2022-ta na dha një autokrat të ri të mediave sociale 123 string(13) "Khalid Albaih" string(66) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2023/01/Khalid-Albaih.jpg" nga Khalid Albaih 01.01.2023 15:20 01.01.2023 15:20 A do të na sjellë viti 2023 një revolucion që do ta rrëzojë atë? Ashtu si miliona njerëz në mbarë botën, unë e kam ndjekur nga afër debaklin në Twitter që kur Elon Musk mori kompaninë në dorë. Jo vetëm që kam frikë nga humbja e një hapësire për debat të lirë dhe qasje në informacion – veçanërisht e vlefshme për ata prej nesh nga vende jo aq të lira. Por si karikaturist politik, kam frikë se mos humbas edhe platformën ku unë dhe shumë nga bashkëmoshatarët e mi filluam aktivizmin tonë gjatë Pranverës Arabe, e cila e bëri Twitter-in atë që është sot. Ndoshta kjo kthesë e ngjarjeve ishte e pashmangshme. Prej pak kohësh, industria e teknologjisë ka kultivuar kulte të personalitetit. Filloi me Steve Jobs dhe imazhin e tij të ndërtuar me kujdes të një novatori të hapur e kureshtar, i cili në realitet kryesonte “një nga korporatat më të kontrolluara” në botë. Ndërsa Jobs qëndroi larg politikës, njerëzit e teknologjisë që kanë ardhur pas tij, në ndjekje të statusit ikonik, nuk e kanë bërë këtë. Dëshirat e tyre të zjarrta për të rritur pasurinë dhe egon e tyre i kanë shtyrë ata në skenën politike dhe kanë ekspozuar agjendat e tyre egoiste. Musk i bëri të dukshme qëllimet e tij politike për marrjen e Twitter-it, duke postuar në maj – ndërsa marrëveshja ende nuk ishte përfunduar – një pikturë të Louis XIV, “Mbreti i Diellit”. Një i vetëshpallur “absolutist i fjalës së lirë”, ai e kurorëzoi veten mbret të ri “të ndritur” të mediave sociale dhe deklaroi se do ta bëjë Twitter-in “të lirë”. Por duke e parë atë të veprojë dhe të reagojë gjatë dy muajve të fundit, unë e shoh atë shumë më pak si një “Mbret Dielli” që mbretëron mbi një mbretëri në lulëzim, dhe shumë më tepër si një diktator i vogël i ditëve moderne që kryeson një regjim në rrënim. Ashtu si një uzurpator ambicioz i pushtetit, ai filloi marrjen e tij në Twitter-it duke folur për “demokracinë” dhe “vullnetin e popullit”, por bëri një tallje me ta. Ai e transformoi shpejt atë që ai vetë e quajti “sheshin digjital të qytetit” në oborrin e tij privat, ku ai sundon suprem. Ashtu si një diktator klasik, Musk gjithashtu nuk ka treguar tolerancë ndaj mospajtimit dhe kritikës. Ai thuhet se ka pushuar punonjësit pasi guxuan të shpreheshin kundër vendimeve të tij brenda kompanisë ose në mediat sociale. Ashtu si një autoritar klasik, ai e urren shtypin dhe nuk heziton ta censurojë atë (edhe pse duke u paraqitur si një avokat i lirisë së fjalës). Në mes të dhjetorit, ai pezulloi llogaritë e disa gazetarëve që kishin qenë kritikë ndaj tij. Ashtu si një autokrat që dëshiron të bëhet, Musk po kërkon të nxjerrë sa më shumë pasuri të jetë e mundur me shfrytëzim të pamëshirshëm. Ai ka anuluar përfitimet, ka detyruar punonjësit në ditë të pafundme pune dhe madje ka instaluar shtretër në selinë e Twitter-it për të shtrydhur çdo energji të gjallë prej tyre për të mirën e kompanisë së tij. Dhe si një tiran i mirë, ai ka mbikëqyrur një eksod njerëzish nga domeni i tij, disa largohen vullnetarisht, të tjerë detyrohen në “ekzil”. Në të vërtetë, ndiej për ish-punonjësit e Twitter-it. Unë gjithashtu e di shumë mirë se si është të të duhet të largohesh nga vendi që e do për shkak të tekave të një diktatori. Njeriu përgjegjës për mërgimin tim dhe të familjes sime është Omar al-Bashir, i cili erdhi në pushtet në Sudan në vitin 1989. Ai nuk kishte asnjë tolerancë për mospajtimin – apo talent për këtë çështje – dhe dëboi këdo që nuk ishte besnik i linjës së ashpër, duke shkaktuar një ikje masive e trurit jashtë vendit. Në tre dekadat që sundoi, ai mbikëqyri një luftë të përgjakshme civile, konflikte të shumta etnike, një gjenocid, një uri vdekjeprurëse dhe një kolaps ekonomik. Ai e gjunjëzoi vendin dhe fitoi me meritë urrejtjen e shumicës së popullsisë sudaneze. Ai i shtyu njerëzit deri në kufijtë e tyre dhe përfundimisht u rrëzua nga një revolucion popullor paqësor në 2019. Musk më bën të mendoj për al-Bashirin. Ajo që manjati i teknologjisë duket se ka të përbashkët me diktatorin sudanez është se ashtu si ai, Musk po e mban pushtetin edhe përballë zemërimit dhe protestës popullore në rritje. Vendimet e Musk që kur erdhi në pushtet kanë qenë jashtëzakonisht jopopullore. Ai është përballur me kritika jo vetëm nga përdoruesit, ekspertët e IT-së dhe komentuesit e biznesit, por gjithashtu ka marrë paralajmërime nga zyrtarë qeveritarë, duke përfshirë Thierry Breton, shefin digjital të BE-së. Ai duket se nuk pëlqehet gjerësisht edhe nga Twitter-i. Në dhjetor, ai u paraqit në shfaqjen e komedisë stand-up të Dave Chappelle në San Francisko vetëm për t’u përballur me një zhurmë që e bëri atë të heshtte. Ndërsa videot e ballafaqimit të tij të pafat me realitetin dolën online, Musk ende pohonte, “ishte 90% brohoritje në mbështetje dhe 10% brohoritje kundër” në një postim në Twitter të cilin ai më vonë e fshiu. Musk duket të jetë aq mohues për jopopullaritetin e tij sa ai premtoi të jepte dorëheqjen si CEO i Twitter nëse njerëzit votonin për të në një sondazh në Twitter. Dhe ata e bënë. Rreth 57.5 për qind i thanë “po” largimit të tij. Por ai nuk e bëri. Atij iu deshën më shumë se 40 orë për të njohur rezultatin dhe kur e bëri, ai tha se do të jepte dorëheqjen vetëm kur të gjente dikë tjetër për të marrë vendin e punës. Ky është një truk kaq i vjetër i diktatorit – duke u shtirur sikur nuk ka njeri më të mirë për punën e tij, në mënyrë që të qëndrojë në pushtet për një kohë të pacaktuar. Por ajo që Musk nuk ka të përbashkët me al-Bashirin janë besnikët e regjimit – njerëz të gatshëm ta mbështesin atë edhe kur anija po fundoset. Muskut i vjen fuqia nga pasuria e tij, por kjo varet nga forcat e tregut që ai nuk mund t’i kontrollojë plotësisht. Investitorët e mëdhenj që kanë mundësuar aventurat e tij të ndryshme teknologjike janë shumë më të luhatshëm se besnikët e regjimit. Ata do të hidheshin nga anija në shenjën më të vogël të shqetësimit që mund t’u shkaktonte atyre humbje monetare. Kjo tashmë ka ndodhur me Twitter-in: shumë marka të mëdha kanë pezulluar reklamat në platformë, duke shkaktuar një rënie të madhe në të ardhurat nga reklamat. Mund të ndodhë edhe me kompaninë e makinave elektrike Tesla, sipërmarrje tjetër e madhe e biznesit të Musk, aksionet e së cilës kanë rënë pothuajse 40 për qind që nga fundi i tetorit, duke bërë që investitorët e mëdhenj të kritikojnë hapur CEO. Musk duket se po bën të njëjtin gabim si al-Bashiri dhe diktatorë të tjerë të rënë. Ai duket se po nënvlerëson fuqinë e njerëzve. Twitter-i, sikurse edhe rrjetet e tjera të mediave sociale, nuk është asgjë pa ne, përdoruesit e tij. Në fakt, ishin kryengritjet e udhëhequra nga njerëzit e Pranverës Arabe që e bënë faqen e atëhershme të mikroblogut në platformën globale që është sot. Dhe njësoj si në Pranverën Arabe – kur njerëzit u ngritën kundër autokracisë së paaftë – rezistenca popullore po shfaqet kundër telasheve diktatoriale të Musk. Ish-punonjësit kanë ngritur çështje të shumta gjyqësore kundër kompanisë dhe tashmë kanë shënuar një fitore të hershme. Edhe përdoruesit janë ngritur. Disa po argumentojnë se mënyra më e mirë për t’i rezistuar politikave të Muskut është nga brenda platformës; të tjerët po largohen dhe po inkurajojnë të tjerët të kalojnë në aplikacionet konkurrente. Musk u përpoq ta pengonte këtë të fundit duke vendosur rregulla të reja strikte për promovimin ose referimin në platforma të tjera të mediave sociale. Kjo krijoi shpejt një reagim dhe ndryshimi në politikë duhej të anulohej. Fundi i autokracisë digjitale të Muskut do të vijë – herët a vonë. Por sundimi i tij i trazuar duhet të jetë një paralajmërim për njerëzit tjerë të teknologjisë që aspirojnë të jenë diktatorë të teknologjisë. Interneti – dhe si rrjedhim, media sociale – është një hapësirë e ndërtuar mbi afinitetin natyror të njerëzve për lirinë. Çdo përpjekje për ta uzurpuar dhe kontrolluar atë është e dënuar të dështojë. Kolumne e publikuar fillimisht në AlJazeera, e përkthyer nga Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.