Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

A do të na “çudisë” sërish Europa Nostra?

123
string(11) "Haris Ademi" string(64) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/04/harisiiiiii.jpg"
nga Haris Ademi 24.09.2022 13:23

Opinion nga Haris Ademi

Serbia është entitet i ndërtuar mbi themelin “komb-shtet-kishë”. Këtë trinom e zbërthen mjaft mirë historiani kroat Branimir Anzuloviq në librin e tij “Serbia Hyjnore”. Ideja fillimisht do të buronte nga Shën Sava, një princ dhe murg serb i shekullit 12 që, sipas Anzuloviqit, ia ka nëpërkëmbur misionin burimor religjioz kishës ortodokse.

Shënsavizmi tashmë është trashëgimi politike serbe. Prandaj, goditja që mund/do ta marrë Kosova këtë vjeshtë nga Europa Nostra, që është fitore e kishës ortodokse serbe ndaj qeverisë kosovare, në fakt duhet të shihet si fitore e Serbisë ndaj Kosovës në këtë çështje. Çka korret prej kësaj mbetet të shihet në fund të krejt procesit të dialogut mes dy shteteve.

Europa Nostra pritet ta rikthejë në diskutim publik Manastirin e Deçanit. Afati për aplikim në programin “7 monumentet më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore” tashmë është mbyllur dhe është çështje kohe deri kur institucionet në Prishtinë ta nxjerrin nga xhepi “çudinë” ndaj organizatës më të vjetër të trashëgimisë kulturore në Evropë. Në bazë të sjelljeve të deritashme, gjasat janë të mëdha që një vend në këtë listë të jetë siguruar tashmë për monumentin shtatë shekuj të vjetër.

Thyerja filloi më 2021, kur Europa Nostra e cilësoi si objekt në rrezik kulturor, manastirin ortodoks serb, për të cilin qeveria thotë se s’iu bë asnjë grithje e vogël qe moti kohë. Ekzekutivi u përpoq ta argumentojë të kundërtën përmes letërkëmbimeve, por asgjë s’u kthye mbrapshtë. Përkundrazi, fatkeqësia përshkalloi edhe më tej, kur një ekip i kësaj organizate erdhi në Kosovë, jashtë protokollit qeveritar.

Frytet e delegacionit “turistik”

Fotografia e nikoqirllëkut të igumenit Sava Janjiq ndaj anëtarëve të Europa Nostras, më 6 qershor, që edhe tregonte mbërritjen e tyre në Kosovë, do ta përshkruante më së miri si qëndron raporti i kësaj organizate me shtetin e Kosovës dhe anasjelltas. Kur më ra në sy kjo shkrepje, pak a shumë arrita ta analizoj më ndryshe përmbajtjen, në bazë të një përvoje të mëhershme.

Para dy vjetëve, shkova në Manastirin e Deçanit për intervistë me igumenin Janjiq, lidhur me problemin e rrugës që çon për në Plavë. Që të mos “shteren” krejt pyetjet, edhe për efekt psikologjik po ashtu, praktika në gazetari e preferon një muhabet pak më relaksues para se të nisë xhirimi. Kështu veprova edhe me igumenin. U interesova për lëngun e mollës që ma servoi pasi ia refuzova rakinë, meqë nuk e pi. Ishte hera e parë që po rrija në një tavolinë me një udhëheqës fetar ortodoks. Prej bisedës aty dhe intervistës më pas, vërejta se Janjiq është i vëmendshëm për mënyrën si e ndërton imazhin e vetë dhe të asaj që përfaqëson. Kjo mund të kuptohet pak a shumë edhe në distancë, nga llogaria e tij në Tëitter, ku shkruan madje edhe për sport.

Natyrisht, në fotografinë me delegacionin e Europa Nostras nuk kishte lëng molle. Tavolina me bollëk dhe diskutimet që mund të kenë buruar aty mund të na shijojnë keq kur të shpallet lista e shtatë monumenteve më të rrezikuara.

Janjiq është i bindur se manastiri që e drejton është në rrezik, teksa thotë se ai vetëm mund t’i hedhë duart pas kokës, sepse situatën në dorë e kanë institucionet e Kosovës. Shoqërimi i delegacionit thuajse tërë kohën e paratregon qëndrimin e Europa Nostras ndaj temës së Kosovës. Të dërguarit, ndër ta edhe një shqiptare nga Shqipëria, kishin zgjedhur madje edhe të udhëtonin me veturën dhe vozitësin e manastirit.

Në anën tjetër, ka qenë i habitshëm mosinteresimi i qeverisë për ta marrë nën ombrellë këtë vizitë zyrtare. Prishtina zyrtare është dashur ta kthejë në avantazh prezencën fizike të kësaj organizate. Mirëpo, ndodhi e kundërta. Dy ministra, ai i Kulturës dhe ai i Infrastrukturës, u shndërruan në agjendë të Europa Nostras, që as nuk i trajtoi me prioritet, pasi takimin me ta nuk e organizoi në fillim, por pas disa ditësh.

Agjenda, bashkë me elementet tjera që u prezantuan në faqen zyrtare dhe përmbledhjen në fund, bëjnë të kuptohet se lëvizjet e këtyre të dërguarve nuk ngjanë fort me vizita shkencore, aq sa me shëtitje turistike. Argumentimi që ripohonte qëndrimin e organizatës për rrezikshmërinë e Manastirit të Deçanit nuk dalloi aq nga konstatimet në distancë të para dy vjetëve. Sidoqoftë, ajo që ka rëndësi në këtë situatë është se Europa Nostra nuk ndërroi mendje për monumentin ortodoks. As nuk i bënë përshtypje alarmet e qeverisë kosovare për Kalanë e Artanës, e cila, sipas ministrit Hajrulla Çeku, e meriton të jetë pjesë e listës së shumëpërfolur.

Statistika VS Vlerësime

Palët, në këtë rast qeveria dhe manastiri, kanë qasje të ndryshme nga njëra-tjetra edhe për nga natyra e argumentimit. Qeveria është teknike, manastiri politik. Ministri Hajrulla Çeku thotë se jo vetëm ndaj Manastirit të Deçanit, por ndaj asnjë kishe ortodokse në Kosovë, nuk ka pasur asnjë incident serioz për rreth 14 vjet, derisa skeleti fizik i objektit është jashtë çdo rreziku, ta zëmë, nga shembja. Kurse igumeni Sava Janjiq vlerëson se siguria e këtij monumenti është hibride, pa zbatim ligjor për pronën e kontestuar dhe për Zonën e Veçantë të Mbrojtur. Ballafaqimi i këtyre argumenteve është i pabarabartë në vetvete, pasi trajtojnë dy realitete praktikisht të mospërputhshme mes vete.

Manastiri i Deçanit, përveç që është jashtëzakonisht i bukur jashtë e brenda, është edhe i qëndrueshëm. Muret e trasha, të ndërtuara me arkitekturën e shekullit të 14-të, janë ende të forta dhe pa dëmtime të rënda. Kjo gjendje s’mund të jetë ndryshe as në të ardhmen. Të paktën jo nga dora e njeriut, pasi aty gjenden 24/7 trupat e KFOR-it. Prania e tyre është garanci se manastirin s’ka mundësi ta gjejë gjë. Sulmet e moçme, bashkë me “kërcënimet terroriste të ISIS-it” më vonë, që pretendohet të kenë qenë të rreme, është jashtë logjikës të përdoren si argument nga Europa Nostra më 2022, tash kur edhe zyrtarët e vet kanë kaluar mes trupave të KFOR-it për të hyrë në oborr.

Rasti i rrugës Deçan-Plavë ka tjetër karakter. Republika e Kosovës e ka një ligj për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, të miratuar në Kuvend, të cilin Janjiq po e përdor si argument të fortë kundër çdo qeverie që ka tentuar t’i fusë ekskavatorët krah manastirit. Mirëpo, problemi është se ky projekt infrastrukturor më shumë është shndërruar në betejë politike mes partive shqiptare. Kjo ka bërë që Janjiq t’i sfidojë të gjitha qeveritë me “armën” e këtyre të fundit, ligjin e Kosovës. Dhe ta fitojë debatin. Për këtë çështje tashmë ekziston një ujdi e shkruar, por e panënshkruar, mes ish-qeverisë Hoti dhe manastirit. Megjithatë, nuk ka epilog. Por qeveria aktuale Kurti 2 nuk ka ambicie për zgjerim të asaj rruge. Prandaj Europa Nostra s’mund ta marrë këtë çështje si arsye për listën e 2023-ës.

Problemi kyç në këtë situatë është mosgatishmëria e shtetit për ta zbatuar aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese për 24 hektarët që duhet t’i kthehen Manastirit të Deçanit. Këtu as nuk ka hapësirë për analizë. Kjo punë duhet kryer, ashtu siç e ka thënë Kushtetuesja. Presioni kryesor ndërkombëtar dhe argumenti, mbi të cilin është ndërtuar pjesa më e madhe e narrativës për rrezikshmërinë e këtij monumenti, është pikërisht refuzimi për dhënien e atyre pronave, sado që përjetimi institucional mund të jetë i dhimbshëm.

Shteti si komentator

Të gjitha argumentet e Manastirit të Deçanit do të kishin mundur të neutralizoheshin nga shteti i Kosovës, pasi kanë natyrë politike. Kjo do të bëhej me veprime politike, natyrisht të shoqëruara me guxim politik. Kur u publikua lista e “Më të rrezikuarave” më 2021, institucionet u bënë komentatorë. Këtë herë kanë pasur mundësi të jenë aktorë me rol të rëndësishëm. A janë të tilla, mbetet të shihet.

Fatkeqësia e radhës është se institucionet nuk janë marrë as me rëndësinë historike që Manastiri i Deçanit e ka për Kosovën. Veprime në këtë drejtim kanë bërë kryesisht një grup i historianëve lokalë në atë rrethinë, por që fuqia përballë angazhimit të kishës ortodokse serbe është shumë e vogël. Llambadari i Skënderbeut, që gjendet ende i varur në tavanin e manastirit, është me vlerë të madhe historike. Këtë e pati pranuar vetë Janjiq, kur e pata pyetur në intervistë. Me këto copëza të vlefshme s’është marrë shteti.

Europa Nostra, në një formë, vetëm se e ka paralajmëruar listimin e Manastirit të Deçanit në programin e sivjetmë për shtatë monumentet më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore. Liderëve politikë do t’u duhet të çuditen sërish, pastaj të përsëriten, duke e kundërshtuar listën. Por edhe ta shprehin bindjen se organizatës 60-vjeçare tashmë i ka humbur kredibiliteti për shkak të agjendës proserbe. Në anën tjetër, kjo do të vlerësohej nga kisha serbe, të cilën Shën Sava do ta cilësonte si fitore të shtetit serb.

Prapavijën e kësaj e di dhe e ka deklaruar edhe qeveria në Prishtinë. Kjo i kontribuon statusit të veçantë të kishës ortodokse serbe në Kosovë, ide kjo jo e re në diskutimet për zgjidhjen e përhershme Kosovë-Serbi.

 

(Autori është gazetar në televizionin Klan Kosova, ndërsa ky opinion përfaqëson qëndrim personal të tij dhe jo të redaksisë).

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme