njohur përparim të dukshëm. Sllovenia u bë anëtare e Bashkimit Evropian në vitin 2004, ndërsa Kroacia në vitin 2013”, thuhet në strategjinë franceze.

Megjithatë, aty theksohen se nevojiten reforma të shumta, që t`i mundësohet rajonit që të stabilizohet përgjithmonë dhe t’i përgjigjet sfidave me të cilat ballafaqohet. Si parakushte janë vendosur ato politike (mosmarrëveshje të pazgjidhura, edhe pse Marrëveshja e Prespës paraqet një përparim të dukshëm dhe një shembull të dialogut rajonal);çështjet ekonomike dhe sociale; vështirësi gjatë vendosjes së përhershme të sundimit të ligjit;çështjet e sigurisë dhe ndikimet e jashtme që devijojnë rajonin nga perspektiva e tij evropiane.

Në bazë të kësaj liste të kritereve, Franca nuk do të duhej të kishte bllokuar Shkupin e Tiranën në fillimin e negociatave anëtarësuese, por përkundrazi – do të duhej të bindte edhe dy shtetet tjera skeptike (Holandën dhe Danimarkën). Aq më tepër kur vetoja franceze do të ndikojë keq në kushtin e fundit të strategjisë së saj – siguria dhe ndikimet nga jashtë që devijojnë rajonin nga perspektiva evropiane. Ndaj kësaj bllokade të Macronit më të lumtur duket se do të jenë pikërisht këto lojtarë të politikës rajonale e globale – Rusia, Kina, Turqia dhe vendet e Lindjes së Mesme.

Masat konkrete të planifikuara në këtë strategji kanë të bëjnë me intensifikimin e vizitave të zyrtarëve francezë në vendet e Ballkanit, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social nëpërmjet intervenimit të Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) me 100 deri më 150 milionë euro, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, terrorizmit dhe radikalizmit e kështu me radhë.

FAJI I BE-së, JO I TIRANËS APO SHKUPIT

Komesioneri Johannes Hahn e tha qartë – faji për moscaktimin e datës nuk është as i Maqedonsë së Veriut e as i Shqipërisë, por i Bashkimit Evropian (BE) që nuk ishte në gjendje të përmbushë zotimet e saja.

Të dielën te kabineti i presidentit të shtetit në Shkup pritet të mblidhen krerët politik e shtetërorë për të diskutuar situatën e re të krijuar, që mund të përshkallëzohen në një krizë të re politike. Opozita e udhëhequr nga KristianMickovski i VMRO-DPMNE-së ka paralajmëruar protesta dhe dalje në rrugë e sheshe, pasi kjo qeveri edhe pas kompromiseve të dhimbshme me Greqinë e Bullgarinë, nuk arriti të sigurojë perspektivën e qartë evropiane. Nuk dihet nëse kryeministri Zaev do të japë dorëheqjen dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por gjithkush e ka të qartë se pason një periudhë e turbullt politike me pasoja mbi sigurinë e rajonit. Ky vendim negativ do pezullojë zbatimin praktik të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe të marrëveshjes me Bullgarinë.

Një fiasko e këtillë e Brukselit pas vetos së Francës mund të reflektohet negativisht edhe në dialogun Kosovë-Serbi. Kjo pasi mospërmbushja e marrëveshjes nga ana e BE-së në raport me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ka rrënuar besimin e Brukselit si ndërmjetës që mund të ndikojë me ofertat e saja për dy vendet që kanë kontest të hapur.

Lajme të tjera