Partneritet i njëjtë për President dhe për Qeveri 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 19.01.2021 09:44 19.01.2021 09:44 Sipas të gjitha gjasave, koalicioni paszgjedhor për votimin e Presidentin e Kosovës, do të jetë po i njejti që do ta përbëjë dhe do ta votojë Qeverinë e re të Kosovës. Me ‘ri-organizimin’ parazgjedhor të skenës politike të Kosovës, siç u kuptua ditëve të fundit të javës së kaluar, për herë të parë që prej se në shtetin e Kosovës mbahen zgjedhjet e përgjithshme, në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, do të kemi jo vetëm kandidat të nominuar për Kryeministër të Kosovës, por edhe kandidat, poashtu të nominuar, për postin e Presidentit të Kosovës. Siç dihet tashmë, Albin Kurti, Kryetari i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Avdullah Hoti, Kryeministri në Detyrë i Qeverisë së Kosovës, në emër të LDK-së, dhe Enver Hoxhaj, Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të PDK-së, janë kandidat të këtyre tri subjekteve politike për pozitën e Kryeministrit të Kosovës. Në anën tjetër, Vjosa Osmani, në emër të koalicionit të saj (dhe të Nismës Qytetare të saj) me Albin Kurtin, dhe Ramush Haradinaj, lideri i AAK-së, janë propozuar për detyrën e Presidentit të Kosovës. Lidhja e qytetarëve/ votuesve të Kosovës, ajo e drejtpërdrejta, me pushtetin qendror të Kosovës, përkon, në pajtim të plotë me organizimin e këtij pushteti dhe të shtetit të Kosovës si Republikë Parlamentare, me përzgjedhjen e deputetëve në përbërjen e Kuvendit të Kosovës. Ky është hapi i parë dhe i fundit i qytetarëve/ votuesve të Kosovës, hapi vendimtar gjithsesi, për bërjen e pushtetit qendror, për emërimin e Kryeministrit dhe të Qeverisë së tij, kësaj here, edhe për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Megjithatë, ky qytetar merret vetëm me pëzgjedhjen e 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët pastaj, në bazë të Kushtetutës së Kosovës, kanë mandatin që duke arritur tek ajo shumica e kualifikuar, të emërojnë së pari Kryetarin e Kuvendit, pastaj, kësaj here (sepse posti i Presidentit të Kosovës është vakant), të votojnë për Presidentin e Kosovës, dhe në rast të konkludimit të suksesshëm të këtij votimi (në të kundërtën, do të imponohet organizimi i zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare), ta përkrahin, me votimin e tyre, edhe Kryeministrin e ri dhe Qeverinë e re të Kosovës. Në parim pra, qytetarët/ votuesit e Kosovës, nuk kanë fuqi politike që në mënyrë të drejtpërdrejtë, siç është ta zëmë rasti në votimet për pushtetin lokal, ku ata caktojnë kush do të jetë Kryetari i komunës së tyre, të vendosin se kush do të jetë Kryeministër dhe kush President i Kosovës. Teksa askund në këtë demokracinë parlamentare nuk ka zgjedhje direkte të Kryeministrit (sepse ai rëndom është në krye të një partie politike, dhe në bazë të sistemit zgjedhor, proporcional apo mazhoritar, ai dhe partia e tij marrin mandatet në Parlamentin e shtetit, dhe kjo fuqi pastaj reflektohet në negociatat pas-zgjedhore), ka shumë shtete ku Presidenti zgjedhet me votën popullore. Ta zëmë, në këto anë të Evropës, vetëm në Kosovë dhe në Shqipëri kjo zgjedhje bëhet përmes Kuvendit, teksa në Slloveni, Kroaci, Serbi, Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, me votimin e qytetarëve zgjedhet Presidenti i tyre. Sidoqoftë, në rastin e Kosovës, ekziston një lidhje e tërthortë, jo edhe vendimtare, për politikanin i cili do të mund të udhëheq me Qeverinë e Kosovës. Me Kushtetutën e Kosovës dhe me Aktygjykimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës (të viteve 2014 dhe 2020), është e qartë që partia/ koalicioni që merr primatin në zgjedhjet e përgjithshme, apo, që del e para në këto votime, ka atë përparësinë e marrjes së mandatit, nga Presidenti i Kosovës, për ta bërë Qeverinë e Kosovës, brenda atatit prej 15 ditëve, periudhë kjo kohore gjatë së cilës duhet të dëshmojë që ai ka një shumicë të kualifikuar parlamentare (prej së paku 61 deputetësh), për ta kërkuar votimin e Qeverisë së tij në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, siç dihet tashmë, nuk ka një automatizëm ligjor dhe kushtetues në këtë aspekt: Pra, nëse i pari i zgjedhjeve, apo partia që i ka fituar ato, nuk e siguron shumicën parlamentare (qoftë drejtpërdrejtë, me rezultatin e vet në zgjedhje, apo përmes koalicioneve pas-zgjedhore), atëherë, Presidenti i Kosovës, ka të drejtën që liderit të subjektit të dytë për nga fuqia parlamentare, apo, cilidoqoftë entitetit tjetër që siguron këtë shumicën parlamentare, t’ia jep mandatin e Kryeministrit të Kosovës. Që prej se në Kosovë mbahen zgjedhjet parlamentare, apo, prej vjeshtës së vitit 2001 e këndej, ndërsa kemi të bëjmë me shtatë palë zgjedhje, me tetë Qeveri dhe me dhjetë Kryeministra, vetëm në tri raste është evidentuar rasti kur partia më e madhe në zgjedhje ka marrë postin e Kryeministrit të Kosovës (dy herë ky ka qenë shembulli me PDK-në dhe Hashim Thaçin, një herë me ‘Vetëvendosjen’ dhe Albin Kurtin), në një rast, kjo ka ndodhë me një Koalicion parazgjedhor (me PAN-in dhe Ramush Haradinajn), ndërsa në gjashtë zhvillime të tjera politike, Kryeministri ka përfaqësuar një subjektë të dytë apo të tretë politik në vend. Pra, po shihet që potenciali për ta bërë atë Marrëveshjen pas-zgjedhore, si dhe në dy raste, synimi i Dr.Ibrahim Rugovës që ta merr postin e Presidentit të Kosovës, e jo atë të Kryeministrit, (megjithë fitores bindëse të tij dhe të LDK-së në zgjedhjet e përgjithshme të viteve 2001 dhe 2004), kanë qenë përcaktues për ta bërë Qeverinë dhe për të zgjedhur Kryeministrin e Kosovës. Në legjislacionin e kaluar, për herë të parë në këtë politikën kosovare ndodhi që pas rrëzimit të një Qeverie të Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, apo nga lideri i partisë që mori më së shumti ulëse në Kuvendin e Kosovës (29 gjithsejt), të bëhet një tjetër Qeveri, brenda të njejtit legjislacion, nga subjekti i dytë për nga fuqia parlamentare (LDK-ja), në partneritet me partitë e tjera. Kësaj radhe, apo, pas konstituimit të Kuvendit të ri të Kosovës të dalë nga votimet e 14 shkurtit, dhe zgjedhjes së Kryeparlamentarit, siç e dimë të gjithë ne, dhe siç u theksua tashmë në këtë shkrim, as që do të mund të kalohet në votimin e Qeverisë së re të Kosovës, pa e zgjedhur një herë Presidentin e Kosovës. Shumica e kualifikuar parlamentare për votimin e Presidentit të Kosovës, e cila është definuar një herë e mirë me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese (të vitit 2011), përbëhet prej dy të tretave të Kuvendit, apo, prej tetëdhjetë deputetëve. Nëse pra në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës të caktuar për zgjedhjen e Presidentit, nuk ka Quorum të pranisë dhe të votimit prej 80 deputetësh, nuk mund fare të procedohet tutje, as me zgjedhjen e Presidentit, as me zgjedhjen e Qeverisë së re, gjë që automatikisht sjell krizë parlamentare. Në rastin konkret, pra, pas Certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, kjo nënkupton realisht, që koalicioni apo partneriteti pas-zgjedhor për votimin e Presidentit të ri të Kosovës, i cili ndërtohet mbi praninë dhe votimin e së paku 80 deputetëve (të këtij koalicioni), do të jetë po i njejti që do ta votojë edhe Qeverinë e re të Kosovës. Megjithë pretendimeve të shprehura publikisht të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, për ta siguruar vet shumicën parlamentare për te tri postet kryesore të pushtetit qendror, (atë të Presidentit, të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit), apo, për të mbërri tek së paku 60 mandate në Parlamentin e ri (ai njëzetëshi tjetër në rastin e zgjedhjes së Presidentit do të sigurohej në ato rrethana nga deputetët që përfaqësojnë minoritetet), ky rezultat nuk duket që përkon me realitetin politik në vend dhe me parashikimet parazgjedhore. Në teori së paku, ekziston edhe varianti, i cili është provuar në muajin prill të vitit 2011, kur Atifete Jahjaga (si kandidat i pavarur), u zgjodh Presidente e Kosovës, pas një Marrëveshjeje midis partive qeveritare dhe asaj të opozitës (LDK), me ndërmjetësimin e Ambasadorit të Amerikës në Prishtinë, Christopher Dell. Por, ky solucion teorik, në rrethanat e tanishme, duket që ka gjasa fare minimale për tu sendërtuar, kur dihet se sa dhe si ka degraduar skena politike e Kosovës, dhe poashtu, kur të mirret parasysh që Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, është shumë larg atij roli që ka pasë në vitet menjëherë pas pavarësimit të Kosovës. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.