17 Shkurti dhe precedenti që i mungon Kosovës - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

17 Shkurti dhe precedenti që i mungon Kosovës

123
string(12) "Ardian Gjini" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/11/Ardian-Gjini.jpg"
15.02.2016 09:55

Janë tri tema të ndara por që po ndërlidhen në mes vete kohëve të fundit në Kosovë. Është imazhi ose dukja e jashtme e Kosovës si temë e veqantë dhe pyetjet se cili është ai imazh dhe a po i ndihmon opozita me veprimet e veta prishjes së imazhit ekzixtues apo përkundrazi; është qështja e festimit të Ditës së Pavarësisë së vendit me koncerte apo me protesta dhe pyetja e legjitimitetit të thirrjes së protestës së opozitës mu në ditën e pavarësisë; dhe është qështja e precedentit dhe pyetjet që e përcjellin, se a vendoset precedent i keq nëse një pakicë parlamentare e detyron vendin të shkojë në zgjedhje.

Në prag të Ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe të protestës gjithpopullore të thirrur nga opozita e bashkuar të tria këto tema kërkojnë koment dhe përgjegje.

Së pari, duhet konstatur se imazhi i Kosovës edhe ashtu nuk është as përafërsisht siq kishim dashur të ishte. Poashtu duhet konstatuar se ky imazh në pjesën më të madhe të tij është refleksion i gjendjes reale në Kosovë e edhe distorcion i agjensive propagandistike armike edhepse edhe ato janë prezente.

Konkretisht, imazhi i Kosovës është rrënuar nga korrupsioni, sipas raporteve ndër më të lartët në gjithë kontinentin Europian, në mos më i larti. Ky imazh është rrënuar nga lidhja e krimit të organizuar me nivelet më të larta qeveritare, nuk ka si të jetë ndryshe për shkak të korrupsionit dhe parave të pista që duhet futur në sistem. Imazhi i Kosovës është i rrënuar për shkak të emigrimit ilegal, që për kokë banori e shënon nivelin më të lartë në Europë dhe jo vetëm. Politizimi i administratës, i bordeve të agjensive të pavarura dhe ndërmarrjeve publike, i policisë, i gjyqësorit e edhe i sistemit arsimorë poashtu ka bërë që imazhi i Kosovës të rrënohet. Të gjitha këto qështje pikë së pari e kanë rrënuar mirëqenien dhe barazinë e qytetarëve të Kosovës dhe pa asnjë dilemë, kur brendia është kësisoji, imazhi vetëm sa mund të jetë edhe më i keq. Në këtë imazh që e ka Kosova sot, kanë ndikuar edhe rrymat radikale islamike dhe ‘luftëtarët e Sirisë’; prapë, për kokë banori në numrin më të madh në Europë. Ka ndikuar edhe raporti Marty. Edhepse pa asnjë dyshim fillimisht i sponzoruar nga Serbia, ai raport tanimë është dokument zyrtar i Këshillit të Europës dhe ne e kemi një ‘Gjykatë Speciale’ që do të ketë goxha punë me të.

Ky është imazhi i Kosovës në një tablo, pa hije dhe pa kornizë.

Por analistët e vyer dhe të zgjuar gjejnë edhe diçka që e bën imazhin e cilitdo vend edhe më të qartë dhe më të kuptueshëm. Ajo diçka është reagimi i qytetarëve ndaj gjendjes ekzistuese.

Nëse qytetarët e një vendi heshtin, tkurren e aq më keq e lëshojnë vendin kur e ardhmja e tyre është duke u rrënuar, ata as që e meritojnë një të ardhme më të mirë. Dhe as që i dhimbsen dikujt. Nëse qytetarët heshtin para korrupsionit, krimit të organizuar, nepotizmit; nëse qytetarët heshtin kur qeveria e tyre e shkel Kushtetutën dhe sillet me indiferencë ndaj territorit të vendit të vet, ata qytetarë dhe ai popull nuk meriton më mirë. Nëse fjalia e fundit përmban sadopak të vërtetë, atëherë thirrja e opozitës për protestë dhe sfidimi deri në dorëheqje të qeverisë vetëm sa fillon ta përmirësojë imazhin e vendit. Imazhi që e përshkrova më lartë do të fillojë të duket ndryshe, do të jetë imazhi i një vendi në të cilin populli po thot boll ma.

Së dyti, është çështja e thirrjes së protestës mu në ditën e Pavarësisë.

Të gjitha vendet e botës e shënojnë një ditë nacionale. Disa e festojnë ditëlindjen e Mbretit ose të Mbretëreshës; disa e festojnë ditën kur e kanë ‘hequr qafe’ mbretin; disa e festojnë ditën e bashkimit të kombit; e disa tjerë, ashtu sikur edhe ne, e festojnë ditën kur e kanë shpallur pavarësinë e vendit. Në ditët nacionale, të gjitha kombet pushojnë, por nuk pushojnë se janë të lodhur. Për t’u çlodhur i kanë fundjavat e pushimet vjetore. Ata pushojnë për ta shënuar në mënyrë sa më festive ditën më të spikatur të vendit të tyre.

Tek ne, njerëzit janë të lodhur por jo nga puna, përkundrazi, nga papunësia dhe nga djerrakoha. Janë të lodhur nga mungesa e perspektives. Janë të lodhur nga pabarazia para ligjit dhe pabarazia në qasje në të mirat e përbashkëta. E kur njerëzit janë të lodhur nga të gjitha këto të këqija, nuk ka ditë më të mirë për të protestuar se mu në ditën e Pavarësisë. Dita e Pavarësisë është dita më e duhur për të treguar se kësi qeverisje nuk e kemi paramenduar, për të treguar se ky nuk është shteti të cilin e kemi ëndërruar, me një qeveri që krekoset në parada në ditën e pavarësisë përderisa qindra mijëra njerëz ikin nga vendi e qindra mijëra të tjerë mezi ushqehen. Në ditën e pavarësisë duhet treguar se në kosovë ka popull të ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm. Se ka popull që nuk e duron më as realitetin e as imazhin ekzistues. Se ka popull që nuk e ka edhe një vend tjetër rezervë dhe i cili të vetmin opcion e ka që ta bëjë këtë vend ashtu siç duhet.

Së treti, është precedenti, apo thënë ndryshe, droja reale apo e shtirur se shpallja e zgjedhjeve për shkak të insistimit të një pakice parlamentare “të dhunshme” do ta vendosë një precedent të rrezikshëm në Kosovë.

Kjo drojë është e gabuar. Fillimisht duhet thënë se në Kosovë janë vënë precedente brutale. Janë vjedhur votat me kuti dhe vjedhësit janë instaluar në pushtet, qoftë nëpër komuna qoftë në qeverinë qëndrore. Gjykata Kushtetuese ka thënë se ‘shumica mund ta krijojë qeverinë’. Qeveria në raste të panumërta e ka shpenzuar buxhetin e shtetit kundër ligjit dhe kundër vendimeve të Kuvendit. Gjykatat kanë nisur hetime e kanë mbyllur hetime në bazë të urdhërave të politikës. Qeveria e shtetit më të varfër në Europë e ka numrin më të madh të ministrive. Partitë në pushtet e bëjnë krejt të kundërtën e asaj që premtojnë gjatë fushatës zgjedhore. Të gjitha këto janë precedente që nuk duhet të përsëriten. Dhe e vetmja mënyrë për të mos u përsëritur këto precedente është duke e bërë edhe një ‘precedent’, shkarkimin e qeverisë.

Fundi i fundit, shkarkimi i qeverive edhe nuk duhet të konsiderohet precedent. Qeveritë do të zgjedhen e shkarkohen edhe në të ardhmen. Shkarkimi i qeverisë së papërgjegjshme duhet të konsiderohet si një mekanizëm mbrojtës i demokracisë, për të mos lejuar që të ndodhin qindra precedente tjera nga më banalet.

Populli duhet ta vendosë precedentin që i mungon Kosovës. Prandaj duhet të protestohet.

lajme të ngjashme