Rreshtimet tona mercenare - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Rreshtimet tona mercenare

123
string(17) "Rrahman Paçarizi" string(55) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2020/10/rr.png"
01.10.2020 12:14

Tash e sa dekada, prej kur kam kuptu se zgjedhjet presidenciale në SHBA janë të rëndësishme për të tasshmen e të ardhmen tonë, mbaj mend se na si popull jemi rreshtu pro njërit a tjetrit kandidat presidencial. Rrallëkush është rreshtu ideologjikisht a mbi ndonjë parim tjetër – jemi rreshtu mbi bazën e interesit. Kjo ka nisë me na u dukë normale. Do me thënë me u rreshtu kah ai që bën më shumë për ne. Aq larg kemi shku sa i kemi nda edhe njerëzit tanë në proamerikanë dhe antiamerikanë. Dhe, gjithmonë̈ NE jemi proamerikanë dhe ATA janë antiamerikanë. Na nuk dimë me i lexu zhvillimet sepse kemi qenë kundër Clintonit pasi Bushi pati bërë kërcënimin e njohur të Krishtlindjeve. Pastaj kemi qenë kundër Bushit të ri, sepse Clintoni e bombardoi Serbinë. Pastaj ishim kundër Obamës, sepse Bushi i ri tha “enough is enough – Kosovo should be independent”, pastaj ishim kundër Trumpit se na dukej i çuditshëm dhe prorus. Tash herë jemi me Bidenin për shkak të angazhimit të tij për Kosovën si nënpresident e herë me Trumpin për shkak të rikthimit që i bëri Kosovës në agjendën amerikane.

A kemi mendu ndonjëherë se ne vetë duhet t’i imponohemi secilës administratë amerikane me seriozitetin tonë si shtet, duke luftu krimin e korrupsionin, duke zhvillu arsimin, shëndetësinë e ekonominë, duke u tregu e dëshmu si partner serioz i Amerikës dhe Europës? Sigurisht se jo. Na jemi mësu me qenë të pushtuar, jemi mësu me pritë mëshirën e dikujt, do me thënë e konsiderojmë mbështetjen rezultat të keqardhjes e mëshirës e jo rezultat i partneriterit. Tekefundit, administratat e ndryshne amerikane nuk mërziten se kah rreshtohemi na. Por, krejt ky rreshtim e këto rreshtime tregojnë se jemi shndërru në oportunistë, në njerëz grabitçarë e dembela që nuk punojnë vetë, por kqyrin me përfitu ndonjë asht a ndonjë pjesë të presë, duke tundë bishtin me shpresën se “padroni” ka me e vërejtë përkushtimin tonë prej të nënshtruari për gjynah.

Kjo logjikë është shndërru në pikën orientuese si reja e Moisiut. Kur e përmend Moisiun s’ka se si të mos neveritem nga kalkulimet tona se a mos na hidhërohen vendet arabe tash që na njohu Izraeli, apo mos hidhërohet Izraeli kur të na njohë ndonjë vend tjetër arab, ndërkohë që shunica e vendeve të botës kanë marrëdhënie të ndërsjella me të dyja palët. E diplomacinë̈e kemi për gjynah, plot me ushtarë e mercenarë. Tash, krejt kjo logjikë është shtresuar për shumë dekada e ndoshta edhe më gjatë. Më kujtohet koha e pushtimit serb, kur një polici serb i tekej të ndalonte ose rrahte ndonjë shqiptar për çfarëdo arsye, reagimi qytetar ishte i mjerueshëm. Përtej kësaj, nëse qëlloje në semafor duke pritë dhe dikush e kalonte semaforin në të kuqen dhe aty rastiste ndonjë polic, pa çka se nuk merrej fare me atë punë, njerëzit e tjerë e sillnin kokën në shenjë mospajtimi me atë që e kalonte semaforin e kuq. Në të vërtetë ashtu dukej, por e sillnin kokën për ta denoncuar shkelësin dhe për t’u legjitmuar si një qytetar i rregullt që nuk bënte shkelje dhe që ishte i gatshëm ta arsyetonte secilin veprim të policit ndaj shkelësit. Po flasim për vitet’90.

Pas luftës u bëmë edhe më konformistë, më oportunistë dhe gati po bëhemi mercenarë të rreshtuar, po bëhemi pjesë e rreshtave dhe rreshtimeve, pothuajse papërjashtimisht. Me qenë pjesë e rreshtit, do me thënë mos me pasë mendim tëndin, ose së paku më heqë dorë nga mendimi yt. Heqja dorë nga mendimi e relativizon karakterin, pasi duhet të pajtohesh me tjetrin patjetër. Për t’u pajtu me tjetrin duhet me luftu me vetveten dhe duhet me e mposhtë vetveten. Kur e mposht vetveten, më nuk e ke problem ta përqafosh secilën ide tjetër – mjafton me i kalkulu hesapet personale. Kështu, tash ne rreshtohemi, jo më në bazë të parimeve, por në bazë të interesave të kalkuluara. E, ato interesa, nga këto mendje kalkulohen keq, u nënshtrohen kalkulimeve jashtëkontekstuale. Nëse unë synoj një pozitë drejtuese diku, nuk punoj që ta meritoj, por kqyri me gjetë miq – jo miq si miq, por miq si njerëz që kryejnë̈ punë. Për me pasë miq të tillë, duhet me i mbështetë idetë e atij që e shohim si mikun potencial, prandaj edhe rreshtohemi. Jo krejt vetëdijshëm bëhemi ushtarë të një rreshti, qoftë edhe vetëm si numër.

Pavërejtshëm e kuptojmë që jemi bërë mercenarë. Mercenarët janë njerëz që luftojnë për përfitime, njerëz që bëjnë beteja të huaja. Mercenarizmi bëhet në kurriz të etikës, pra edhe të parimeve.

 

lajme të ngjashme