Kodi Zgjedhor, ndryshimet votohen më 1 tetor

Kodi Zgjedhor, ndryshimet votohen më 1 tetor

NULL NULL
1 muaj më parë

Kuvendi i Shqipërisë do të votojë ndryshimet e Kodit Zgjedhor më 1 tetor.

Kështu u vendos në mbledhjen e konferencës së kryetarëve të grupeve parlamentare që miratuan këtë të mërkurë kalanderin trejavor të punimeve për periudhën 28 shtator-16 tetor.

Një ditë më parë, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik Damian Gjiknuri tha se ndryshimet në kod, ku përfshihet hapja e pjesshme e listave dhe riformatimi i koalicioneve parazgjedhore, do të dërgohen për votim edhe pa miratimin e opozitës.

Këto ndryshime janë kundërshtuar si nga opozita parlamentare, ashtu edhe nga ajo jashtëparlamentare. Kjo e fundit dorëzoi të martën në Këshillin Politik një letër me pesë pyetje që kërkonin opinionin e OSBE/ODIHR-it lidhur me këto ndryshime, por Gjiknuri nuk pranoi që ta nënshkruante atë.

Opozita kërkon që listat të hapen 100 për qind, ndërsa formimi dhe rregullat për koalicionet parazgjedhore të qëndrojnë të pandryshuara.

Pavarësisht se shifrat e rasteve të konfirmuara me koronavirus në Shqipëri nuk kanë pësuar ulje, gjatë konferencës së kryetarëve u vendos gjithashtu që seancat plenare të radhës (1, 8 dhe 15 tetor) të vazhdojnë të zhvillohen me praninë fizike të deputetëve, duke respektuar protokollet e sigurisë për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Ndërsa mbledhjet e komisioneve do të vazhdojnë të zhvillohen online./ A2 CNN